Në fshatin Trodhen, në Ulëz gjendja nga zjarret paraqitet mjaft kritike. Një familje pretendon se flakët i’u kanë ardhur vetëm pak metra larg shtëpisë. Një prej fëmijëve të tyre thuajse është asfiksuar nga tymi.
Në një komunikim telefonik me News 24, kryefamiljari Tanush Sefgjini ka apeluar për ndihmë.
“E kemi mbajtur me kompresa, ka qenë shumë keq. Ne jemi 10 familjarë me fëmijë e gra, po tentojmë ta fikim zjarrin por na ka rrethuar”,- sqaron ai.
“Duam ndihmë se rrezikojmë të digjemi, zjarri ka arritur vetëm pak metra larg banesës. Kemi që dje që po përpiqemi të shuajmë zjarrin, pork a dalë jashtë kontrollit, na ka rrethaur shtëpinë. Jemi të lodhur të rraskapituar. Fëmija mbrëmë e kemi pasur me kompresa të ftohta”,- deklaroi Tanush Sefgjini.
Sipas kryefamiljarit, ai nuk mund të largohet nga shtëpia, pasi ka 150 krerë bagëti që s’mund t’i lërë të digjen. Ai bën thirrje që autoritetet të sjellin një helikopter për të vënë situatën nën kontroll.
“I kërkojmë autoriteteve të sjellin një helikopter. Janë nisur 25 forca të ushtrisë nga Mati për të shuar zjarrin, por ato duan dy orë që të mbërrijnë në vendngjarje”. – u shpreh Sefgjini.