Rruga e Arbërit, koha për t’u realizuar, apo për t’u lënë rrugëve si gjithmonë?

817

Nga Edison Balla

Ashtu siç pritej, edhe këtë herë në zgjedhjet e 25 qershorit “Rruga e Arbërit” nuk i rezistoi dot vendosjes në qendër të premtimeve, të dala nga gojët e politikanëve. Në fakt kjo nuk përbën ndonjë surprizë, jo vetëm për mua, por për asnjë qytetar dhe votues dibran. Është bërë zakon tashmë që në çdo fushatë elektorale në Dibër, jo vetëm kandidatët për deputetë, por edhe kryetarët e partive që zbresin në këtë zonë e dinë përmendësh tashmë “stategjinë” për të vjelë sa më shumë vota.

Mjafton të përmendësh emrin “Rrugë e Arbërit”, dhe çdo dibrani i gënjehet mendja për të miliontën herë edhe pse po kaq herë është mbajtur peng elektoral.  Jemi koshient sesi edhe këtë fushatë elektorale, Rruga e Arbërit u përdor si instrument duhet thënë shumë i suksesshëm për tu marrë votat dibranëve. Në opinionin tim, është me të vërtetë falsitet dhe pafytyrësi njëkohësisht, të paktën nga ana e dy kampeve të mëdha politike, që edhe këtë herë “luajtën” me kartën e premtimit për ndërtimin e kësaj rruge. E dini pse është pafytyrësi? Sepse të paktën këto dy partitë e mëdha, kanë pasur në mënyrë absolute çdo mekanizëm dhe instrument të mjaftueshëm financiar e politik që tashmë ta kishin përfunduar rrugën e Arbërit.

E thënë troç, për ndërtimin tim mosndërtimi i Rrugës së Arbërit nuk ka dhe nuk ka pasur si shkak a pengesë, mungesën e aspektit financiar e as të atij logjistik. Pengesën kryesore unë personalisht e kam parë dhe e shoh në dy drejtime. Së pari, ka munguar vullneti politik për të sjellë me qëllim derivatisht mbajtjen peng të dibranëve për tu marrë votat, dhe së dyti lobimi i fragmenteve të caktuara të biznesit që nuk kanë interes që kjo rrugë të bëhet.

Përsa i përket mungesës së vullnetit politik, besoj që jemi të gjithë njëmend të bindur për këtë, pasi e kemi parë minimumi që nga viti 2003 kur qeveria  asokohe e drejtuar nga ish-kryeministri Nano, u duk se e mori seriozisht premtimin për ndërtimin e Rrugës së Arbërit, premtim të cilin e kishte përdorur në fushatën e vitit 2001 për të ardhur në pushtet. Minimumi që nga ky vit, Rruga e Arbërit do të mbetej kryefjalë e ditës për të paktën një muaj, sa herë që partitë politike bënin fushatë në Dibër e gjetkë. Koha vërtetoi se edhe qeveria e Nanos, nuk do të bënte pothuajse asgjë për ndërtimin e rrugës, përvec ndonjë “ngastre” tek-tuk sa për të “larë gojën”.

Të njëjtin avaz pas Nanos, do ta përdornin edhe pasardhësit e tij ish-kryeministri Berisha, dhe kryeministri aktual Rama. Berisha, do të shihej si njeriu dhe politikani që do ti jepte fund ndërtimit të Rrugës së Arbërit, dhe për hirë të së vërtetës ndërtoi një pjesë të konsiderueshme të saj në një gjatësi të madhe, por la pa prekur pikat kyce të saj që konsistonin në ura dhe tunele, ku këto të fundit do të përdoreshin masandej si justifikim për lënien rrugëve të Rrugës së Arbërit.

Në foto: Ish-ministri i Transporteve , i ndjeri Sokol Olldashi në inspektimin e punimeve të Rrugës së Arbrit në zonën e Bulqizës

Edhe pse ndërprerja e punimeve shpesh-herë lidhej ose të paktën thuhej nga politika se lidhej me mungesën e buxhetit financiar, apo gjoja edhe me vështirësinë e terrenit që karakterizon këtë gjatësi rruge, duhet theksuar  se edhe koha tregoi se asnjë nga këto arsyetime nuk qëndronte. Kjo pasi, paralelisht me ndërtimin e Rrugës së Arbërit, u përfunduan një sërë aksesh të tjera edhe pse ishin premtuar e kishin filluar shumë më mbrapa saj. E si për ta vërtetuar këtë mjafton të përmendim këtu disa vepra të tjera të mëdha infrastrukturore, që edhe pse u premtuan vite më mbrapa rrugës së Arbërit, u filluan dhe u përfunduan shumë shpejt. Përmendim këtu “Rrugën e Kombit”, Bajpasin e Fier-Lushnje, apo edhe tunelin e Kërrabës që lidh Elbasanin me Tiranën. Padyshim, u bë shumë mirë që u ndërtuan këto vepra infrastrukturore dhe as unë e asnjë qytetar shqiptar nuk kemi gjë kundër ndërtimit të tyre. Kritika ime e vetme qëndron në faktin se cdo qeveri duhet të ketë një “letër prioritetesh” specifike edhe për infrastrukturën. Pra, premtimi më i hershëm e më madhor për komunitetin duhet të realizohet para një tjetri që në kohë e në rëndësi qëndron më pas. Kjo nënkupton, që Rruga e Arbërit duhet të ishte ndërtuar para veprave të tjera të sipërcituara, edhe pse sic e theksova nuk kam padyshim asgjë kundër ndërtimit të tyre, pasi edhe ata njëmend janë të rëndësishme për vendin tonë.

Këtë mungesë prioritetesh, unë e lidh me mungesën e vullnetit politik aq sa edhe me ndikimin e lobit tregtar të vendeve fqinje.

Çfarë dua të them me këtë?

Ndërtimi i Rugës së Arbërit sic edhe jemi koshient, do të bëjë të mundur zvogëlimin dhe shkurtimin në mënyrë të ndjeshme të distancës midis Tiranës e Shkupit, dhe për pasojë edhe me kryeqytetet e tjera ballkanike me të cilat sot na ndajnë kilometra të mëdha, duke vështirësuar apo edhe pamundësuar kështu shkëmbimet me natyrë tregtare. Nga ana tjetër shteti shqiptar dhe bizneset shqiptare në këto kushte, janë të prirur që marrëdhëniet e tyre tregtare ti kenë më të theksuara me dy shtetet e tjera fqinje, pra Italia dhe Greqia, edhe pse mund tu kushtojë më shumë kosto financiare.

Në mendimin tim ndërtimi i Rrugës së Arbërit që derivatisht do të sillte edhe shkrurtimin e distancës tokësore, me vendet fqinje të ballkanit dhe po kështu edhe rritjen e import-eksporteve me këto vende. Rritja e marrëdhënieve tregtare me fqinjët tanë të Ballkanit, që për shumicën e mallrave tregtare ofrojnë një kosto shumë më të vogël në krahasim me dy fqinjët tanë në anën tjetër të adriatikut, do të sillte një zbehje apo le të themi në ulje të konsiderueshme të import eksporteve me fqinjët europianë. Në këtë kontekst unë “rrekem” të shpjegoj se nuk është në interesin më të lartë të fqinjëve tanë tradicionalë me të cilët kemi një histori marrëdhëniesh tregtare, që Rruga e Arbërit të ndërtohet.

Kjo arsye për mendimin tim vazhdon të mbetet po kaq e fortë edhe në ditët e sotme, duke ushtruar një impakt a presion të caktuar tek qeveritë apo politikanët tanë, për mosndërtimin e Rrugës së Arbërit. Kjo nuk është një tendencë për të krijuar skema a labirinte konspiracioni, por për mendimin tim një arsye në mos objektive, të paktën një pretekst në sytë e atyre që për gati dy dekada e lanë rrugëve “Rrugën e Arbërit”.

Përsa i përket mungesës së vullnetit politik, sot nuk jam në gjendje dhe as nuk dua që të hamendësoj, nëse edhe ky mandat politik që shqiptarët dhe  dibranët u kanë besuar përfaqësuesve të tyre dhe kësaj qeverie, është mandati ku do ti jepet fund zvarritjes për premtimin e rrugës së arbërit, apo do të jetë thjeshtë një 4-vjecar apo 44-mujor si gjithë ata që kanë kaluar. Në fund mbetet të shpresojmë që këtyre politkanëve tu jetë “nxirë” sadopak faqja e mësuar me rrena e premtime boshe, edhe pse pak besim kam në këtë aspekt.