Tempraturat e larta që kanë përfshirë vendin prej disa ditësh, kanë sjellë problemin e djegies së pyjeve.
Emergjencat civile bëjnë të ditur se vetëm në 24 orët e fundit janë shfaqur disa vatra zjarri në qarkun e Dibrës, duke u futur në zonat më problematike së bashku me Fierin dhe Beratin.
Në vendin e quajtur Lura nr.2 në fshatin Pregj Lurë, Njësia Administrative Lurë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll ahu dhe pishe.
Për shkak të terrenit të thyer, automjetet e zjarrfikësve nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shuarjen e këtij zjarrit. Si pasojë e flakëve është djegur një sipërfaqe pylli prej rreth 0.5 ha.
Forcat vullnetare ende vazhdojnë punën për shuarjen e zjarrit, por era e fortë vazhdon të favorizojë përhapjen e flakëve.
Zjarr ka pasur edhe në fshatin Vajkal të bashkisë së Bulqizës. Si pasojë e flakëve është dëmtuar një banesë e braktisur si dhe është djegur një sipërfaqe prej rreth 1.5 dynym me shkurre dhe ferra. Pas ndërhrjes së zjarrfikësve është bërë edhe shuarja e flakëve.
/bulqizaime.al/