Kujdes! Fotografoni votën ose merrni para, rrezikoni 5 vjet burg!

364

Fotografimi i votës ose pranimi i parave për të votuar për një forcë të caktuar, mund t’iu dërgojë pas hekurave për plot pesë vjet.

Ndryshimet që iu bënë Kodit Penal në datën 22 maj, në vijim të marrëveshjes Rama-Basha, kanë ashpërsuar drastikisht masat për të gjithë ata që përfshihen në veprimtari të manipulimit të zgjedhjeve.

Konkretisht, neni 327, “shkelja e fshehtësisë së votimit”, parashikon se të gjithë ata që fotografojnë votën për te dokumentuar preferencen e tyre dënohen me burgim nga gjashtë muaj minimumi, deri në 3 vjet.

Neni pasardhës i Kodit Penal, neni 328/b, për korrupsionin pasiv në zgjedhje, parashikon që “pranimi nga zgjedhesi i te hollave, te mirave materiale, ose favorizimeve te tjera ne cilendo forme ne kundershtim me ligjin, per vete ose te tjeret, me qellim per te dhene firmen per paraqitjen e nje kandidati ne zgjedhje, per te votuar ne nje menyre te caktuar, per te marre pjese ose jo ne votime, ose per t’u angazhuar ne veprimtari te paligjshme ne mbeshtetjen e nje kandidati ose partie politike, perben veper penale dhe denohet me burgim nga nje deri ne pese vjet.”

Kodi Penal nuk bën dallim midis shumës. Si të pranosh dy mijë lekë të vjetra, si të pranosh 200 apo 2 mijë euro, për ligjin është njësoj dhe dënimi mund të shkojë deri në 5 vjet burg.

Ndërkohë, Kodi Penal, neni 328/a, parashikon një penalitet edhe më të rëndë për të gjithë ata që punojnë aktivisht për blerjen e votës. Sipas ndryshimeve në Kod, blerja e votës të çon në burg për 3-7 vjet.

Në këto kushte, të gjithë ata që kanë marrë premtime financiare ose u është kërkuar të fotografojnë votën, bëjnë mirë të tërhiqen, pasi diçka e tillë mund t’u kushtojë shumë shtrenjtë.

Arrestimi i pesë personave që po shpërndanin para për të blerë vota mëngjesin e së shtunës, është një tregues se këtë herë, autoritetet serioze e kanë marrë seriozisht dhe se kanë vullnetin për të zbatuar deri në fund këtë ligj.