Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (Zyra e Gruas) në bashkëpunim me Medresenë e Tiranës realizuan me sukses fushatën e shpërndarjes së pakove për mbi 300 familje në nevojë.
Kjo fushatë u realizua në kuadër të Natës së Kadrit dhe afrimit të Fiter Bajramit. Të gjitha pakot që u shpërndanë ishin kontribut i besimtarëve të shumtë që u treguan të gatshëm për të krijuar një atmosferë të gëzueshme edhe për njerëzit në nevojë.
Në deklaratën për median nënkryetari i KMSH-së, z. Gazmend Aga falënderoi besimtarët që iu përgjigjën thirrjes për të ndihmuar.
“Falënderimet më të sinqerta për të gjithë besimtarët që ju përgjigjën thirrjes sonë për të ndihmuar familjet në nevojë. Allahu i gëzoftë në këtë botë dhe tjetrën. Kjo është mënyra më e bukur për të gëzuar njerëzit, për të qenë pranë tyre e për të qenë i dobishëm. Në fenë tonë, besimtari më i mirë është ai që është më i dobishëm për njerëzit. Nata e Kadrit, është më e vlefshme se një jetë dhe shpresojmë se dhe kjo vepër sublime e bërë në këtë natë të madhe të vlejë sa të mirat e gjithë jetës sonë. Bajram i vërtetë është ai që gëzohemi ndërkohë që gëzojmë edhe të tjerët. Ky shembull i besimtarëve qoftë një mesazh për të gjithë shoqërinë”, tha ndër të tjera nënkryetari Aga.
Nënkryetari Aga shprehu vlerësimet më të sinqerta edhe për Zyrën e Gruas e cila me gjithë stafin e saj është gjithmonë pranë familjeve në nevojë dhe Medresenë e Tiranës e cila ka traditë shekullore të arsimit, edukimit dhe mbështetjes.
Përgjegjësja e Zyrës së Gruas në KMSH u shpreh se fushatat në ndihmë të familjeve në nevojë janë të vazhdueshme dhe fushata të tilla janë një buzëqeshje në fytyrën e njerëzve në nevojë.
Ndërsa drejtori i Medresesë së Tiranës tha se përtej vlerës ushqimore që mbajnë këto pako ndihmash, ajo që ka rëndësi është ndjenja e përkrahjes, e vëllazërimit, e të festimit dhe të gëzuarit së bashku.
Në ditët në vijim KMSH në bashkëpunim me emisionin Stop në Tv Klan do të shpërndajnë edhe pako të tjera për familjet në nevojë dhe gratë e dhunuara.