Në takimin me banorët e Peshkopisë, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se, në 4 vitet e ardhshme do të bëjë 4-fishin e atyre që janë bërë në këto 4 vjet dhe kjo, sipas tij, do të jetë meritë e votës së tyre.
“Të tjerët nuk kanë as vizion, as program, as skuadër, as lider. Të tjerët kanë vetëm një mundësi: të na kthejnë mbrapa. Ndërkohë që në këto 44 muaj, ne kemi bërë gjithçka kemi mundur por jo gjithçka duhej, sepse nuk mund të zhbëhej ajo që është bërë në çerek shekulli”, ka thënë Rama.
Ama, ka vijuar ai, Partia Socialiste ka dhënë provën se është e vetmja parti që mund të bëjë shtet.
“Kemi dhënë provën se e kemi bërë Shqipërinë një vend të denjë, që mund ta çojë flamurin e Ismail Qemalit në oborrin e familjes europiane. Kemi ndërmarrë reforma që kanë vendosur themelet e shtetit modern dhe vota e 25 qershorit do të vendosë nëse ne do të vazhdojmë ta ndërtojmë këtë shtëpi”, ka thënë Rama.
Të tjera pika ku Rama është ndalur ka qenë reformimi i administratës dhe investimet për bujqësinë.
“Ne kemi mundësitë që të hapim portat e një administrate që t’iu shërbejë njerëzve e jo partive. Ne do të financojmë 238 milionë dollarë për bujqësinë dhe fshatin, ndërsa me 100 milionë të tjera do të fokusohemi për rrugët që lidhin fshatin me tregun”, ka premtuar Rama.