Intervistë/ Dibrani i apasionuar pas sporteve ekstreme (FOTO + VIDEO)

713
Në foto: Ergys Vladi

*Nga Xhuliana Jakimi

Çmenduria e shpirtit rinor, i dashuruar me biçiletën, natyrën dhe aventurën nuk njeh kufi. Ky është Ergys Vladi, 23 vjeçari që ka eksploruar cep më cep Shqipërinë me një biçikletë, një çantë shpine dhe atlete të forta.

“Jam i apasionuar pas sportit ekstrem dhe videove të veçanta në skajet më të rrezikshme”, kështu shprehet Gysi, teksa jep dhe një mesazh për të gjithë të rinjtë.

“Të rinjve ju duhet kurajo dhe ndërgjegjesim për të bërë më shumë aktivite në natyrë. Për të kontribuar për natyrën, por dhe zbuluar mrekullitë që ajo na ofron”. Më mirë një shëtitje në natyrë se kafe në një karrige”, shprehet “Gys Aventurieri”.

Jo vetëm shëtitje, por dhe kujdes për natyrën, këtë ka treguar i riu, i cili rrëfen se shpeshherë ka ndërmarrë nisma për mbjellje pemësh apo pastrimin e bregdeteve shqiptare.

Ai njihet dhe si “shpirti i grupit”, pasi çdo fundjavë organizohet me miqtë dhe bëjnë “hiking biketour” në vende të ndryshme të Shqipërisë.

Në foto: Ergys Vladi dhe disa turist

XHULIANA JAKIMI- Intervista e plotë me aventurierin Ergys Vladi

Kur dhe si nisi “aventura” juaj?

“Kam qenë 18 vjeç kur nga jashtë më sollën një biçikletë super të shpejtë dhe thashë do ta përdor për të ikur në punë, vetëm kaq. Pedaloja vetëm për një orë në ditë.

Pastaj fillova avash-avash, çdo ditë shkoja në vende të ndryshme, pedaloja me shumë, derisa i vendosa vetes disa objektiva që për një periudhë të caktuar kohore do vizitoja një numër të caktuar vendesh.

Shumë shpejt dhe shumë çuditshëm u gjenda në të gjitha cepat e Shqipërisë.

Dashuria jote është më e madhe për natyrën apo biçikletën?

Dashuria për natyrën dhe pasioni për biçikletën janë dy gjëra të ndara. Jam vullnetar tek “Ecovolis” dhe ndihem shumë mirë kur në udhëtimet që ne organziojmë lëmë gjurmët tona. Sepse bëjmë aksione pastrimi, mbjellje fidanësh dhe gjëra të bukura për natyrën. Biçiketa është sport, është pasion, është diçka që nuk jetoj dot pa të.

Cili ka qenë rrugëtimi juaj më i gjatë me biçikletë?

Kam udhëtuar për 14 orë Tiranë-Sarandë, vetëm me biçikletë bashkë me dy miq të mitë. Po ashtu kam udhëtuar për në Lurë, Theth, Valbonë, Shkodër.

Ne bëjmë miq gjatë rrugëtimeve. Unë kam faqen time të Instagram, “ExploringwithGysi”.  Shumë persona që duan aventurat, më kontaktojnë dhe organizohemi.

Cila është çmenduria jote më e madhe?

Nëse vlen për t’u përmendur, ka qenë kur kam mbajtur shoqen lart në liqenin e Bovillës, pa litar, me një lartësi prej 1.267 metrash dhe nëse e lëshoja, ose me rrëshkiste këmba, na priste veç vdekja.

Po ashtu dhe në Lurë jam larë në liqen të ngrirë me temperatura me minus. Si dhe kam ngjitur malin e Dajtit në dëborë, kur “Lali Eri” kishte dhënë urdhër mos lëvizte askush.

Me pamjet që shohim, realisht jemi të frikësuar, si e merr përsipër të rrezikosh jetën tënde dhe të vajzës, dhe a ishte ajo koshiente për çfarë po bënte?

Vajza është shoqja ime. Ne jemi të pandashëm. Ne shijojmë momentin dhe adrenalina i kalon të gjitha. Ne jemi të çmendur, po vdiqëm do vdesim bashkë. Ndërsa amaneti ynë është që dikush të ngjisë Everestin me një letër në dorë me emrin tonë. (qesh). Megjithatë unë nuk u’a këshilloj të tjerëve t’a provojnë, ruani kokën!  

Më trego pak për ngjitjen në malin e Dajtit, në mes të acarit e borës, dhe “sfidën” ndaj “Lali Erit”?

Ka qenë janar. Në mëngjes vendosëm që me djemtë të ngjiteshim lart. Unë jam nga Lura dhe jam mësuar me dëborën dhe malet, por djemtë ishin të mahnitur nga bora dhe pamja që ofronte Dajti dhe menduam të sfidonim Lali Erin. Lali Eri, bazuar në të dhënat e tij paralajmëroi se do kishte rrëshkitje prandaj nuk duhet të lëviznim as në kryeqytete e jo më të shkonim në Dajt.

Por unë bashkë me dy miqtë e mi arritëm majën dhe u zhveshëm. Aq ftohtë ishte saqë, vetëm për 20 sekonta pas zhveshjes na ngrinë trikot e xhupat, e pastaj u shkrinë kur i veshëm. Videoja jonë u bë virale në media, e shumë miq na telefonuan duke na quajtur të çmendur.

Çfarë bëni aktualisht dhe si i organizoni aktivitetet tuaja?

Aktualisht jam kordinator një kompani italiane lidhur me turizmin. Ne me Ecovolis çdo fundjavë bëjmë udhëtime në vende të ndryshme. Këshu që për t’u bashkuar me ne thjesht mund të shkruani në faqen time  #exploringwithGysi. Jeni të ftuar të gjithë të merrni pjesë për të shkuar drejt natyrës.

Keni një mesazh për të rinjtë?

Mesazh për të rinjtë, që të angazhohen më shumë në udhëtime në natyrë, çfarëdo qofshin ato. Thjesht dilni në këmbë, me biçikletë, udhëtoni… udhëtoni dhe jeta juaj do jetë më e bukur.

FOTOGALERI