Dibra qe një nga zonat që në vitin 2013 bëri ndryshim, duke i hequr një mandat Partisë Demokratike dhe duke ia dhënë këtë mandat Lëvizjes Socialiste për Integrim. Situata është paksa më e komplikuar në Dibër me ngritjen në këtë qark të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet si dhe me rezultatin e thellë të socialistëve në zgjedhjet për pushtetin vendor më 2015 e 2016.
Qarku i Dibrës ka gjashtë deputetë për të dërguar në Kuvendin e Shqipërisë dhe në vitin 2009 i dha një fitore neto Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj me katër mandate, duke lënë socialistët me vetëm 2 mandate. Por në vitin 2013, Partia Demokratike ra ndjeshëm ndërsa PS e LSI u ngritën ndjeshëm duke sjellë një ndryshim domethënës në rezultat. PD humbi një deputet, të cilin e fitoi LSI.
Sa i përket numrit të votave, më 2013, PD humbi 4 mijë vota në krahasim me vitin 2009 ndërsa PS dhe LSI së bashku fituan 10 mijë vota më shumë, gjë që i dha edhe mandatin shtesë. Rezultati final në numër deputetësh ndryshoi nga 4 me 2 për PD në vitin 2009, në 3 me 3, ku një nga mandatet e së majtës u mor nga LSI.
Në zgjedhjet e 25 qershorit, në garë për mandate në Dibër, përveç PD, PS e LSI, pretendent duket se është edhe PDIU, e cila e ka shtuar ndjeshëm aktivitetin në këtë zonë që nga zgjedhjet e parakohëshme për kryebashkiak në shtator 2016. Kandidatja e PDIU për Dibrën, Reme Lala, [Link CV], një studente e Universitetit të New York-ut në Tiranë, hyri në lajme gjatë ditëve të fundit, pasi kreu i Partisë Demokratike kërkoi në Dibër që banorët e këtij qarku të mos votojnë për PDIU. ” Asnjë votë. PDIU-së që ka hyrë më kokë në qypin e turshive, ta dinë ata që iu besojnë, më mirë hidhini në Drin të Zi votat se me ua dhënë këtyre”, deklaroi Basha.
Partia Socialiste ka dërguar në këtë qark ish-ministrin e vet të Shëndetësisë Ilir Beqaj ndërsa në vend të tretë gjendet Halit Palamani, [Link CV] deri së fundmi, prefekt i Qarkut Dibër. Përballë tyre Partia Demokratike ka renditur në vend të parë deputeten aktuale Dhurata Çupi, ish-gjeneralin Xhemal Gjunkshi, [Link CV] dhe Edmond Isakun [Link CV], i cili prezantohet në CV-në e vet si administrator i kualifikuar në ekonomi pa sqarime të tjera.
Për LSI garon deputeti aktual Përparim Spahiu, i cili më herët ka pasur një karrierë në sektorin bankar. [Link CV]
Pushteti vendor në qark ndahet në katër bashki, të cilat kontrollohen nga PD, PS dhe LSI. Dibra, e cila ka gati gjysmën e votuesve të qarkut, kontrollohet nga Partia Socialiste. Bulqiza, me 29 mijë votues, kontrollohet nga LSI. Mati kontrollohet nga Partia Demokratike, dhe po kështu bashkia e Klosit, e cila ka 15,600 votues të regjistruar.
Të dy partitë kryesore, PD dhe PS, kanë premtuar në mënyrë të përsëritur për banorët e këtij qarku ndërtimin e Rrugës së Arbrit, një projekt që synon të lidhë Tiranën me Klosin përmes një tuneli nën Qafën e Murrizit duke shkurtuar rrugën ekzistuese me mbi 100 kilometra. Por përpjekjet për ndërtimin e kësaj rruge, e cila vlerësohet se mund të kushtojë mbi 200 milionë euro, kanë mbetur në vendnumëro.
Në vitin 2013, mandati i fundit i deputetit u fitua nga LSI me 10 mijë vota. Por tani që partitë garojnë më vete, mandatet e partive të vogla mund të kërkojnë më shumë vota se sa kaq.
Gjergj EREBARA /BIRN/