Basha për LSI-në: Është kthyer në SH. P. K

354

Kryedemokrati Lulzim Basha ka sulmuar ashpër Ilir Metën gjatë fushatës elektorale të PD në Krujë, duke thënë se LSI-ja më 25 qershor do të dalë në opozitë.

Ish-partinë e Metës, Basha e cilësoi një sh.p.k që do të falimentojë pas 25 qershorit.

Kreu i demokratëve i kërkoi Metës që të ruajë etikën si President që pritet të marrë detyrën pas disa javësh.

Basha e krahasoi Ilir Metën me “Tregtarin e Venedikut” të Shekspirit dhe tha se është zgjedhur President nga një pazar politik mes tij dhe Edi Ramës.

“Kemi edhe një tjetër në këtë mesele, shoku Ilir. Opozita është e bashkuar falë jush. Ata janë të përçarë, i përçau pazarin. Program të vetëm kanë kolltukun dhe timonin, garë me makinë me njëri-tjetrin. Një javë program kanë kolltukun dhe timonin. Pazari i fundit i republikës së vjetër ishte zgjedhja e presidentit, u ulën të dy ja futën me shishe vere të shtrenjtë, dhe ky është pazari i republikës së vjetër. As nuk u pyet njeri.

Dy njerëz me verë e me peshk zgjodhën presidentin e republikës së vjetër. Tani meqë është futur te Shekspiri, po ju them se Shekspiri ka dhe një vepër, “Tregtari i Venedikut”. Tregtarit të Venedikut që u zgjodh president dua ti them ta marrë me shumë qetësi dhe dashuri faktin që SH.P.K e tij do të shkojë drejt falimentit total më 25 qershor.

Sistemi i skllavërimit politik merr fund më 25 qershor. Mos e shkel etikën se je president i zgjedhur, lere Petritin ta marrë faturën e falimentimit të SH.P.K-së”, tha Lulzim Basha.

Ditën e djeshme në fushatën e LSI në Kamëz, Ilir Meta deklaroi se mëngjesin e 26 qershorit Edi Rama dhe Lulzim Basha do të telefonojnë Petrit Vasilin për t’i kërkuar koalicion.