Të gjithë personat që kanë pronë në Shqipëri, brenda vitit 2019 nuk do të mundet ti shmangen dot pagesës së taksës mbi pasurinë. Për këtë do të krijohet një regjistër kadastral ku do të shënohet çdo pagesë, teksa në faturën e OSHEE do të shënohet dhe tarifa për çdo m2 banesë, apo sipërfaqe toke që është në pronësi.
Bashkimi Evropian ka ripërsëritur detyrimin në udhërrëfyesin politik ku sanksionohet krijimi i një kadastre elektronike gjithëpërfshirëse dhe funksionale. Vërejtja është bërë dhe për shkak të nivelit të ulës së vjeljes së kësaj takse në Shqipëri e cila zë 1 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në krahasim me 6 përqind që është mesatarja e rajonit.
Aktualisht, taksa mbi pasurinë e paluajtshme përfshin taksën mbi ndërtesat dhe taksën mbi tokën bujqësore. Përsa u përket ndërtesave tarifa është e ndarë në tre zona. Për godinat e para vitit 1993 pronarët paguajnë 15 lekë/m2 për Tiranën dhe Durrësin, 10 lekë/m2 për Bashkitë e tjera të mëdha dhe 5 lekë /m2 për të tjerët. Për objektet e ndërtuara pas vitit 1993 paguhet 30 lekë /m2, 12 lekë/m2 dhe 6 lekë/m2 sipas kategorizimit të Bashkive.
Pronarët e ndërtesave për tregti dhe shërbime në Tiranë dhe Durrës paguajnë 400 lekë/m2, në bashkitë e tjera të mëdha në vend 300 lekë /m2 dhe për bashkitë më të vogla 200 lekë /m2. Përsa u përket objekteve të marra në përdorim, apo në territore të miratuara si fshatra turistikë, të gjithë pronarët në çdo zonë ku ndodhen paguajnë taksën 400 lekë/m2.
Përsa u përket tokave bujqësore, taksat variojnë nga 5600 lekë/hektar në vit në kategorinë e parë dhe vijojnë sipas klasifikimit në duke zbritur deri në 700 lekë lekë/hektar në vit. Tashmë në zbatim të kërkesës së Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar ka nisur zbatimi i projektit pilot për mbledhjen e të dhënave në katër qarqe Tiranë, Durrës, Korçë dhe Fier. Një tjetër objektiv do të jetë dhe regjistrimi i vlerave të shitblerjes, në të cilin do të përllogaritet dhe tatimi mbi fitimin.
Për Ministrinë e Financave, një humbje e madhe për buxhetin e shtetit konsiderohen rastet kur një qytetar ka në pronësi më shumë sesa një banesë, dyqan apo pronë tjetër dhe nuk paguan taksa për to. Përmes taksës së pronës parashikohet të mblidhen 75 mln euro të ardhura.