Zgjedhjet/ KMSH: E drejta e votës është një e drejtë kushtetuese dhe detyrim qytetar

314

Deklaratë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e ka mirëpritur konsensusin politik të arritur përmes dialogut me qëllim nxjerrjen e vendit nga kriza dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, të cilat do të luanin një rol shumë të rëndësishëm si për zhvillimin dhe mirëqenien e vendit, ashtu edhe për proceset integruese që do të na afrojnë edhe më shumë me vendet e zhvilluara.

Ne, së bashku me bashkësitë e tjeta fetare në vend i kemi bërë apel klasës politike për ndërtimin e urave dhe jo të mureve, duke kërkuar një dialog të sinqertë që përfshin sa më shumë aktorë dhe faktorë.

Zgjedhjet në ditën e Bajramit nuk do të kishte qenë një opsion i preferuar nga Komuniteti Mysliman, por duke patur parasysh situatën dhe kushtet në të cilat u mor ky vendim, duke përfshirë shumë aktorë dhe faktorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë na vë në pozicionin dhe para përgjegjësisë që festën e bekuar të Bajramit ta bëjmë bashkë me këtë hap vendimtar për të ruajtur stabilitetin e vendit.

E drejta e votës është një e drejtë kushtetuese dhe detyrim qytetar, ku secili është i lirë në ushtrimin e kësaj të drejte. Po ashtu Bajrami është një festë për çdo besimtar musliman në mbarë Botën, përfshi dhe besimtarët në vendin tonë, ditë në të cilën festojnë besimtarët në lirinë e tyre kushtetuese dhe njerëzore.

Duke patur parasysh parasysh që fushata elektorale këtë vit përkon me muajin e bekuar të Ramazanit, ku besimtarët myslimanë agjërojnë dhe garojnë në kryerjen e veprave të mira, stafi ynë nga qendra në bazë, duke përfshirë myftijtë dhe imamët do të qëndrojnë larg ligjërimit politik apo shprehjes publike të preferencave të tyre politike.

Ftojmë të gjithë faktorët politikë në Shqipëri që të tregojnë qytetari dhe maturi përgjatë fushatës dhe të bëjnë të mundur garantimin e një procesi parazgjedhor dhe zgjedhor transparent dhe gjithëpërfshirës. Në mënyrë të veçantë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të mos bien pre e tundimit të shitblerjes së votës apo të votimit nën kërcënime të natyrave të ndryshme. U bëjmë thirrje gjithashtu të gjitha institucioneve që kanë përgjegjësi për zgjedhjet, që t’i luftojnë të gjitha dukuritë që cënojnë një proces brënda ligjeve dhe kodeve të ushtrimit të votes, duke parandaluar çdo lloj kërcënimi apo imponimi për të drejtën kushtetuese.

Detyra jonë e përbashkët është që të vazhdojmë të lutemi për të ardhmen dhe mirëqenien, si besimtarë dhe qytetarë.

Tiranë, 20 maj 2017

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë