RTSH hap radio për muzikë klasike

372

Nëse jeni duke ecur me makinë apo duke dëgjuar radio në shtëpi apo zyrë, mos humbni më kohë: kërkoni urgjent frekuencën 101.2 Mhz në bandën FM. Bota radiofonike shqiptare ka që nga data 18 maj një frekuencë të re. Jo vetëm muzikë komerciale, tallava, lajme, parlament dhe lexim Bible apo Kurani. Këto i kemi dhe na kanë ardhur jo rrallë në majë të hundës.

Radio Televizioni Shqiptar ka marrë nismën dinjitoze dhe emancipuese, për t’i ofruar dëgjuesve shqiptarë të radios një frekuencë vetëm me muzikë klasike. Një iniciativë e guximshme për të dalë kundër rrymës, në një ambjent ku muzika klasike vijon të shihet tradicionalisht si një mall tekanjoz, për njerëz të rrallë dhe të “fiksuar”. Një arkiv unik në vendin tonë, si ai i RTSH, ka një mundësi përzgjedhjeje tejet të gjerë e të diversifikuar sa i përket muzikës klasike.

Në orët e para të transmetimit, radioja klasike (një emër ende i improvizuar, pasi nuk egziston akoma një i tillë mesa dimë), ka transmetuar me cilësi të lartë dëgjimi Bahun, Verdin, Shubertin, Mozartin e Bethovenin. Burime nga RTSH thonë se tashmë radioja klasike dëgjohet mjaft qartë në zonën Tiranë-Durrës dhe ka plane për t’u shtrirë së shpejti në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë. Ky është një lajm, e jo një reklamë e rëndomtë. Por edhe sikur të ishte e tillë, kujt i hyn në punë?! Nisma e mësipërme e RTSH e meriton plotësisht në rastin konkret.