Pritej zgjidhje…kriza politike në Shqipëri merr tjetër kthesë

452

Për të tretën herë brenda ditës së sotme, kryeopozitari Lulzim Basha mblodhi aleatët e djathtë, edhe pse takimi i mbrëmjes në selinë blu nuk i arriti 20 minutat.

Dita e sotme u cilësua si vendimtare për të ardhmen e situatës politike në Shqipëri, me opozitën që ka bojkotuar zgjedhjet parlamentare, pas ‘ultimatumit’ 24 orësh që vuri gjatë vizitës së tij në Tiranë zyrtari i DASH Brian Hoyt Yee. Nga tryeza e mbajtur pa praninë e mediave nuk ka dalë asgjë zyrtare, por ajo që flitet deri më tani, është se “drita jeshile” nuk është arritur ende mes mazhorancës dhe opozitës. Kjo, pasi mediat raportojnë me burime nga Partia Demokratike, duke cituar fjalët e Bashës brenda mbledhjes: “Rama është tërhequr nga paketa “McAllister”, dhe nuk tërhiqet për 18 qershorin si datë të zgjedhjeve parlamentare”. Po ashtu, mësohet se kreu i Partisë Demokratike të ketë deklaruar vijimin e protestës së opozitës në cadrën e ngritur para kryeministrisë, që po shkon drejt ditës së saj të 90.

Ndërkohë, Lapsi.al shkruan se kreu i opozitës Basha pas takimit të dytë me aleatët ia ka dorëzuar përgjigjen e tij Ramës që në orën 12.00 duke i lënë afat deri në orën 16.00 të kthente një përgjigje. Por kreu i qeverisë është përgjigjur rreth orës 19.00 duke e refuzuar paketën McAllister.  Madje – Lapsi shkruan se – Rama ka bërë një hap pas edhe në gjëra që ai i ka pranuar më herët siç ishte zgjedhja e një zv.kryeministri të propozuar nga opozita. Rama ka hedhur poshtë çdo mundësi të shtyrjes së datës së zgjedhjeve duke mbështetur vetëm 18 qershorin. Rama ka ofruar vetëm 2 ministra pa portofol në qeveri. Tashmë pritet reagimi SHBA nëpërmjet ambasadorit Donald Lu.

Pas vizitës së zv.ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit Hoyt Brian Yee e gjithë dita ishte e mbushur me negociata mes palëve mbi bazën e paketës “McAllister” me disa ndryshime, marrjen nga opozita të disa posteve në qeveri, identifikimin elektronik të votuesve dhe ndryshimin e datës së zgjedhjeve.

E vetmja pikë ku negociatat ishin lënë pezull ishte shtyrja e datës së zgjedhjeve. Kryeministri Rama duket se nuk ka rënë dakord për shtyrjen e zgjedhjeve përtej korrikut duke vënë si afat maksimal datën 23. Për opozitën  është e pamjaftueshme koha për të realizuar kërkesat e saj dhe për garantuar standardet e kërkuara.

/Gazeta Express/