Çfarë është paketa “McAllister” që u refuzua nga Rama

337

Propozimi i eurodeputetit gjerman David Mc Allister për zgjidhjen e krizës u rikthye në tavolinën e bisedimeve si drafti më i mirë nga zëvendës – ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Bryan Yee. Tani ajo është quajtur si “Paketa McAllister +”, pasi ka pësuar disa ndryshime.

Paketa e McAllister përmbante 5 pika.
1.    Shtyrje të procesit zgjedhor mundësisht për në 16 korrik
2.    Zëvendësim të katër ministrave të qeverisë Rama me persona teknikë të propozuar nga kryeministri dhe të pranuar nga opozita
3.    Zgjidhjen me konsensus të Presidentit të Republikës dhe të Avokatit të Popullit
4.    Kreu i KQZ të ishte i opozitës, me kushtin që shumica t’i lihej mazhorancës
5.    Tryezë e rrumbullakët të OSBE për pjesëmarrjen e OJQ –ve në monitorimin e procesit.
Kur McAllister e propozoi, Rama la të hapur mundësinë e negocimit mbi të, ndërsa Basha kërkoi që të përfshihej edhe largimi i kryeministrit.

Pas dështimit të negociatave Rama refuzoi disa prej propozimeve dhe paraqiti një ofertë tjetër.
1.    Nga një zëvendëskryeministër, i cili të propozohet nga Partia Demokratike, por të vijë jo nga radhët e Partisë Demokratike. Ai, së bashku me 3 përfaqësues, përkatësisht të Shteteve të Bashkuara, të Bashkimit Europian dhe të OSBE-së, të drejtojë një Task-forcë për të siguruar që shteti dhe asetet shtetërore nuk keqpërdoren për fushatë elektorale.
2.    Tre zëvendësministra të propozuar nga Partia Demokratike, por jo nga radhët e Partisë, të cilët të vendosen në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Ministrinë e Arsimit. Edhe këta të 3 po ashtu të jenë të shoqëruar nga 3 përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në rolin e monitoruesve, për të adresuar në kohë reale çdo problematikë që mund të lindë në proces, çdo ankesë, çdo pretendim, çdo akuzë lidhur me rolin e policisë, qoftë dhe të një punonjësi të vetëm policie në fshatin më të largët të Shqipërisë.
3.    Një ministër politik, i zgjedhur nga Partia Demokratike, kuptohet me njohje për teknologjinë e lartë, të bëhet pjesë e qeverisë me një ekip, me një buxhet, për të përgatitur një projekt të besueshëm dhe për të paraqitur konkretisht projektin për t’i realizuar këto avancime teknologjike, që, nëse certifikohen si të besueshme, atëherë t’i zbatojmë në zgjedhjet e ardhshme vendore.
4.    Data e zgjedhjeve është 18 qershori.
Paketa “McAllister plus” që Basha ra dakord.
1.    Votimi i Vetingut
2.    Marrja e një zv.kryeministri dhe disa posteve në qeveri me miratimin e opozitës.
3.    Data e zgjedhjeve të jetë 3 ose 10 shtatori.
4.    Identifikim biometrik të zgjedhësve.
5.    Kreu i KQZ-së i takon opozitës, por shumicën ta ketë mazhoranca.

6.    Avokati i Popullit i takon opozites.