Në një deklaratë për mediat, Ministria e Punëve të Brendshme, sikundër nuk ka ndodhur më parë, ka falënderuar të gjithë qytetarët, partnerët, dhe efektivët e policisë për mbarëvajtjen e protestës që opozita zhvilloi këtë të shtunë, që duhet theksuar, nuk shënoi asnjë incident.
Ministria e Brendshme e drejtuar prej pak muajsh nga Fatmir Xhafaj, e nis falënderimit për qytetarët që nuk ishin në protestë, por që ju desh të përballeshin me trafikun e bllokuar për shkak të masave të marra për sigurinë e tubimit të PD-së. Xhafaj veçon mbështetjen që i dhanë forcave të policisë, pavarësisht vështirësive që mund të kenë hasur gjatë bllokimit të disa akseve rrugore.
“Një falënderim i veçantë u drejtohet të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit të angazhuar ditën e sotme, të cilët me shumë sakrificë edhe me orë të tejzgjatura gadishmërie e shërbimi, realizuan me përgjegjësi, përkushtim dhe profesionalizëm detyrat e tyre në respekt të Kushtetutës dhe ligjit”, thuhet në falënderimin e dytë nga ministri.
Po ashtu, Xhafaj vlerëson edhe mbështetjen nga PAMECA V, ICITAP etj. në hartimin e realizimin e masave policore për menaxhimin e tubimit. Por njëjtë falënderues shprehet edhe ndaj mbështetjes së SHBA, BE dhe prezencës së OSBE në Tiran ë për menaxhimin e këtij procesi.
Në akset rrugore lëvizën rreth 60 autobusë, 80 furgonë dhe rreth 700 autoveturave të ardhura për tubimin e organizuar nga PD dhe partitë e saj aleate nga të 12 qarqet e Shqipërisë, përfshirë këtu edhe nga njësitë administrative të Tiranës.