Piratët kompjuterikë, sulme kibernetike në të gjithë botën

402
Computer hacker silhouette. Green binary code background

Një sulm masiv kibernetik preku shumë organizata në të gjithë botën, me qindra mijëra kompjutera të bllokuar.

Sipas medieve, bëhet fjalë për një sulm përmes një programi që quhet “Ransomware” dhe që kërkon një pagesë prej 300 dollarësh në “Bitcoins” për t’i kthyer pajisjet në gjendjen fillestare.

Raporte për sulmin vijnë nga më shumë se 70 vende, përfshirë Britaninë e Madhe, SHBA, Kinën, Rusinë, Spanjën, Italinë dhe Tajvanin.

Shumë ekspertë sigurie thonë se, të gjitha këto incidente janë të lidhura bashkë dhe janë pasojë e një sulmi kolosal kibernetik.

Duket se problemet më të mëdha nga sulmi janë shkaktuar në Angli, ku virusi ka prekur rëndë Shërbimin Shëndetësor Kombëtar, duke bkllokuar mijëra kompjutera në shumë zona të vendit. Shumë spitale dhe klinika në Angli lajmëruan njerëzit që të paraqiten pranë urgjencave vetëm për raste serioze, pasi shumë shërbime janë ndërprerë.

Një numër i madh infektimesh nga virusi kompjuterik janë regjistruar edhe në Rusi. Në Spanjë, mes viktimave duket se është edhe kolosi i telekomit “Telefonica”. Ekspertët nga kompanitë e sigurisë kibernetike, si “Kaspersky”, thonë se numri i infektimeve është gjithnjë e në rritje dhe se sulmit kolosal nuk i është parë ende fundi.