Rama: Për 18 qershor do të jetë dita e Vettingut

301

Me porosi për kandidatët për deputetë, premtime për 4 vitet e ardhshme, batuta, por edhe ironi për çadrën e PD apo mungesën e opozitës në zgjedhjet e radhës. Për më shumë se 75 minuta fjalim, teksa bëri një përmbledhje të 44 muajve qeverisje, Edi Rama çeli zyrtarisht nga Durrësi fushatën elektorale për 18 qershorin, ku prezantoi edhe programin qeverisës për 4 vitet në vijim.

Edhe pse i vlerësoi zgjedhjet e ardhshme si sfidën më të vështirë për PS, kryetari i saj shprehu keqardhje për mungesën e demokratëve.

“Tani heshtje, është e pabesueshme por e vërtetë, partia që lindi 27 vjet më parë, PD ka ikur në drejtim të paditur. Ka vendosur të dalë nga zgjedhjet e udhëhequr nga frika, frikë e madhe më e madhe sesa një kope lepujsh në bark nga drejtësia. Mbyllur në një bunker plastmasi që ka shpallur luftë me kufijtë e erës tërë dynjasë, jo mua apo neve, por Shqipërisë, Gjermanisë, BE, Amerikës, s’duan zgjedhje sepse s’duan vettingut, s’duan drejtësinë, sepse nuk flenë më gjumë qysh se u detyruan ta votojnë reformën në drejtësi në korrik me iluzionin që do mbeste një tjetër letër që do e merrte lumi. Pa votuar vettingun si dalin dot para asnjë shqiptari për ti kërkuar votën. Ndaj duan të hedhin në erë zgjedhjet, për të hedhur në erë vettingun drejtësinë edhe me çmimin që të hedhin në erë Shqipërinë siç bënë 20 vjet më parë. Më vjen keq dhe jam i sinqertë, më vjen keq që erdhi puna deri këtu. Bëra çmos që kështu të mos ndodhtë…”, u shpreh Kryeministri.

Rama tha se këto zgjedhje do të donte ta kishte përballë PD, e cila sipas tij ka zgjedhur vetë politikën e inatit.

“Churchill thotë: problem me vetëvrasjen politike nuk vdes por jeton gjithë jetën me pishmanin pse e bëre. Ashtu le të jetojnë. Vetë e zgjodhën politikën e inatit, tani le ta vuajnë inatin e politikës. Doja t’i kishim përballë më 18 qershor, jo në bunkerin prej plastmasi, por t’i mundnim këtë herë edhe më thellë se 23 qershorin e 2013. Por kur u dorëzova edhe unë që dola më i duruari, na mbetet veçse t’i lëmë pas e të vazhdojmë përpara”, tha Rama.

18 qershorin, Kryeministri nuk e sheh vetëm si ditën e zgjedhjes së qeverisë së re.

“18 qershori do të jetë dita e vettingut të popullit ndaj politikës së vjetër, të marrjes zvarrë të Shqipërisë në emër të interesave partiake dhe parlamenti i ri do ta nisë jetën me zhbllokimin e vettingut menjëherë pas betimit të qeverisë së re”, u shpreh Edi Rama.

Rama kishte një përgjigje edhe për kritikët e opozitës në parlamentin e ri.

“Kujto që mendon se parlamenti i ri do e ketë jetën e shkurtër pa PD, gabon. I them gabon sepse liria e zgjedhjeve do prodhojë opozitën e re, ajo nuk është 1 apo 2 fytyra apo një elitë frikacakësh në krye të saj, por është elite”.

Kreu i socialistëve nuk ngurroi të tregonte sesi e imagjinon parlamentin e ri pa deputetin Sali Berisha.

“Do jetë parlamenti i parë pa Saliun, por jo pa opozitë. Pas 27 vjetësh tamam si bylmezi që e gjen vetë rrugën, ashtu edhe Saliu pas 27 vjetësh cenoi çdo normë edukate njerëzore. Shkeli çdo porosi të kanunit, shau, shpifi dhe kërcënoi tërë dynjanë në një ditë më shumë se gjithë pijanecët e Shqipërisë në një vit. E rrëmbeu PD nga duart e studentëve në ’90, e çoi në humnerë në ‘97, e ringriti dhe tani e mbyti me duart e tij duke e kthyer nga një alternativë qeverisëse në një fantazmë të frikës nga drejtësia. Më besoni ju, në qoftë se ‘97 ishte rrëzimi tragjik i Shqipërisë për shkak të marrëzisë së Saliut, 2017 do jetë rënia tragjikomike për shkak të budallallëkut të Lulëzimit”.

Programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme e prezantuan njëri pas tjetrit ministrat, ndërsa Kryeministri u kujdes të përcjellë edhe një porosi të fundit:

“Njësoj me ne nuk është askush sepse ne e kemi emrin PS. Përpara dhe vetëm përpara, të bashkuar”, tha Rama.