KOMENT/ Zgjedhjet në Dibër, ja skema e mundshme e “ndarjes” së mandateve

545

Nga Edison Balla

Tek ka mbetur dhe një muaj e pak nga data zyrtare e zgjdhjeve qendrore, kanë nisur kështu edhe llogaritjet matematikore të partive politike për mënyrën e ndarjes së mandateve në Dibër. Krahas llogaritjeve ka filluar po ashtu edhe “mobilizimi” në terren nga strukturat e partive, për të treguar në njëfarë mënyre edhe “mbizotërimin” ndaj subjekteve të tjera konkurente.

Si çdo fushatë tjetër, është shumë e kuptueshme se edhe këtë herë “beteja” do të jetë shumë e ashpër. Jo në kuptimin e mirëfilltë politik, ku konkurenca bazohet në përplasje idesh a platformash, por duket në horizont një betejë e fortë biznesmenësh dhe presionesh, se kush ofron më shumë dhe kush bën më të “ndershmin” në një treg zgjedhjesh alla-shqiptarçe.

Dibra këtë herë, ja vlen realisht të ketë vëmendjen e të gjithë neve, pasi ndryshe nga qarqet e tjera dy kampet e mëdha politike shfaqen më të “dobëta”, ndërkohë që po me të njëjtin ritëm janë forcuar dy partitë e tjera në dukje më të vogla LSI dhe PDIU. Epoka e lavdishme e Partisë Demokratike duket se ka perënduar, dhe kjo u vërtetua mjaft qartë në zgjedhjet e vitit 2013, ku PD humbi përfundisht Dibrën e cila ishte cilësuar përherë si bastion i djathtë.

Dibranët, të zhgënjyer nga PD-ja jo vetëm ajo qendrore, por dhe lokale anuan tek e majta, ku si asnjëherë tjetër në 20 e kusur vite tranzicion, e majta ja doli të merrte plot tre mandate nga gjashtë gjithsej që ka Dibra. 2013-ta do të konsiderohej padyshim, si viti i fitores për të majtën, ku kjo e fundit i dha të djathtës “goditjen e fundit”, goditje e cila do të linte gjurmë të mëdha tek e djathta, aq të mëdha saqë do ta sillnin PD-në në këtë derexhe që është sot.

Rritja e të majtës, mësa duket do të shihej si meritë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku kjo e fundit ja kishte dalë të merrte gati 11.000 vota në Dibër, që ishin të mjaftushme për të nxjerrë gati edhe një deputet tjetër, duke qenë se në bazë të llogaritjeve matmatikore, një subjekti i nivojiten 6.000 vota për të nxjerrë një deputet nëse është në koalicion.

Për të dalë tanimë tek tema jonë aktuale që lidhet pazgjidhshmërisht me fushatën elektorale në prag zgjedhor, mund të them me bindje se balancat e qershorit 2013 janë prishur në mënyrë të plotë në Dibër. Tanimë lufta nuk bëhet mes të majtës e të djathtës, por është një luftë që bëhet mes dy “ujqërve të rinj” të cilëve kërkon t’u prish punë një tjetër ujk, por që tanimë është plakur. “Tregu” i zgjedhjeve në Bulqizë po dominohet dukshëm nga PDIU e cila gëzon mbështetje të konsiderueshme nga biznesmenë të caktuar, të cilët shihen potencialisht si deputetë në pas zgjedhjet e qershorit. Kjo forcë politike, dukshëm pa kurrfarë lidhje me Dibrën duke qenë se objekti i saj është çështja çame, ka nxjerrë në garë elektorale dy kandidatë të saj të cilët gëzojnë kredite të caktuara dhe mbështetje për të fituar në këto zgjedhje.

Sakaq, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim duket se e ka krijuar bazamentin e saj për të nxjerrë po ashtu dy mandate të tjera nga gjiri i saj. Në kushtet kur zgjedhjet e qershorit do të bëhen pa Partinë Demokratike, mandatet e Dibrës do të ndahen në mënyrë të barabartë mes tre forcave politike: PS, LSI, dhe PDIU. Gjithsesi me mungsën  PD në zgjedhjet  qershorit ekziston mundësia, që dy “ujqërit e rinj” të rriten akoma më tepër duke i marrë edhe ndonjë votë tjetër Partisë Socialiste. Në këto rrethana unë parashikoj një rritje “galopante” të LSI dhe PDIU, dhe nga ana tjetër një rënie të madhe të PS-së.

Kjo ishte njëra anë e medaljes. Ana tjetër analizohet duke pasur në fokus, pjesëmarrjen në zgjedhje të Partisë Demokratike, që për mendimin tim do të ishte akoma më zhgënjyese për PS-në. Në këtë skemë të dytë unë e shoh PD-në një “yll të perënduar” për arsyet që përmëndëm më sipër, që derivatisht kanë sjellë një zhgënjim katastrofal tek qytetarët dibranë, duke e strukur PD-në, diku në të kaluarën e saj të ndritur që tanimë mbetet thjeshtë një Deja Vu. Propabiliteti për pjesëmarrjen e PD-së në zgjedhje, nuk duhet parë si i papërfillshëm, pasi tek e fundit është një garanci kushtetuse po aq sa edhe një domosdoshmëri praktike për legjitimitetin e zgjedhjeve.

Siç e thashë, nësë rrekemi të analizojmë nëse PD merr pjesë në zgjedhje unë mendoj se data më e përshtatshme është muaji shtator, duke qenë se këtë afat kohor e parashikon si të fundit edhe Kushtetuta. Me pjesëmarrjen e PD-së në zgjedhje, situata në Dibër nuk pritet të ndryshojë shumë pasi do ti japi asaj një mandat, gjithmonë duke ja mërrë PS-së e duke e lënë këtë të fundit me një deputet, vetëm me reformatorin Beqje.

Në mbyllje mund të them pa asnjë ekuivok, se në Dibër po bëhet një fushatë e frikshme makaronash, vaji, inertesh për shtrime gropash, dhe gjithmonë e më pak një garë idesh dhe platformash politike.