Bashkëjetesa e feve dhe besimeve në Shqipëri në vëmendje të OKB-së

611

Edhe pse duket një nga vlerësimet pa dileme për Shqipërinë, një raportues i posaçëm i Kombeve të Bashkuara viziton vendin në një mision 9 ditor, për të mësuar për bashkëjetesën e feve dhe besimeve të ndryshme. Politikat dhe praktikat e Shqipërisë për të promovuar dhe mbrojtur lirinë e fesë ose besimit pritet të marrin notë nga Ahmed Shaheed në emër të Këshillit për të drejtat e njeriut, në një vizite te pare te këtij lloji.

“Mezi pres ta vizitoj Shqipërinë për të mësuar për bashkëjetesën e feve dhe besimeve të ndryshme, si dhe për shembujt pozitivë të promovimit të tolerancës fetare në vend” është shprehur vetë ai.

Eksperti i pavarur i ngarkuar nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut për vlerësimin dhe raportimin e situatës së lirisë së fesë ose besimit në të gjitha vendet, e ka kontekstuar paraprakisht pozitivisht situatën për të cilën duhet te hartojë një raport me ftesë të qeverisë shqiptare, në të njëjtën kohë qe Mandati i Raportuesit të Posaçëm kërkon të identifikojë edhe pengesat ekzistuese dhe të reja në gëzimin e të drejtës së lirisë së fesë ose besimit dhe të paraqesë rekomandime specifike për t’i kapërcyer ato. “Do të jetë një mundësi e ardhur në kohë e duhur për mua për të rishikuar lirinë e fesë ose besimit në lidhje me çështjet e gjinisë, grave, fëmijëve dhe pakicave fetare apo besimit” ka spjeguar zoti Shaheed.

Ndërsa është paralajmëruar ndarja me mediat e gjetjeve paraprake ne ditën e fundit te misionit, raporti përfundimtar do të paraqitet para këshillit të drejtave te njeriut në mars të vitit të ardhshëm.

Takimet e parashikuara me zyrtare te qeverise, liderë fetarë, organizata fetare, OJQ, përfaqësues nga shoqëria civile dhe agjencitë e OKB-së në Tiranë, Shkodër dhe Korçë, nuk mendohet të sjellin ndonjë përjashtim të papritur nga realiteti i bashkëjetesës paqësore të feve në Shqipëri, i kërkuar për t’u bërë shembull ndërkombëtar, në të njëjtën kohë që disa pretendime të feve, kryesisht të krishtera për numrin real të besimtarëve të tyre në censusin e fundit në vend, duket se nuk kanë ende përgjigje.

Pretendimet u ngritën atëherë duke u nisur nga numri i besimtarëve që rezulton sipas pagëzimeve në regjistrat e kishës, që ishte larg atij të paraqitur nga censusi për përqindjen e besimeve të krishtera. Një ballafaqim i këtyre statistikave nuk është bërë i njohur të ketë ndodhur edhe pse kanë kaluar mbi 6 vjet nga ky proces.