Vrasja e Artan Cukut rrezikohet të mos zbardhet, ja pse

430

Kur kanë kaluar rreth 1 muaj nga vrasja e Artan Cukut, ngjarja ende nuk ka një autor. Një person që shfaqet në disa video pak minuta pasi të qëllojë ndaj ish-drejtorit të Policisë Vlorë mbrëmjen e 8 prillit, ende nuk është identifikuar nga Policia.

Disa informata të dhëna nga qytetarët nuk kanë çuar në zbulimin e personit që qëlloi ndaj Artan Cukut 4 herë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Burime të Report TV nga grupi hetimor bëjnë me dije se kanë marrë disa informata të rëndësishme për personin që shfaqet në video, por ende nuk kanë të dhëna të sakta që mund të çojnë në zbulimin e tij.

Të gjitha pistat e hetimit janë ezauruar deri më tani dhe nuk është zbuluar ndonjë e dhënë që mund të çojë në zbulimin e autorëve. Grupi hetimor ka shqyrtuar të gjitha dosjet që ka hetuar Artan Cuku në kohën që ka qenë drejtues në Polici, po ashtu edhe nga konflikti që Cuku ka patur me një familje në Shkodër ka rezultuar se nuk kanë lidhje me ngjarjen. Pista e fundit ajo e konflikteve për kromin në Bulqizë, për shkak se Cuku punonte në një kompani të sigurisë private që ruante minierën, gjithashtu nuk ka ndihmuar hetuesit.

Vrasja e ish-komisarit rrezikon të ngelet një ngjarje e pazbardhur, pavarisht se ndodhi në një nga zonat më të populluara në kryeqytet. Dyshohet se personi që shohim në video është larguar nga Shqipëria menjëherë pas vrasjes.

Ai mendohet se është ndihmuar edhe nga persona të tjerë, ku njëri prej tyre ka marrë armët, ndërkohë që tjetri ka larguar autorin nga zona e Sheshit “Wilson”.

Mos pasja e provave, siç janë gjurmët e gishtave, armët e krimit, apo pamje të tjera filmike, ka bërë që Policia dhe Prokuroria të mos avancojë me hetimet. Artan Cuku u vra teksa po ngjitej për në banesën e tij në Rrugën e Kosovarëve në Tiranë.