Tërheqja e PS-së nga Kavaja, reagon Ambasada Amerikane: Dialog

283

Ambasada Amerikane ka përshëndetur vendimin e Partisë Socialiste dhe të kryeministrit Rama për tu tërhequr nga zgjedhjet në Kavajë.

Përmes një njoftimi për mediat, Ambasada e SHVBA-ve në vendin tonë, thekson se kjo tërheqje ishte vendimi i duhur për politikën shqiptare, në mënyrë që e gjithë vëmendja tashmë të përqendrohet tek dialogu mes forcave politike.

Ja deklarata e Ambasadës Amerikane:

Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështet thirrjen e Kryeministrit për shtyrjen e zgjedhjeve bashkiake në Kavajë me qëllim që të ruhet përqendrimi i qeverisë dhe opozitës tek procesi i dialogut.

Nxisim vazhdimin dhe përshpejtimin e procesit të dialogut sepse koha që mbetet për t’i zgjidhur çështjet me anë të negociatave përpara zgjedhjeve të 18 qershorit është e kufizuar.

Mbështesim të drejtat e shqiptarëve për të protestuar paqësisht dhe nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje. Iu bëjmë thirrje të gjitha partive që të mos angazhohen në akte që mund të nxisnin dhunë, veçanërisht akte që ndikojnë në aftësinë e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Dhuna nuk ka vend në procesin demokratik.