Përfundon takimi Rama-Basha, asnjë rezultat

358

Ka dështuar edhe takimi i dytë për të gjetur një zgjidhje të krizës politike mes kreut të qeverisë Edi Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha.

Gjatë një prononcimi për mediat, Rama ka përsëritur edhe një herë ofertën ndaj PD-së, por nga se bëhet e ditur ajo është refuzuar nga Basha.“Jemi në të njëjtin pozicion që kemi qenë dje. Oferta që unë i kam bërë PD është ajo e ditura, për të krijuar një mekanizëm monitorimi të zgjedhjeve ku PD t’i ketë të dyja sytë në proces nga brenda qeverisë:
me një zv/kryeministër të propozuar nga ata, por jo pjesë e PD-së.Gjithashtu, së bashku me tre përfaqësues të SHBA-ve, OSBE-së dhe BE-së për të drejtuar një taskforcë për t’u siguruar që shteti dhe asetet shtetërore nuk keqpërdoren për fushatë elektorale. Tre zv/ministra për t’u propozuar nga PD, por jo nga radhët e saj në Ministrinë e Brendshme, në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Arsimit.Këta të jenë të shoqëruar nga monitoruesit ndërkombëtarë që të jenë aty për çdo akuzë dhe ankesë për Policinë gjatë zgjedhjeve. 
Për sa i përket kërkesës këmbëngulëse të PD-së për numërim dhe votim elektronik, kam propozuar që një ministër i Partisë Demokratike të bëhet pjesë e qeverisë për të përgatitur një projekt të besueshëm. Nëse certifikohen si të besueshme, atëherë t’i zbatojmë në zgjedhjet e ardhshme.

Për sa i përket datës së zgjedhjeve, data e zgjedhjeve është më 18. Jemi në limitet e fundit të kohës. Përpjekja për të bërë gjithçka që na takon si qeveri për të garantuar PD-në për aq sa na takojnë rregullat e lojës, nuk kanë shteruar. Dua ta përsëris se një ofertë tjetër nuk e kemi dhe nuk do ta kemi., -tha Rama.
Pyetjes së gazetarëve nëse oferta është pranuar nga opozita, Rama iu përgjigj me pesimizëm. “Këtë i takon kryetarit të Partisë Demokratike që ta thotë, por nga biseda që pata mund të them që jo. Marrëveshje nuk ka, por më shumë nga ana jonë për marrëveshje nuk do të ketë”, tha Kryeministri.Takimi në Presidencë mes Ramës dhe Bashës erdhi pas angazhimit të madh të ambasadorëve të huaj në vendin tonë.