Qeveria kundër vendimit të gjykatës, nuk tërhiqet nga hidrocentralet mbi Vjosë

364

Pavarësisht se dy ditë më parë Gjykata Administrative vendosi që të shfuqizojë vendimin e Ministrisë së Energjisë për të ndërtuar mbi lumin Vjosë hidrocentralin e Poçemit, ky institucion ka vendosur që ti shkojë deri në fund projektit që është kundërshtuar edhe nga Parlamenti Europian.

Ministria e Energjitikës është e vendosur që të ankimojë çështjen në shkallën e dytë për të kërkuar ndërtimin e këtij hidocentrali i cili rrezikon seriozisht një nga lumenjtë dhe luginat më me biodiversitet në Europë.

Zyrtarisht ky institucion, në rolin e autoritetit konktraktor, ka deklaruar për televizionin Klan se nuk është i kënaqur me vendimin dhe se në thelb gjykata nuk ka shfuqizuar asnjë procedurë të saj, por vetëm atë dhënien e lejes mjedisore, që është kompetencë e Ministrisë së Mjedisit.

Burime thane gjithashtu se ende nuk kanë marrë një njoftim nëse shoqëria do t’i drejtohet gjykatës ndërkombëtare të arbitrazhit, por kjo nuk do të thotë që ata të mos kërkojnë më pas fitimin e munguar nga vepra dhe shpenzimet që kanë bërë deri me sot për projektin.

Gjykata administrative vendosi të martën pro kërkesës së 38 banorëve të fshatit Kutë në Mallakastër, që hidrocentrali i Poçemit të mos ndërtohet pasi leja mjedisore është e pavlefshme dhe prish ekosistemin në lumin Vjosë.

Qeveria i prezantoi Gjykatës edhe raporte fiktive të konsultimeve me publikun, të cila Gjykata i rrëzoi si të pavërteta. Hidrocentrali kap një vlerë investimi 100 milion euro me fuqi 100 megavat dhe do të shfrytëzohet për 35 vjet.