Sporti në Bulqizë, “top elektoral” i politikës

427

Vëzhgim nga bulqizaime.al

Po të bëjmë pak histori, Klubi i Futbollit në Bulqizë është krijuar që në vitin 1964, por që prej vitesh mbahet në këmbë vetëm nga dëshira e pasioni i disa të rinjve, për futbollin. Autoritetin kontrrollues dhe financues ndaj sportit e ka pushteti vendor, por që për fatin e keq kujtohet për sportin vetëm gjatë “gripit elektoral”.

Është fakt premtimi për ndërtimin e një stadiumi apo të një hapësire të nevojshme për stërvitjen e djemve. Po ashtu është fakt edhe financimi i këtij klubi futbolli, por që prej vitesh nuk merr mbështetje monetare qoftë edhe për fanellat, të cilat janë bërë relike të kohës. Kjo gjendje nuk është krijuar sot, por trashëguar në vite, ku asnjëherë nuk i është kushtuar vëmëndja e duhur sportit.

Aktualisht Sport Klub Bulqiza, është në status pasiv dhe këtë vit nuk merr pjesë në asnjë kompeticion sportiv që zhvillohet.

Për këtë, bulqizaime.al ju drejtua edhe Bashkisë Bulqizë. Në përgjigjen e saj, bashkia bën me dije se ekipi aktual ka statusin Sh.P.K dhe se këta të fundit janë në bisedime me administratorin e klubit, që bashkia të marrë aksionet. Bashkia gjithashtu deklaron se po shikon si variant edhe mundësinë e hapjes së një ekipi të ri, me mbështetje financiare të saj.

Në buxhetin e vitit 2017, bashkia ka akorduar një zë financiar prej 1.100.000 lekë të reja për aktivitete sportive, saktësisht:

  • Kampionat minifutbolli “Bulqiza 2017” (partnere dhe sponsore)
  • Kampionat minifutbolli mes shkollave 9 – vjeçare dhe të mesme të bashkisë
  • Kampionat volejbolli mes shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të bashkisë
  • Kampionati i shahut
  • Gara çiklistike e bashkisë
  • Kupa “Pavarsia”
Në foto: Përgjigjia nga Bashkia Bulqizë

Në ndeshjen e boksit që u zhvillua në Bulqizë në vitin 2015 nga vëllezërit “Keta”, të gjitha fitimet që erdhën nga biletat shkuan për ndërtimin e stadiumit pranë bashkisë së Bulqizës, por që deri më tani nuk kemi asnjë lëvizje për përdorimin e tij. Bulqizaime.al u interesua edhe për këtë çështje, por sipas bashkisë, ky fond pritet të akordohet në projektin e ri të fushës së futbollit, ku për këtë të fundit ka dy variante:

  • Rregullimi i fushës aktuale që kap një kosto mbi 10 milionë lekë;
  • Ndërtimi i një stadiumi të ri, sipër Qytetit të Ri, me një kosto mbi 20-25 milionë lekë fonde;

Gjendja e terreneve sportive sot në Bulqizë:

Është fakt, që terrenet sportive sot në Bulqizë janë në gjendjen më të mjerueshme të mundshme. Edhe ato pak investime që janë bërë në palestrat e shkollave, kanë filluar të shfaqin probleme, që nga lagështira e deri tek cilësia e dobët e punimeve.

Ndërsa pjesa e fushave të futbollit është në gjendjen më të keqe të mundshme, si ajo që është në Bulqizë, por edhe ajo në Krastë, ku mungojnë edhe dhomat e zhveshjes.

Sporti dhe show politik në Bulqizë:

Ditët e fundit në qendër të Bulqizës është vendosur një baner që lajmëron se do të zhvillohet një kampionat minifutbolli “BULQIZA 2017”. Si organizator të këtij kampionati janë Bashkia Bulqizë dhe nën kujdesin e veçantë të deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu.

Është ku i fundit që si në zgjedhjet e 2013-s, por edhe në ato lokale të 2015-s futi standardin e të bërit të një kampionati futbolli në prag të zgjedhjeve. Të njëjtën gjë ka vendosur ta bëj edhe këtë vit, ku nën kujdesin e tij të veçantë sërish do të kemi kampionat futbolli.

Por më keq akoma, paratë e taksapaguesëve të Bulqizës shkojnë për show të një figure politike. Këto aktivitete mbulohen me shpenzimet e buxhetit të bashkisë, që ashtu siç u tha edhe më sipër, në buxhetin e vitit 2017,  ka akorduar një zë financiar prej 1.100.000 lekë të reja për aktivitete sportive. Në aktivitetin më të fundit, është po buxheti i bashkisë që do të mbulojë shpenzimet.

Gjithashtu, të tillë aktivitete, zhvillohen çdo vit zgjedhor, duke u kujtuar se sporti në Bulqizë ekziston.