Këshilla e fundit që Meta i jep LSI-s

340

Ish drejtuesi i LSI-së Ilir Meta, tashmë President i zgjedhur i vendit, ka folur për herë të fundit përpara simpatizantëve dhe anëtarëve të kësaj forca politike, duke dhënë dhe një këshillë të fundit për ta.

“LSI duhet të jetë forca që mban fjanë dhe të ardhmen”. Kjo ishte këshilla që Meta u dha anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së, duke shtuar se edhe me largimin e tij, ata kanë për detyrë që ta kthejnë këtë forcë politike në një forcë madhore që mban në këmbë stabilitetin e vendit dhe kërkon ta çojë atë drejt BE-së.

Nga ana tjetër, Ilir Meta u ka kujtuar të gjithë të pranishëmve në Koventën Kombëtare të LSI-së, rrugën e vështirë nga ku ka kaluar kjo forcë politike, që me nisjen e saj.

Meta ka ndaluar tek ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të cilat i ka quajtur së bashku me kodin aktual zgjedhor, si mallkimin që ka sjellë krizën politike të këtij viti në politikën shqiptare.

Fjala e Ilir Metës:

Do t’ ju lutesha shumë që të mbanit pak qetësi sepse kjo është fjala më e shkurtër që unë kam mbajtur ndonjëherë në një konventë dhe dua qetësi jo thjesht për të ndaluar entuziazmin tuaj, por vetëm për një arsye, që përmes qetësisë tuaj të kem mundësi të komunikoj me të gjithë atanëtarët dhe votuesit e LSI kudo që po na ndjekin.

Ju falënderoj shumë të gjithëve këtu dhe kudo në të gjithë Shqipërinë… Ju falënderoj shumë që e mirëkuptuat edhe pse me pak vështirësi zgjedhjen time si president i vendit, duke kuptuar atë si një investim që jo vetëm unë, jo vetëm forumet drejtuese të LSI, por mbi të gjitha si një investim që cdo anëtar, cdo simpatizant apo votues i LSI bën për stabilitetin e Shqipërisë.

LSI lindi në 6 shtator të 2004 si një sfidë e madhe. Lindi e tillë sepse kishte kauza të mëdha, lindi si një forcë për demokraci, si një forcë për stabiliteti dhe integrimin më të shpejtë të vendit në Shqipëri. LSI lindi si një sfidë ndaj arrogancës qeverisëse të kohës, por edhe si një sfidë jo e Ilir Metës, por e të gjithë shqiptarëve, ndaj një regjimi dypartiak për 15 vite në Shqipëri.

LSI pavarësisht nga përpjekjet konsensuale për ta denominuar atë, ka qenë forca më e madhe e vlerave morale për demokracinë dhe zgjedhjet e lira në Shqipëri.

Nuk besoj se themeluesit por edhe anëtarët dhe votuesit e parë të LSI-së e kanë harruar sesi vetëm në pak muaj, duke patur të gjithë makinerinë e pushtetit kundër saj, LSI ishte e vetmja që nuk e shkeli kodin dhe mori 120 mijë vota të ndershme dhe me sakrifica për qytetarët që kërkonin ndryshim

“SuperDushku” konsensual, për të gjithë ata që janë kurioze, mjafton të bëjnë një search për të kuptuar se cfarë ndodhi me votën e shqiptarëve në 2005, vetëm për të zhvlerësuar mandatet e LSI-së…

Por LSI nuk u dorëzua, përkundrazi, ajo vazhdoi të tregojë rritje, aqsa në një natë të errët në prill të vitit 2008 u ndryshua në mënyrë konsensuale kushtetuta e Shqipërisë vetëm për të eliminuar LSI-në.

Sot e kësaj dite, Shqipëria vuan akoma pasojat e atyre ndryshimeve kushtetuese dhe atij kodi të mallkuar, ku qëndron një pjesë e mirë e konfliktit dhe e pjesës së politikës së papërgjegjshme.

Nuk do ta harroj kurrë, ato dy javë të grevës së urisë së bashku me kolegët e mij deputet jo vetëm të LSI, dhe mbi të gjitha nuk do të harroj përkrahjen e atyre mijëra simpatizantëve të LSI përpara kuvendit… pavarësisht nga padrejtësitë, nga presioni dhe klima e shantazhit ndaj votuesve shqiptar dhe atyre të LSI në veçanti, ne arritëm të mbijetonin në 2009, në ato zgjedhje, jo vetëm mbijetuam por me largëpamësi u bënë faktor stabiliteti.

Jo pak prej jush nuk u pajtuan me atë vendim të vështirë me koalicionin me PD por ajo ishte e vetmja zgjidhje për ti shërbyer stabilitetit dhe jo kaosit.. të gjithë duhet ta dijnë se LSI ka një rol kyc në liberalizimin e vizave për shqiptarët.

Ashtu sikurse ju të gjithë e mbani mend, vendimin tonë të drejtë pas përfundimit të marrëveshjes me PD-në për të kaluar në opozitë, duke garantuar një rotacion paqësor dhe demokratik të pushtetit.

Por ju ndodshta keni harruar një fakt të rëndësishëm që i vetmi kusht që Ilir Meta dhe LSI i vendosi PS për tu shkëputur nga PD dhe për të dalë në opozitë, ishte votimi i 3 ligjeve që shërbenin për të afruar vendin me BE-në.

LSI do të vazhdojë të jetë forcë e integrimit europian dhe jam i lumtur që kam firmosur, megjithëse e hodhi Petriti në fund, listën që drejtohet në Tiranë nga Klajda Gjosha.

Sepse jam i bindur që këto vajza të reja, këta djem të rinj të cilët kanë studiuar në Evropë dhe janë kthyer për t’i shërbyer vendit, janë garancia më e mirë për ta udhëhequr vendin drejt BE-së duke dëshmuar jo vetëm përgjegjshmëri e profesionalizëm por edhe një kulturë të bërit politikë.

Do tju lutesha dhe juve që cdo vendimmarrje të rëndësishme ta bëni me qetësi sepse për fat të keq të tjerët janë shembulli sesi gjerat bëhen me gjaknxehtësi dhe arrogancë…

LSI duhet të jetë forca që mban fjalën dhe të ardhmen! Kjo është shumë e rëndësishme!