Lidhur me situatën politike në vend ka reaguar edhe DASH. Deklarata e Thomas A. Shannon është përcjellë nga ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Faber. Shannon tha se është me rëndësi që “të gjitha partitë politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.”
Publikimi i ambasadores shqiptare në Amerikë
“Aktiviteti diplomatik në SHBA ka qënë mjaft i ngjeshur në 100 ditët e qeverisjes së re amerikane. Një numër takimesh dhe vizitash të dyanëshme të zhvilluara gjatë kësaj periudhe i kanë dhënë një shtytje të re këtyre marrëdhënieve, sidomos në fushat me interes afatgjatë për sigurinë dhe mirëqenien e të dyja vendeve. Gjatë kësaj periudhe u konsolidua partneriteti strategjik mes SHBA-së dhe Shqipërisë.
Shtëpia e Bardhë përmes Zëvendës-Këshilltares së Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, K.T. McFarland, rikonfirmoi mbështetjen e fortë të SHBA-së për jetësimin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës dhe në veçanti përpjekjet e Shqipërisë për jetësimin e reformës në drejtësi, si reforma jetike për vendin. Departamenti i Shtetit gjithashtu rikonfirmoi partneritetin e ngushtë, mbështetjen e fortë të SHBA-së për përpjekjet e reformës gjyqësore në Shqipëri dhe angazhimin e përbashkët ndaj vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Në emër të DASh, ambasadori Shannon theksoi rëndësinë që të gjitha partitë politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Senati Amerikan ka një numër të vogël komitetesh, dhe Komiteti për Çështjet Shqiptare është një prej tyre, i rivitalizuar në mars të këtij viti nga Senatorët Gary Peters dhe Joni Ernst. Së bashku me Komitetin për Çështjet Shqiptare në Kongresin Amerikan, të drejtuar nga Kongresmenët Eliot Engel dhe Robert Aderholt, këto komitete janë avokatë të fortë të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona në të gjitha fushat.
Vizitat e Ministrit Bushati dhe takimet e tij në nivelet më të larta të ekzekutivit dhe të dhomave të përfaqësimit, aktivitetet publike dhe një numër takimesh me aktorë të ndryshëm të mendimit politik, janë një tregues i thellimit të këtyre marrëdhënieve. Vizia e Senatorit John Mçain në Shqipëri si dhe vizita se afërmi e një grupi kongresmenësh të Komisionit të Drejtësisë në Tiranë, drejtuar nga kongresmeni Bob Goodlatte, i japin një dimension të ri këtij bashkëpunimi të hershëm”.