Oerd Bylykbashi, deputeti i PD-së, deklaroi sot se afati për regjistrimin e kandidatëve për deputetë ka mbaruar dhe sot askush nuk mund të regjistrohet më.
“Në 28 prill në mesnatë ka përfunduar afati i regjistrimit të listave,çdo regjistrim do ishte shkelje ligji. Kodi zgjedhor është shumë i qartë: listat regjistrohen jo më vonë se 50 ditë nga data e zgjedhjeve! Dita e 50 është data 29 në orën 00:00.
Çdo regjistrim që bëhet sot, do të ishte i paligjshëm. Nga dita e sotme askush nuk regjistron dot më lista ose më saktë,nga mbrëmë në mesnatë, ka përfunduar ligjërisht afati.
Pra, përveçse politikisht, kjo farsë ka mbaruar. Ligjërisht ka rënë edhe dekreti i presidentit. E vetmja mënyrë që shqiptarët nga sot e tutje të votojnë të lirë në zgjedhje të lira e të ndershme është një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike e cila do t’i mundësojë ata në një moment tjetër të votojnë me kushte të tjera dhe jo me këto që imponon kjo maxhorancë.”