Vendimi, ja si do të bëhet kompensimi i pronarëve të tokave të zëna nga godinat informale

333

Në mbledhjen e fundit të qeverisë është vendosur kompensimi financiar për pronarët e trojeve të zëna nga ndërtime informale, pronarët e të cilëve kanë kaluar në proces legalizimi, duke përfituar lejen përkatëse të legalizimeve dhe kanë kryer edhe detyrimin financiar, që parashikohet me ligjin përkatës.

Nëpërmjet vendimit të miratuar ditën e mërkurë, synohet të përfundohet një fazë e rëndësishme e procedurave administrative, që lidhet me kompensimin në vlerë monetare të pronarëve të cilët preken nga legalizimi i ndërtimeve pa leje.

Me këtë veprim, qeveria ka për qëllim rregullimin e raporteve të pronësisë, në territoret ku janë ngritur ndërtimet pa leje, midis subjekteve të përfshira në procesin e legalizimit, si dhe duke shpërblyer pronarët e këtyre territoreve.

Lista me emrat e personave që kanë pronësi mbi objektet e legalizuara, si dhe me emrat e pronarëve të tokës, mbi të cilën janë ndërtuar objektet në fjalë, përfshin zona të qarqeve në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë. Bashkarisht me gjeneralitetet e përsonave përfitues, jepet edhe indormacion për shumën e caktuar sipas ligjit që do të marrin në formën e kompensimit financiar pronarët e shpronësuar, shkruan Shqiptarja.com.

Procesi i legalizimeve, në këtë mënyrë, vijon në dy drejtime: së pari, me legalizimin deri në hipotekim të objekteve që janë ndërtuar pa lejet përkatëse në vitet e kaluara dhe, së dyti, me dëmshpërblimin e pronarëve, të cilëve u është shkelur e drejta themelore kushtetuese e njeriut, ajo e pronësisë. Ky proces kohët e fundit po vijon me ritme më të shpejta në gjithë territorin e vendit.