Dhe janë pikërisht italianët ata që po e thonë këtë.
Revista e njohur italiane Gioia ka publikuar një artikull të gjatë në rubrikën e saj të udhëtimeve me titull: “Përse pushimet e tua të ardhshme duhet t’i bësh patjetër në Shqipëri”.
Dhe ja cilat janë disa nga arsyet dhe destinacionet që revista italiane sugjeron.
“ Vende të bukura, afërsi e madhe me Italinë, kosto e ulët. Shqipëria është një destinacion ndryshe ku mund të përjetosh një përvojë krejt të re. Edhe në anën tjetër të Adriatikut mund të gjeni plazhe e peizazhe interesante. Vitet e fundit në Shqipëri turizmi individual, jo ai i masës është duke u zhvilluar. Ndaj të gjitha këto mund të jenë një arsye e mirë për të njohur fqinjët, për të zbuluar vende të reja e për që qëndruar disa javë. E nëse këtë vit nuk dëshiron që të pushosh shumë larg, atëherë zgjidhja jote mund të jetë Shqipëria, përveç plazheve të Korsikës”, shkruan Gioia.
Destinacionet që propozohen nga kjo revistë janë: Durrësi, Vlora, Saranda apo edhe Ksamili.
“ Distanca mes dy destinacioneve kryesore bregdetare, Durrësi dhe Saranda është 250 km. Pra, do t’ju duhen më pak se 3 orë me makinë”. Në Shqipëri mund të zgjidhni që të vini përmes portit të Barit, që është edhe më afër Durrësit, porta kryesore hyrëse e Shqipërisë”, shkruan revista italiane.
Plazhet që sugjeron janë: Mali i Robit në Golem, ai i Gjeneralit dhe Bardhorit në Kavajë.
“Në Vlorë mund të zgjidhni të vizitoni plazhet në Radhimë apo në Orikum. Një mrekulli është edhe ngjitja drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë, mbi 1,000 metra mbi nivelin e detit. Ujërat blu, pika ku takohet Adriatiku me Jonin, ishujt grek janë sfondi që do t’ju shoqërojnë”, thuhet në artikullin e Gioa.
Saranda është gjithashtu një destinacion që reklamohet nga italianët. “ Saranda është kryeqyteti i jugut të Shqipërisë. Një qytet që popullohet mbi të gjitha nga të rinjtë dhe që mund të konsiderohet si ‘Rimini i Ballkanit’. Nuk duhet të trembeni pasi kostoja e jetesës në Shqipëri është disa herë më e ulët se në Itali. Pak më tej është Ksamili, e njohur për peisazhet e njohura të ngjash me ato të Karaibeve e që gjendet në zemër të Mesdheut”, shkruan revista italiane. /Monitor/