Vazhdojnë diskutimet për zgjidhjen e krizës politike

481

Orët në vijim janë padyshim të ethshme për politikën shqiptare. Ngërçi politik i shkaktuar si pasojë e protestës së opozitës që kërkon qeveri teknike si kusht për hyrjen në zgjedhje kanë sjellë në Tiranë edhe dy negociatorët e huaj, Knut Fleckenstein dhe David McAllister.

Për 90 minuta të dërguarit e BE-së, eurodeputeti Knut Fleckenstein dhe zyrtari i PPE-së, David McAllister kanë negociuar me Lulzim Bashën, ndërsa në fund të takimit të gjitha palët dukeshin shpresëplotë e të qeshur.

Pak orë pas këtij momenti gazetarja Elda Menga konfirmon për BalkanWeb se do të ketë një tjetër takim në të cilin duket se do tentohet ulja në një tryezë dialogu e Ramës dhe Bashës. Parashikohet që ky takim të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve

Mësohet se në orën 19:00, eurodeputeti Knut Fleckenstein do të takohet me Ramën, Metën, Ruçin e Ballën në Pallatin e Kongreseve. Po në të njëtën orë negociatori i krizës, i dërguari i PPE, McAllister do të takohet me Lulzim Bashën dhe shoqëruesit e tij, Oerd Bylykbashi dhe Gerd Bogdani. Takimet e veçuara kanë një qëllim, që të arrihet ulja në një tryezë dialogu e Ramës dhe Bashës. Nëse kjo do të arrihet na duhet të presim dhe pak orë.

Kujtojmë që më herët, në funksion të zgjidhjes së krizës u zhvillua edhe një takimi 60 minutësh në Kryesinë e Kuvendit, me kryeparlamentarin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama.

Sipas gazetares Elda Menga, duket se opozita do i qëndrojë kërkesës së saj për qeveri teknike, për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.