FOTO/ Policia e Dibrës së Madhe gjobit 600 euro ish-ushtarin e UÇK-së, dy ditë pasi foli për Gazetën Lajm

412

Policia i ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 600 eurove ish pjesëtarit të UÇK-së nga Dibra, Arberor Velica. Në një deklaratë për Gazetën Lajm, Velica thotë se gjoba i është shqiptuar me arsyetim se ka prishur imazhin e kryetarit të komunës, Ruzhdi Lata, nga radhët e BDI-së.

Nga ana tjetër kryetari i komunës, në një deklaratë për Gazetën Lajm thotë se nuk e njeh fare Arberor Velicën.

“Unë mund t’ju them se me facebook nuk merrrem nuk kam asnjë reagim, djalin as nuk e njoh kush është tamam. Trillimet I bëjnë të tjerët, por mua ata punë nuk më interesojnë. Sa i takon policisë dihet qëndrimi atje në Dibër si është me policinë që asnjëher se kam njohur dhe nuk e njoh”, deklaroi për Gazetën Lajm kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata.

Mirëpo ish pjesëtari i UÇK-së, Velica, ankohet se gjatë kohë është nën presion të kryetarit të komunës dhe familjarëve të tij, për shkak se përmes rrjeteve sociale denoncon manipulimet e tyre në pushtetin lokal në Dibër.

Velica thotë se policia e ka gjobitur për shkak të qëndrimeve të shprehura ndaj Ruzhdi Latës, por që të jetë ironia më e madhe, gjoba i është shqiptuar në bazë të ankesave që i ka bë djali i kryetarit të komunës, Bajram Lata.

Dy ditë më parë Arberor Velica pati një intervistë në Lajm.Tv ku poashtu shprehi akuza të shumta për malverzime në komunën e Dibrës.