PD: Të hënën nuk do të ketë dhunë, por mosbindje

288

Partia Demokratike ka reaguar pas akuzave të kreut të qeverisë Edi Rama dhe një deklarate të shpërndarë nga Partia Socialiste ku akuzohej se me veprimet e saj opozita po rikthen vitin 97.

PD thotë në deklaratën e saj se opozita ka 64 ditë që proteston dhe të gjitha veprimet e saj kanë qenë paqësore dhe shembull i qytetarisë më të lartë që ka dëshmuar shoqëria shqiptare.

“Nuk ka pasur asnjë provokim, asnjë incident të vetëm, asnjë prishje të qetësisë apo pronës publike”– shkruan PD që shton: “Partia Demokratike nuk ka​ nevojë për dhunë dhe nuk do të përfshihet kurrë në dhunë. Kauza e lirisë dhe e demokracisë është kauza më e fuqishme në botë dhe ne ndjehemi të fuqishëm në të drejtën tonë. Edi Rama duhet të mësohet me demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve për të protestuar dhe për të shprehur mosbindjen e tyre civile” – shkruan PD.

“Referencat e Edi Ramës ndaj 1997-ës janë veprime të dëshpëruara të një njeriu që edhe vetë e di se nuk i ka mbetur më asnjë justifikim për të qëndruar në pushtet, veç ngjalljes së frikës tek njerëzit. Frymëzuesit dhe drejtuesit politikë të 1997-ës Edi Rama i ka në krye të PS-së dhe në Kuvend bashkë me bandat e ‘97-ës qe po i liron një nga një nga burgu për të ruajtur me ta pushtetin e tij të kriminalizuar.

Protesta e opozitës do ta shpëtojë Shqipërinë nga krimi që ka sjellë Edi Rama. Me besimin tek vlerat e demokracisë dhe lirisë, ne do të vazhdojmë qëndresën tonë qytetare me çdo mjet demokratik deri sa të sigurojmë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”– thuhet në qëndrimin e PD-së.