Partia Kristian Demokrate e drejtuar nga Mark Frroku, ka dalë me një deklaratë për median, duke thënë se ata dhe Edi Rama janë të vetmit partnerë të kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel.
Kjo deklaratë e partisë së Mark Frrokut, i dënuar me 7 vite e 6 muaj burg, erdhi pas asaj të Nard Ndokës, që u shpreh në ‘çadrën e lirisë’ se të gjithë demokristianët janë bërë bashkë me opozitën.
Ja çfarë thotë Partia Kristian Demokrate:
Partia Kristian Demokrate distancohet plotësisht nga deklaratat e kryetarit të Partisë Demokristiane Nard Ndoka për bashkimin e demokristianëve sëbashku në cadrën e ashtuquajtur të lirisë. Ne, Partia Kristian Demokrate i bëjmë me dije opinionit publik se kemi qenë, jemi dhe do të vazhdojmë të jemi përkrah qeverisë dhe koalicionit qeveritar të Aleancës për Shqipërinë Europianë.
PKD është e vendosur të rreshtohet përkrah atyre të cilët e duan Shqipërinë dhe punojnë të palodhur për çdo ditë, për një të ardhme më të mirë për vendin tonë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.Ne jemi parti politike që përfaqësojmë ndër të tjera spektrin kristian demokrat ku me shumë mundime arritëm të përfaqësohemi në parlamentin shqiptar me deputetin tonë. Kujtojmë se jemi partia e vetme e spektrit kristian demokrat e cila mori mandat deputeti nga vota popullore dhe jo nga manovrat politike duke u përfshirë në listat e partive të vjetra.
PKD njofton opinionin publik se demokristianet e vërtetë janë të bashkuar pranë forcës tonë politike pasi elektorati demokristian i ka kapacitetet e duhura për të bërë dallimin ndërmjet atyre të cilët e duan integrimin e vendit në BE dhe atyre që duan ta çojnë Shqipërinë në destabilitet ashtu si kanë bërë edhe më parë.
Demokristianet e vërtetë e bëjnë fare mire dallimin e atyre të cilët bëjnë të pamundurën të realizohet reforma në drejtësi dhe atyre të cilët janë të zhytur në krime dhe korrupsion ku të mbërthyer në çadër po bëjnë të pamundurën për te frenuar vazhdimin e reformës në drejtësi e cila do ti zbardh faqen vendit tonë në dekadat që do të vijnë.Demokristianet e vërtetë mbështesin ambasadorin amerikan, ambasadoren e BE-se dhe të gjithë faktorin ndërkombëtar që njëzëri janë distancuar nga veprimet e papërgjegjshme të opozitës së sotme.Demokristianet e vërtetë janë në krah të kancelares Angela Merkel dhe ministrit të jashtëm gjerman Sigmar Gabriel të cilët si përfaqësuesit më të mëdhenj të kristian demokratëve ne Europë e treguan se e duan Shqipërinë më shumë se Lulzim Basha dhe opozita e tij e çadrës.
E theksojmë se demokristianet shqiptar janë të bashkuar pranë Partisë Kristian Demokrate e cila së bashku me koalicionin Aleanca për Shqipërinë Europiane të kryesuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë do të vazhdojnë me vendosmëri për përfundimin e reformave të nisura, për integrimin dhe anëtarësimin e vendit në BE si dhe për ndërtimin e një Shqipërie që duam duke bërë te mundur një të ardhme më të mirë për ne dhe për fëmijët tanë.