Basha: President nga populli, vetingu pas qeverisë teknike

374

Më lejoni ta nis me një falënderim dhe mirënjohje të thellë në radhë të parë për gratë, për zonjat, për vajzat shqiptare, për zonjushat që kanë qenë në këto 64 ditë, margaritari i Republikës së Re dhe frymëzimi europian i kësaj lëvizje të jashtëzakonshme popullore.

Dhe së dyti, të falënderoj Vatrën, organizatën më të vjetër atdhetare, politike në historinë e Shqipërisë që vazhdon aktivitetin e saj, aktivistët e saj, drejtuesit e saj; ju falënderoj nga zemra për mbështetjen që i jepni Shqipërisë, shqiptarëve dhe kauzës tonë për liri dhe demokraci të vërtetë të standardit amerikan, sikundër Vatra e njeh dhe e mbështet shumë mirë.

Në këtë ditë të 64-të, lëvizja jonë popullore ka shënuar përmes mobilizimit më masiv qytetar një numër fitoresh të qarta politike dhe qytetare; siç është çjerrja e maskës së republikës së vjetër para syve të çdo shqiptari, Europës dhe Amerikës mbarë; siç është tregimi i të vërtetës së dhimbshme të vendit tonë, të vërtetës së çdo shqiptari, të çdo familjari e familjareje që është bërë akoma më e dhimbshme në këto 4 vite të keqqeverisjes dhe qeverisjes kriminale të një çete pushtetarësh të bërë njësh me krimin, eshtë e vërteta e një ekonomie të shkatërruar nga Edi Rama dhe banda e tij kriminale dhe e korruptuar.

Krimi dhe droga, tenderat dhe koncesionet korruptive, babëzia qeveritare për të harxhuar, siç thonë shifrat zyrtare, 2.8 miliardë dollarë në 4 vite përmes abuzimeve, keqpërdorimeve, vjedhjes, dhe miliardat e tjera për zyra, për orendi, për karburant, për makina, për luks qeveritar, këto e kanë kredhur Shqipërinë në një mjerim të vërtetë ekonomik.

Mijëra biznese të vogla kanë mbyllur qepenat, njerëz që ushqeheshin permes aktivitetit të vetëpunësimit në këto biznese janë hedhur në mes 4 rrugëve nga kjo qeveri shkatërruese, nga ky kryeministër i papërgjegjshëm dhe shkatërrimtar për biznesin e vogël.

Mijëra të tjerë kanë humbur vendet e punës në kompani të mëdha e të mesme, të cilat nën presionin e taksave të rritura, nën presionin e çmimit të rritur të energjisë, nën presionin e çmimit të rritur të karburantit, nën presionin e abuzimit dhe arrogancës së rritur të Edi Ramës që përkthehet në harbutërinë e Policisë, Tatimeve, Doganave dhe çdo shërbimi qeveritar, janë detyruar për të siguruar mbijetesën e tyre, duke larguar njerëzit nga puna, duke u ulur rrogat dhe të ardhurat e tyre, duke bërë kështu që Shqipëria të jetë krah vendeve afrikane, vendeve të të varfra afrikane sa i përket fuqisë blerëse.

***

Përtej llomotitjeve dhe broçkullave të përditshme të një kryeministri me përgjegjësi kriminale për shkatërrimin e ekonomisë, një pyetje e thjeshtë fare merr të njëjtën përgjigje nga të djathtë, e nga të majtë, nga veriu në jug, nga të rinj e të reja, e nga të moshuar:

A jetoni sot më mirë?

A keni sot më shumë para për të shpenzuar?

A blen sot pensioni, rroga apo të ardhurat tuaja më shumë se para 4 vitesh?

A keni shanse më të mëdha për punësim?

Ju që jeni në punë, a jeni të sigurt për vendin e punës që keni?

A merrni shërbim shëndetësor më të mirë?

A paguani më pak për arsimimin e fëmijëve tuaj?

A paguani tarifa më të ulëta për universitetet ku çoni të rinjtë dhe të rejat?

Të gjitha pyetje që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të shqiptarit, të gjitha janë pyetje që marrin një ‘JO’ të prerë. Dhe ky nuk është një fakt politik. Kjo nuk është të bësh politikë, por të prekësh nga afër realitetin e dhimbshëm që jeton shumica dërrmuese e shqiptarëve.

Këto janë faktet. Ekonomia është shkatërruar. Taksat janë rritur. Çmimet dhe faturat e energjisë, ujit dhe karburantit, janë rritur. Fuqia blerëse ka rënë. Shqiptarët fitojnë më pak, harxhojnë më shumë, vuajnë më shumë dhe e kanë më të vështirë të gjejnë një vend pune në një ekonomi që tkurret nga dita në ditë edhe pse më shumë se 300 mijë shqiptarë, 10% e popullsisë, janë larguar për shkak të ekonomisë së shkatërruar, prapë se prapë, kjo nuk ka sjellë asnjë përmirësim, por përkeqësim edhe më të madh në tregun e punës dhe në gjendjen e përgjithshme ekonomike në vend.

Mos harroni! E morën pushtetin kur regjistri i gjendjes civile kishte 3 milionë e 140 mijë banorë rezidentë në Shqipëri, dhe sipas të dhënave të të njëjtit regjistër të gjendjes civile, sot janë 2 milionë e 740 mijë.

300 mijë i ka detyruar kjo qeveri, kjo bandë me kriminelët në pushtet, të largohen, duke shkatërruar ekonominë, duke e kthyer vendin të pasigurt, me pasiguri totale, për qytetarët, për fëmijët e tyre dhe duke shkatërtruar shpresën për një të nesërme më të mirë.

Këto janë faktet e pakundërshtueshme.

Ky është realiteti.

Çirret nga mëngjesi deri në darkë me propagandë, me gënjeshtra, me mashtrime.

E vetmja arritje e Edi Ramës, është kriminalizimi i shtetit dhe kanabizimi i Shqipërisë.

Ekonomia është shkatërruar, gjendja ekonomike e shqiptarëve është shkatërruar, papunësia është rritur, shanset për një jetë më të mirë, kanë shkuar në minus.

***

Kjo është arsyeja se pse republika e vjetër dëshiron të shkatërrojë zgjedhjet e ardhshme.

Ata e dinë se me këtë bilanc të mjerë, me këtë mjerim dhe varfëri totale që kanë shkaktuar në Shqipëri, ku askush nuk ndihet më mirë, ku fjala kryesore e njerëzve është; nuk ka punë, nuk ka shëndetësi, nuk ka arsim, nuk ka siguri, nuk ka drejtësi, dhe ata e dinë se me zgjedhje të lira dhe të ndershme, gjykimi popullor do të jetë i drejtë dhe i pamëshirshëm për shkaktarët e kësaj gjendje me në krye Edi Ramën.

Ndaj, republika e vjetër, që është fasada e këtij komploti politik dhe ekonomik, kundër fatit të shqiptarëve, kundër xhepave të shqiptarëve, kundër ekonomisë së shqiptarëve, kundër punësimit të shqiptarëve, kundër shëndetësisë dhe shërbimeve të tjera për shqiptarët, republika e vjetër pra po bën gjithçka për të mbajtur në këmbë këtë klikë të korruptuar dhe të inkriminuar.

Që ta mbajë në këmbë, kërkon me çdo kusht të prishë zgjedhjet e ardhshme.

Pengesa e vetme, forca e vetme që mund ta ndalë e ta ndryshojë këtë, jeni ju, anëtarët e kësaj lëvizje të madhe popullore që lindi me 18 shkurt e që rritet nga dita në ditë.

Ju jeni pengesa, shansi i vetëm por edhe mundësia e artë për ta ndalur dhe për ta çmontuar me themel republikën e vjetër.

Ata e dinë këtë fare mire, ndaj, taktika e tyre konsiston në dy platforma: të shkurajojnë anëtarët e kësaj lëvizje popullore që sot është më e madhe se opozita dhe Partia Demokratike përmes diversionit, kërcënimeve, shantazheve dhe gënjeshtrave. Ose të blejnë ballin e kësaj lëvizje popullore, që është opozita politike e vendit dhe Partia Demokratike.

E në funksion të kësaj të dytës, ka nxjerrë në tregun e gjësë së gjallë, postin e Presidentit të Republikës, sikur të ishte viç dhe jo institucioni që duhet të përfaqësojë unitetin e popullit, institucioni që duhet të garatojë liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

E ka nxjerrë në pazar për të joshur dhe mëkuar politikën opozitare me qëllim që të braktisë lëvizjen popullore dhe fatet e qytetarëve.

Dje e ka marrë përgjigjen. Opozita as nuk kërkon dhe as nuk pranon pazar politik në kurriz të zgjedhjeve të lira e të ndershme me postin e Presidentit të Republikës.

Presidenti i Republikës në konceptin e  Republikës së Re, dhe jo të pazarit të republikës së vjetër, i takon popullit dhe do të zgjidhet nga populli me votë direkte.

24 orë pas bërjes publike të këtij qëndrimi, ky që nuk lë fjalë pa thënë, e rrenë pa bërë, ka heshtur.

Kanë heshtur dhe Edi Rama dhe Ilir Meta për propozimin tonë për një President të zgjedhur nga populli.

Pse kanë heshtur?

Sepse është futur populli në mes dhe populli ka prishur pazarin.

Populli e prish pazarin e republikës së vjetër. Ja ku duket qartë komploti politik kundër qytetarëve që e ka emrin republika e vjetër.

Në vend që të bashkoheshin me iniciativën tonë, me iniciativën tuaj për një president të zgjedhur nga populli, kanë 24 orë që heshtin sepse në republikën e vjetër dhe në projektin e Edi Ramës vetëm populli nuk figuron, vetëm fati i qytetarëve nuk figuron. Gjithçka për karrigen e tij, gjithçka për pushtetin e tij, gjithçka për pasurinë e tij. Asgjë për qytetarët. Po oferta për vetingun pse s’kanë marrë përgjigje?

Para 48 orësh propozoi ta shtyjmë vetingun pas zgjedhjeve, përgjigja ime, përgjigja jonë është: Asnjë shtyrje për Vetingun.

Menjëherë pas qeverisë, që do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, pra menjëherë pas paktit kombëtar për qeverinë zgjedhore, ne jemi gati të votojmë vetingun dhe pesë ligjet e tjera në përputhje me marrëveshjen konsensuale, politike, të 22 korrikut dhe t’i japim rrugë gjyqtarëve dhe prokurorëve të pavarur të bëjnë punën e tyre në bazë të ligjit dhe jo në bazë të maliqit, të orekseve, paranojave apo anktheve të justifikuara të maliqit.

E kam fjalën për këtë maliqin këtu, për asnjë maliq tjetër.

Nuk e do, sepse kjo e nxjerr në pah dinakërinë, tinzarinë e tij dhe mercenarëve të Xhorxh Sorosit, që e ka mbështetur këto dy vite jo për të reformuar drejtësinë shqiptare, por për ta kapur drejtësinë shqiptare dhe për t’ia dorëzuar peshqesh njeriut më të korruptuar dhe më të inkriminuar në skenën politike ballkanike.

Njeriut, i cili është kapur me presh në duar duke paguar 80 mijë dollarë në thyerje të ligjit amerikan, për një foto, me Presidentin Obama, në vitin 2012.

I shkreti Bilal e hëngri prej këtij, por ligji amerikan parashikon që edhe përfituesit e një vepre penale, kanë përgjegjësi penale.

Nuk është vendi im t’i tregoj drejtësisë amerikane se çfarë duhet të bëjë se me siguri që do të vijë dita që do ta bëjë.

Por, është koha dhe vendi t’i përsëris ambasadorit amerikan në Tiranë, kërkesën popullore që t’i heqë vizën amerikane Edi Ramës, i cili është faktuar si shkelës i ligjit amerikan përmes donacionit ilegal në fushatën e Presidentit Obama.

Nuk ka, dhe nuk mund të ketë, dy standarde. Dikujt i hiqet viza dhe dikush e mban vizën edhe kur kapet me presh në duar, ndaj, e përsëris kërkesën time publike, hiqja vizën amerikane Edi Ramës.

***

Heshtje për ofertën e presidentit, sepse ka hyrë populli në mes. Populli u prish punë këtyre.

Heshtje për ofertën e vetingut, sepse kanë frikë. Këta janë ata që kanë frikë nga gjyqtarët dhe prokurorët e pavarur,  të pakorrutuar e të pakorruptueshëm.

Heshtje totale prej 24 orësh, sepse e gjithë kjo betejë po zhvillohet për dy palë interesa.

Ne jemi këtu, jo për interesin tonë, jo për interesin e Partisë Demokratike, jo për interesin e opozitës, aq më pak për interesin tim apo kujtdo lideri tjetër politik.

Ne jemi këtu, për interesin publik dhe kombëtar të qytetarëve shqiptarë, të cilët e dinë fare mirë se asgjë nuk do të ndryshojë në jetët e tyre, në ekonominë e tyre, për punësimin e tyre, për cilësinë e tyre të jetës, nëse nuk shkatërrojmë aparatin kriminal që dikton sot qeverisjen e vendit.

Asgjë nuk do të ndryshojë nëse nuk nxjerrim kriminelët nga zyrat e shtetit, nëse nuk i themi ndal drogës, nëse nuk kemi qeveri që ulet dhe nderon qytetarin shqiptar, jo kriminelin, jo narkotrafikantin, apo oligarkun e zhages, por vetëm qytetarin shqiptar, Asgjë nuk do të ndryshojë nëse kjo betejë nuk përmbyllet me fitore, dhe prelud i fitores, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme me qeveri teknike që do të kryejë dekriminalizimin sipas ligjit, do të luftojë drogën dhe do të mundësojë zgjedhje të lira dhe të ndershme me votim biometrik, elektronik dhe numërim elektronik për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Kush fiton? Qytetarët fitojnë. Të djathtë e të majtë.

Të gjithë qytetarët fitojnë, pavarësisht prej bindjeve të tyre politike, pavarësisht se për kë e hedhin votën e tyre në zgjedhje.

Çdo qytetar fiton me kauzën e kësaj lëvizje popullore. Ja që nuk po luftojmë për asgjë në lidhje vetëm me Partinë Demokratike dhe për gjithçka në lidhje me fatet e çdo shqiptari dhe çdo shqiptareje, sot dhe nesër.

Me fitoren e kësaj kauze, fiton çdo shqiptar.

Kriminelët nxirren nga institucionet, fitojnë të djathtët dhe të majtët.

Droga ndalet dhe nuk dikton proçesin politik, fitojnë të djathtët dhe të majtët.

Zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku as kriminelët, as të korruptuarit, as militantët nuk diktojnë dot, voton apo nuk voton dot, ta marr apo ta jap kartën e identitetit, ta numëroj apo nuk ta numëroj votën, kush fiton?

Çdo shqiptar fiton kur kjo kauzë fiton, prandaj fitorja e kësaj kauze është e pashmangshme, totalisht e sigurt, sepse është kauza e çdo qytetari shqiptar.

***

Por nga ana tjetër, dikush siç e ka thënë vetë, ka shumë shumë për të humbur. Edi Rama humbet pushtetin e tij mbi krimin. Edi Rama humbet miliardat që merr nga droga. Edi Rama humbet mundësinë ta trajtojë shtetin si parti – shtet më keq se në kohën e Ramiz Alisë, duke vënë të gjitha institucionet e shtetit në funksion të Partisë Socialiste me kërcënime, me shatazhe, me sms-ra, me heqje nga puna, me përdorim të mësuesve, të shkollave, të klasave, të nxënësve, të policëve, të anëtarëve të Forcave të Armatosura, të shëndetësisë, si asnjëherë më parë.

Kjo është shpresa e tij e vetme.

Ky është projekti ogurzi i Edi Ramës. Prandaj nuk ndahet dot nga karrikja e kryeministrit, se që të ndahet nga karrikja e kryeministrit, do të thotë të zbresë në garë i barabartë, dhe i barabartë në garë ai e di fare mirë se çfarë e pret me votë të lirë dhe të ndershme.

Gjithçka për të shmangur lojën e ndershme.

Përse e bën?

E bën për socialistët?

Sigurisht që jo, se nuk ia kanë parë hajrin as socialistët, hajrin ia kanë parë vetëm një grusht kriminelësh që nuk i gjeti në PS, por i nxori nga burgjet dhe i solli në PS.

Socialistët shqiptarë, janë vëllezërit dhe motrat tona, shpeshherë edhe brenda familjes, në mes komshinjve tanë, janë bashkëqytetarët tanë dhe ndajnë në tërësi problemet që ndajnë demokratët, opozitarët dhe gjithë shqiptarët.

Plani i Edi Ramës për të mbajtur me cdo kusht e cdo mjet karriken kryeministrore nuk është as për socialistët shqiptarë, as për demokratët, jo e jo, është vetëm për Edi Ramën dhe për bandën e kriminelëve me të cilët ka ndarë dhe ndan pushtetin dhe privilegjet e pushtetit, tash 4 vjet.

Përballë janë qartësisht interesat e një populli të tërë që i thotë Edi Ramës: hap rrugë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe interesat e Edi Ramës dhe një cete banditësh e të korruptuarish që i thonë popullit; Mbylle! Qepe! Largohu se këtë vend e kam pronën time.

Në kuadër të kësaj, ka paralajmëruar se PD, opozita e vendit mund të zëvendësohet nga një opozitë të cilën do të na e emëroka Edi Rama pas zgjedhjeve që do të bëjë, apo pas votimeve që do të bëjë pa opozitë më 18 qershor.

E qartë! Kjo është ambicia e tij finale, kjo ëhstë cmenduria dhe deliri i një njeri që pasi ka dështuar me cdo premtim që iu dha shqiptarëve, tani e bezdis edhe opozita dhe do të emërojë vetë atë.

Ndodh, ka vende ku diktatorët emërojnë opozitën. Ne vetë, kemi jetuar në një vend të tillë, ku diktatori jo vetëm e emëronte opozitën, por edhe e likujdonte opozitën.

Por, mendoj se nuk jam as i gabuar, as i ekzagjeruar, po të konstatoj dhe të konfirmoj sot, në emrin tim, në emrin tuaj dhe në emër të cdo shqiptari se, kjo ditë në Shqipëri, nuk do të kthehet, kurrë.

Nuk do të kthehet kurrë, dhe, nëqoftëse dikush, kushdo qoftë ai, bën hesape të tilla, të emërojë opozitë, pra të likujdojë de-facto opozitën, të bëjë gati valixhen e të shkojë në azil, para se populli ta ngrejë zgupthi.

***

Me qëndrimet e tij Edi Rama ka paralajmëruar qartësisht, dështimin e negociatave që presim të martën e ardhshme.

Ai po e thotë qartë, të zezë mbi të bardhë, se për karrigen time, për pushtetin tim, për pasurinë time dhe të një grushti kriminelësh e oligarkësh, nuk i hap rrugë zgjidhjes që kërkojnë qytetarët dhe opozita, pra nuk i hap rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Edi Rama ka paralajmëruar këto 48 orë dështimin e negociatave akoma pa mbërritur, ndërmjetësit europianë.

Por, ne jemi totalisht të qartë e të vendosur, në objektivin e përbashkët për Republikë të Re, për zgjedhje të lira dhe për një qeveri, që i garanton ato.

Jemi të qartë e të vendosur.

Propaganda e Edi Ramës synon të trembë shqiptarët. Sot na flet për në 97. Dhe thotë që këtu, janë ata që kanë bërë ‘97. Në fakt, i ka në krah, me Gramoz Rucër e me shokë, i ka në krah. Shumica e këtyre që janë këtu në çadër, as nuk kishin lindur në 97. Por një gjë ta ketë të qartë. 97 për prapanicën tënde nuk do të bëhet kurrë.

Populli nuk do të përcahet, populli po bashkohet. Ne jemi totalisht të vendosur për ta cuar këtë betejë deri në fund, me fitore.

Por, ne jemi totalisht të vendosur ta marrim këtë fitore për të gjithë shqiptarët pa u thyer një gotë, pa u këputur një lule, paqësor, demokratik, e të vendosur deri në fund.

Ndaj, hiq dorë nga përcarja, hiq dorë nga kërcënimet, dhe kot i harxhon lekët që u ke vjedhur shqiptarëve, duke i cuar zhagen këtyre që kishin shkruar sot, se kishte shkruajtur një një farë Martin “zhagia”.

Dhe disa nga mediat tona e kishin marrë e përtypur të gjitha si lopa…

Po pse, Martin zhagia është Bashkimi Europian?

Nuk ka dhe nuk ka për të pasur dhunë.

Ka, dhe ka për të patur qëndresë dhe vendosmëri paqësore demokratike ditën e Hënë dhe cdo ditë në vijim, derisa populli i vendosur dhe i bashkuar, të sigurojë zgjedhje të lira e të ndershme dhe me votë të lirë e të ndershme, ta shporrë krimin, ta shporrë drogën, ta shporrë korrupsionin dhe ti hapë rrugë të vetmit projekt për Shqipëri europiane, për Shqipëri të zhvilluar, për Shqipëri moderne,  që nuk mund të vijë kurrsesi nga autorët e krimit, nga autorët e drogës, nga autorët e korrupsionit, por do të vijë e po vjen kalëruar mbi shpresat e një populli të tërë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë,

Zoti i bekoftë shqiptarët.

Fjala e mbajtur sot në ‘çadrën e lirisë’