Në një kohë që Korabi ka dalë nga objektivat në këtë sezon futbollistik, drejtuesit e klubit janë duke menduar për kampionatin e ardhshëm, ku do të luajnë në Kategorinë e Parë, duke u dhënë hapësirë lojtarëve të rinj. Mendi Murrja, 18-vjeçari i cili debutoi në Superiore ndeshjen ndaj Skënderbeut, në një prononcim për “Panorama Sport” u shpreh:
“Pata emocione të mëdha në aktivizimin tim për herë të parë në ndeshjen ndaj Skënderbeut të cilat nuk i përmbaja dot, madje në disa raste më dridheshin gjunjët. Ishte diçka që u prit me mjaft emocione nga ana ime dhe e pabesueshme që pikërisht në këtë ndeshje kundër kampionëve të Shqipërisë të niste edhe karriera ime si futbollist i Superiores. Megjithatë, gjatë lojës fillova të ambientohesha”, ka thënë sulmuesi, i cili tregon edhe objektivat për të ardhmen.
“Shpresoj që kjo nisje të jetë një impuls që unë të kontribuoj për Korabin dhe Dibrën edhe në të ardhmen, por objektivi im është që çdo vit të ngjis shkallët e karrierës dhe që pas 4-5 sezoneve të jem pjesë e ekipeve më të mira në elitën e futbollit shqiptar”, ka përfunduar Murrja, i cili, me sa duket, në ndeshjet e radhës do të ketë më shumë hapësira të dibranët.
Ndërkohë, skuadra e Korabit ka vazhduar normalisht përgatitjet për ndeshjen e radhës që do të luajë në shtëpi ndaj Luftëtarit. Dibranët i luajnë ndeshjet e tyre që të respektojnë kampionatin, duke qenë se janë të rënë nga Kategoria Superiore.
ABDULLA DUSHKU