U shkarkua sepse ankohej për financat, Haxhiu: Me Korabin në gjyq

409

Ish-trajneri i Korabit, Gerd Haxhiu, do ta ndjekë në rrugë ligjore shkarkimin nga klubi dibran. Në një intervistë të dhënë për “Zona Gol” që nga Korça ku kishte udhëtuar për të festuar Pashkët, ai sqaroi se debati i fundit me administratorin Mëziu, që solli edhe shkarkimin, erdhi për shkak të qerave të banesave.

Në gjyq pas shkarkimit

“Kam bërë edhe seancën e fundit të stërvitjes dhe më kemi pasur një debat. Gjithmonë është problemi financiar; nuk jemi ndarë mirë. Nuk udhëtova me skuadrën në Korçë, por në darkë vonë më vjen një mesazh nga administratori i klubit, që më komunikoi shkarkimin. Në përgjigjen time ia kërkova vendimin me shkrim dhe këtë do të kërkoj, për të vazhduar më pas procedurën time ligjore.”

Debatet e mëparshme

“Pikërisht në Korçë, kanë qenë ditët e para, java e parë kur firmosa kontratën. Bëmë një marrëveshje, sipas së cilës duhej bërë edhe shlyerja financiare, e cila nuk po kryhej. Komunikova me drejtuesit, mu premtua në darkë vonë dhe të nesërmen në mëngjes udhëtova me skuadrën. E njëjta gjë ndodhi edhe në ndeshjen në Gjirokastër, deri sa u krye edhe likuidimi.”

Debati pas Flamurtarit dhe çështja e qerave të banesave

“Unë i kam kërkuar që djemtë duhen falënderuar, sepse vajtën kohë që nuk paguhen dhe me përulësi vijojnë të stërviten. Por, ndoshta pas debatit të fundit, edhe vetë administratori e kuptoi që kështu nuk mund të vazhdohet më. Ndoshta edhe unë nuk mund të toleroja më. Kemi të bëjmë me palë të tretë, nuk ka më një marrëdhënie midis nesh ku edhe mund të bëjmë një marrëveshje. Ishte një marrëdhënie me palët e treta dhe më konkretisht me qeratë e shtëpive.”