Anketa e BSH/ 29 % e shqiptarëve marrin borxh, shumica në mënyrë informale

332

Familjet shqiptare rrisin huamarrjen në tregun e zi. Në një anketim në mbi 1200 familje, Banka e Shqipërisë ka gjetur se 29% marrin borxh. Në totalin e borxhlinjve 62% të rasteve u janë drejtuar burimeve joformale në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2016. Kjo tendencë u thellua në krahasim me periudhat paraardhëse argumentoi Banka.

Vrojtimi nxori se rreth 29% e familjeve deklarojnë së kanë hua për të paguar dhe kjo peshë ka rënë pak krahasuar me pjesën e parë të vitit dhe krahasuar me një vit më parë.

Në 95% të rasteve, huamarrja është në lekë dhe kjo peshë ka ardhur duke u rritur. Në 38% të rasteve të huamarrjes, familjet i janë drejtuar burimeve formale (banka dhe institucione jobankare) dhe në 62% të rasteve i janë drejtuar burimeve joformale, kryesisht në cash.

Krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2016, kjo shpërndarje është zhvendosur në favor të huamarrjes joformale kundrejt asaj formale, si rezultat i rritjes së rasteve të huamarrjes nga persona fizikë. Tre qëllimet kryesore të huamarrjes mbeten për konsum (42% e rasteve të huamarrjes), blerje/riparim prone (29% e rasteve) dhe zhvillim biznesi (12% e rasteve).

Gjatë periudhës së vrojtuar, shpërndarja e rasteve të huamarrjes sipas qëllimit të kredisë, është zhvendosur në favor të huamarrjes për konsum. Totali i tepricës së raportuar të huasë rezulton në rënie krahasuar me vrojtimin e kaluar dhe krahasuar me një vit më parë.

Rreth 80% e tepricës është siguruar nga burime formale dhe 20% nga burime joformale, duke u zhvendosur disi drejt huasë joformale. Në përbërjen sipas monedhës, 97% e tepricës deklarohet në lekë dhe vetëm 3% në euro shkruan Monitor.

Sipas qëllimit të përdorimit, rreth 57% e tepricës së huasë deklarohet për “blerjen/riparimin e një prone”, 24% për “zhvillimin e një biznesi” dhe vetëm 10% për qëllime “konsumi”. Familjet huamarrëse vlerësojnë rënie të këstit të kredisë gjatë periudhës referuese, duke reflektuar uljen e normës së ponderuar të kredisë për individët.

Në lidhje me aftësinë paguese, vlerësohet përmirësim i aftësisë paguese në terma vjetorë dhe gjashtëmujorë, ndërsa pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit janë optimiste. Kërkesa për kredi mbetet e dobët, por gjithsesi në tendencë rritëse gjatë gjithë vitit. Mundësia për të marrë hua është rritur lehtë në pjesën e dytë të vitit, duke iu afruar nivelit të mesatares afatgjatë.