Rama: S’ka krizë politike, PD është ngujuar në çadër sepse ka frikë nga drejtësia!

319

Deklarata e Edi Ramës pas seancës për Vettingun.

“Ata që janë ngujuar në çadër janë aty nga frika nga drejtësia.

Refuzimi i vazhdueshëm për të mos u bërë pjesë e një procesi historik që përkon me një aspiratë çerekshekullore të këtij populli për të çliruar drejtësinë nga kthetrat e të korruptuarve dhe për ta shndërruar atë nga pazari i gjësë së gjallë në drejtësi europiane, është një njollë e zezë turpi që partia që lindi me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” po i bën vetes, por dhe një njollë e zezë që po përpiqet nga frika e madhe nga drejtësia, t’ia vërë Shqipërisë.

E kanë thënë edhe ndërkombëtarët, moskryerja e Vettingut cenon rëndë anëtarësimin në BE, vonon uljen në tryezën e BE për të negociar anëtarësimin. Fatkeqësisht, PD tanimë është gati të na ndajë për së gjalli nga Europa ku duam të bëhemi pjesë, vetëm e vetëm për t’iu shmangur ballafaqimit me drejtësinë të atyre që kanë kusure për të larë në një shtet të së drejtës.

Ne sot vazhduam të jemi në lartësinë e aspiratës së shqiptarëve. Vazhduam të çojmë përpara një proces pa kthim. Vettingu mund të vonohet, por nuk mund të ndalohet dot.

Do të bëjmë çdo përpjekje për të nxitur zgjidhjen, për të kërkuar hapësirën e dialogut.

Jemi të inkurajuar nga fakti që vendi mi ynë për t’iu drejtuar PPE, si një familje ku bën pjesë PD, për të lehtësuar komunikimin me PD është dëgjuar pozitivisht dhe shpresojmë që tu jepet mundësia PPE ta ndihmojnë PD. Nëse PD sillet dhe me PPE siç janë sjellë deri tani me të gjitha përpjekjet tona për dialog, do jetë mision i pamundur edhe për vetë PPE.

Kur dëgjon që edhe ministri i jashtëm gjerman qenka i painformuar, BE na qenka i painformuar, e SHBA gjithashtu, atëherë është e paimagjinueshme. Nuk jemi në një krizë politike, por në një krizë nervore të PD”.