10 ton drogë/ Shefi i arrestuar i policisë së Durrësit, dikur jepte leksione për trafikun e kanabisit

530

Julian Doraci është Shefi i Stacionit Policor të Portit të Durrësit, i arrestuar mbrëmjen e së dielës, si një prej 18 të dyshuarve të përfshirë në trafikimin e më shumë se 10 ton hashash drejt Italisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda zyrtarisht njoftoi se Doraci, sëbashku me 9 policë të Portit, si dhe 8 doganierë të Qafë – Thanës, Durrësit e Tiranës, janë të dyshuar se kanë siguruar kushtet për kalimin e dy ngarkesave të ndryshme nga Shqipëria në Itali, në Shkurt dhe Mars 2017.

Por Komisar Julian Doraci, në detyrën e shefit të Stacionit Policor të Portit të Durrësit jepte 10 muaj më parë intervista në media, për sofistikimin e mënyrave të trafikimit të lëndëve narkotike drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Në një intervistë të dhënë për Televizionin Klan, më 26 Qershor 2016, Komisar Julian Doraci deklaronte se: “Janë duke i sofistikuar, sidomos tek pjesa e elektronizimit të modus operandit të trafikimit të lëndës narkotike. Një mjet i vogël që kaloj për kontroll në pikën e kontrollit në garazh kishte një pjesë të modifikuar të makinës në një mënyrë profesionale, me një dritare të elektronizuar, pra me anë të një butoni i bënte hapje e një dritare të fshehtë mbas tapicerisë të këmbës së pasagjerit. Skaneri S2 Albania nuk të nxjerr nëse ka droge apo jo, por skaneri jep dyshime se në strukturën e kamionit, në këtë pjesë ka diçka të dyshuar që nuk duhet të jetë.”

Për më tepër, ndiqni kronikën më lart, ku 39 – vjeçari Julian Doraci shpjegon rreth mënyrave të reja të veprimit të trafikimit.

Dy episodet për të cilat Prokuroria e akuzon:

Rasti i parë, i ndodhur në datën 05.02.2017, kur në Itali u kap një kamion me 8 ton drogë, e cila kishte hyrë në Shqipëri nga Maqedonia nëpërmjet pikës doganore Qafë – Thanë dhe ka dalë nga pika e kalimit kufitar në portin e Durrësit. Për këtë rast, para pak javësh u arrestuan edhe 4 punonjës policie të Qafë – Thanës.

Rasti i dytë ka ndodhur në datën 24.03.2017, kur në Itali u kap një kamion me shofer shqiptar, me rreth 2.2 ton kanabis në bord./tvklan.al