Valbona Selimllari: S’kam qenë e bukur, ja pse më thërrisnin ‘Bobi’

460

Kanë kaluar 22 vjet që atëherë, por Valbona Selimllari është po aq e bukur dhe njësoj e mirë. Madje ca më shumë. Ajo është gruaja më e bukur shqiptare. Në një intervistë të publikuar vite me parë, ish-miss Shqipëria rrëfen për fëmijërinë, planet dhe projektet e ardhshme.

Nga Rudina Xhunga

Si ju duket kur ju thërrasin Bobi?

Kështu më kanë thirrur që fëmijë, kur mësoja djemtë të luanin futboll, ndaj ata më flisnin me emrin e trajnerit të famshëm anglez. Tani me këtë shkurtim më thërrasin vetëm miqtë e afërt.

E kujtoni ditën kur para pasqyrës i thatë vetës: “Qenke e bukur”?

S’kam qenë e bukur. Isha një fëmijë i zakonshëm që para fëmijëve të tjerë të shtëpisë mund edhe të quhej i shëmtuar. Prindërit më shanin pse nuk mësoja. Vetëm gjyshi më fërkonte kokën duke më thënë: “S’ka gjë Bona, ti mos mëso, asgjë mos bëj. Ke fat”.

Ishit fëmijë i llastuar, apo një vogëlushe e mirë që kurrë s’thoshte jo?

Kam qenë mistrece. Zihesha për hiçmosgjë. Më vjen ndërmend që në fillore jam zënë me grushte me një djalë pse ngacmoi një vogëlushe.

Mashkulloritet te Bona?

Unë do e përkufizoja personalitet. Kam qenë një vajzë e zakonshme, por që asnjëherë s’e ka pranuar nëpërkëmbjen, duke imponuar kësisoj respekt.

“Bona e mirë. Bona e mirë”. Në fakt mirësia juaj është tek ajo çka shpreh, apo ajo që fsheh?

Unë shpreh gjysmën e asaj që kam. Mirësia keqkuptohet. Megjithatë dua, apo jo unë, thonë se sytë më shprehin shumë.

Do të vijë një moment kur të thoni: “U lodha me të mirë” e do të përdorni grushtet si e vogël”?

Mundet. Por vështirë të kthehem tek fëmijëria. Grushtet ishin shprehje mbrojtjeje e një fëmije krenar, por të dobët. Kohët e vështira për mua kaluan.

Për ju do të thuhet gjithmonë: “Na ishte njëherë Miss-i i parë shqiptar”, apo fshihni plane të tjera ambicioze?

Për mua do të thuhet një ditë më shumë.

Por, no coment?

Koha do të flasë.

Do të bëheni regjisore e aftë pse ndiqni shkollën, apo pse ndiqni hap pas hapi Vera Grabockën?

Do të bëhem e aftë pse ndjek Verën. Unë studioj për dramë. Shkolla më ndihmon, por shkollën e Vera Grabockës do ta kishte zili çdo njeri.

Megjithatë ti do shumë të prezantosh…

Megjithatë unë dua shumë të prezantoj. Dua që këto 5, 6, 10 vjet që do të vazhdoj të jem e bukur, të vazhdojë të më shohë kamera. Pastaj kam sigurinë se më do publiku. Ndoshta është edhe përshtypje e gabuar, sepse njeriu shpesh nuk shikon atë që duhet të shikojë, por atë që i pëlqen. Pas spektaklit të dytë, që prezantova, më ndaloi një grua dhe më tha: “Je kaq e bukur, por kur flet na le me gjak të ngrirë, duke pritur me frikë sa të mbarosh”. Unë nuk munda ta rregulloj këtë defekt timin, pasi spektakli mbaroi, por i thashë vetes se në një spektakël të tretë duhet të shkëlqeja.

Ç’do kujtonit nga momenti kur fituat kurorën e bukuroshes së tretë në botë, edhe pse në një konkurrim pak të njohur?

Shumë pak për të kujtuar, por dua të veçoj parandjenjën time. Vajza të bukura kishte plot, të paktë ishin ata që dinin për Shqipërinë, veç unë parandieja fort, si atë mbrëmje kur u shpalla Miss-i i parë shqiptar. Një natë më parë pashë në ëndërr sikur isha shndërruar në supergrua dhe mbaja në krahë dy vajza të rritura. Pesha e tyre ishte e madhe, ndaj i lashë me kujdes në tokë, për të fluturuar. Ndjeja ajër, frymëmarrje, lëvizje. Unë besoj gjithherë të parandjenjat e mia ndaj s’dyshoja se dhe asaj here s’do më gënjenin./Dritare.net