Meçe: Kundër ndërtimit të Rrugës së Arbërit, nuk ka leverdi ekonomike

703

Arben Meçe, inxhinier dhe hartues i shumë projekteve rrugore, shprehet kundër ndërtimit të Rrugës së Arbrit. Në analizën e tij, Meçe thotë se ky segment nuk duhet të jetë prioritar pasi nuk sjell leverdi ekonomike. Ai konsideron dhe mekanizmin e financimit të kësaj rruge si një borxh që do të rëndojë mbi qeverinë, por me interesa më të larta se ato të bankave.

Mendoni se Shqipëria ka interes ekonomik në ndërtimin e Rrugës së Arbrit? Sa mendoni se duhet të jetë vlera për ndërtimin e saj?

Kur flasim për rrugët duhet të kemi parasysh planin kombëtar për rrugët, i cili duhet të bëjë transparent një studim fizibiliteti për të gjithë infrastrukturën rrugore në Shqipëri. Çdo lloj debati që ne mund të bëjmë nëse Rruga e Arbrit është fizibël ose jo, bie poshtë për sa kohë që ne sot nuk kemi të dhëna të mjaftueshme për të bërë këtë gjykim. Personalisht unë mund të them që ajo rrugë nuk është fizibile. Në fund të fundit, do të lidhesh me Maqedoninë, për të mos thënë që ka një rrugë tjetër që tërheq më shumë mallra drejt Maqedonisë.

E kam fjalën për rrugën e Pogradecit dhe Korçës që mbledh fluksin e të gjithë zonës tonë verilindore. Për mua, kjo është një rrugë politike më tepër se një rrugë komerciale. Rrugë politike ishte edhe ajo që u quajt “Rruga e Kombit” dhe unë vazhdoj të them që nuk është Rruga e Kombit. Pavarësisht se lidh Shqipërinë me Kosovën, përmasat e saj i kalojnë kapacitetet portuale dhe kapacitetet përcjellëse. Shqipëria nuk ka treg për të investuar në përmasa të tilla drejt Kosovës dhe drejt Maqedonisë.

Atëherë në çfarë rrugësh duhet të investojë Shqipëria?

Personalisht, Shqipërinë e shoh më mirë nëse investon në dy drejtime: në zhvillimin turistik të saj, çka nënkupton që investimet kryesore të Shqipërisë duhet të ishin në infrastrukturën rrugore të rrjetit që quhet Hani i Hotit – Sarandë, dhe nëse Shqipëria do ta zhvillonte në parametra autostrade këtë rrugë, kjo do të sillte përfitimin më të madh për Shqipërinë. Segmenti i dytë shumë i rëndësishëm është Korridori i 8. Korridori i 8 tashmë është devijuar, është devijuar drejt Korridorit të 9 dhe linjave serbe, që u quajt Rrugë e Kombit, që për mua është linjë serbe, përsëri kemi devijim, që është kjo rrugë që na shpie drejt Dibrës. Korridori i 8, ose Rruga Egnatia, është rruga që i duhet Shqipërisë, që u ka rezistuar shekujve dhe ka qenë rrugë strategjike.

Ajo nuk është thjesht një rrugë ku kalojnë makina, por është rrugë strategjike. Unë nuk jam kundër investimeve në rrugë, rruga është jetë për ne, por ne duhet të përcaktojmë prioritetet. Në të gjitha studimet që unë kam bërë, këto të dyja janë korridoret strategjike për Shqipërinë. Çdo investim tjetër ka vetëm karakter politik. Rruga e Arbrit është një aset në Shqipëri, por nuk është prioritar.

Vlera prej 190 milionë eurosh është e madhe apo e vogël për ndërtimin e kësaj rruge?

Nuk mund të bëj analizë për vlerën, por di të them që shifra 190 milionë euro është për ta përfunduar. Sa janë shpenzuar dhe sa do të shpenzohen, këtë ende nuk mund ta dimë.

Si ju duket mekanizmi i financimit të kësaj rruge?

Mënyra e financimit të rrugës për mua është një problem i madh. Shqipëria ka hyrë në një mekanizëm të investimeve me Partneritet Publik-Privat. Për mua këtë zgjidhje e bëjnë të gjitha vendet në kushtet kur kapacitetet buxhetore të tyre janë të limituara dhe Shqipëria ndodhet në një kuadër të tillë. Shqipëria ka një mekanizëm buxhetor të shkatërruar për 25 vite. Kështu edhe zgjidhja përmes Partneritetit Publik-Privat nuk bën gjë tjetër përveçse akumulon borxh për buxhetin për vitet e ardhshme. Vetëm se borxhi është i fshehur. Ti e merr këtë borxh dhe thua do ta jap nesër, por përsëri borxh është. Merre borxh dhe bëje investimin, quhet borxh.

Por, me këtë mënyrë, qeveria thotë që nuk ua marr borxh bankave pra, nuk e shpall si borxh, por ia marr privatit dhe them është Partneritet Publik – Privat. Për mua dhe ky është borxh, dhe është po aq i fshehur sa ky i pari. Forma PPP është borxh, në kushtet se si po e zhvillojnë. Nëse e jep me koncesion, ku kompania bën investimin dhe investitori përmes saj thith të ardhurat, në këtë rast jemi në kushtet e koncesionit ku i jep prioritet investimit të privatit, ku në bazë të mirëmenaxhimit të tij dhe projekt-idesë së tij realizohet fitimi.

Ti sot me këtë formë vepron me plane biznesi që nuk i ke bërë ti, por privati dhe ai e shkruan sa të dojë vlerën e investimit. Kur ti e sheh pastaj që vlera e investimit nuk përkon me vlerën reale të ecurisë në terren, e sheh se ky kamuflim ka brenda fitime më të larta se dhe vetë interesat e bankave. Në shumë projekte të formës PPP që unë kam studiuar ose më janë dhënë për t’i zbatuar, kam parë që vlera e planit të biznesit të tyre është shumë më e lartë se plani real.

Burimi: Revista Monitor