Kromi, njëra nga pistat e vrasjes së ish-komisarit Artan Cuku

333

Prokuroria e Krimeve të Rënda konfirmon se i ka regjistruar hetimet për vrasjen e ish-komisarit Artan Cuku, mbi dyshimet e vrasjes për shkak të detyrës. Për të zbuluar autorët, prokurorët janë fokusuar në tre pista kryesore.

Njëra prej tyre ka lidhje me konkurrencën. Informacionet paraprake tregojnë se Cuku, si administrator i një policie private, kishte patur përplasje kohët e fundit me përfaqësues të një shoqërie të ruajtjes fizike për disa miniera kromi, raporton Top-Channel.

Por ndërkohë, drejtuesit e Krimeve të Rënda kanë urdhëruar verifikimin e dosjeve më të përfolura në të cilat ka qenë i angazhuar gjatë 16 viteve si zyrtar i Policisë së Shtetit, komisari Artan Cuku.

Njëra nga dosjet më të dyshimta, shpjegojnë burimet, ka lidhje me urdhërin e Cukut për të rihapur hetimet ndaj një grupi trafikantësh në Vlorë. Ka të dhëna se për këtë urdhër, komisar Cuku, në atë kohë drejtor i Policisë së Vlorës, është kërcënuar me jetë.

Pista e tretë, po aq e fortë është ajo e vrasjes për gjakmarrje. Vite më parë, teksa Cuku merrte në pyetje Agim Dakën për të zbuluar vendndodhjen e vëllait të tij të kërkuar, i riu humbi jetën në ambjentet e komisariatit.

Kjo ngjarje, e ndodhur 12 vite më parë, pas hetimeve të prokurorisë u mbyll si vetëvrasje, por që megjithatë ky episod e ndoqi Cukun gjatë në karrierën dhe jetën e tij.

Megjithatë, ditët e fundit anëtarë të familjes Daka pohuan se këtë çështje e kishin mbyllur, me një negociatë të zhvilluar në xhami me komisarin.

Një vit më parë vëllai i Dakës, Bujar Daka, shkaku i përplasjes me komisar Cukun, u lirua nga burgu. Ai ishte arrestuar pikërisht ditën e funeralit të vëllait të tij.

/bulqizaime.al/