Haxhiu nuk jep garanci nëse Korabi arrin të mbyllë sezonin

379

Edhe pse matematika nuk e ka thënë ende fjalën e saj, tashmë të gjithë janë të sigurt se Korabi do të përfundojë në Kategorinë e Parë në sezonin e ardhshëm. Dibranët janë të vulosur në vendin e fundit në klasifikimin e Superiores dhe pas problemeve financiare dhe përjashtimit të disa titullarëve, duket se kanë siguruar biletën për zbritjen.

Por kjo gjë mund të ndodhë edhe më shpejt sesa mendohet, pasi kolapsi financiar i klubit të mbetur pa donatorë, rrezikon seriozisht shpërbërjen e ekipit pa u mbyllur sezoni. Këtë e pranon me sinqeritet edhe trajneri Gerd Haxhiu i cili ditët e fundit ka pasur një përplasje me administratorin Fehmi Mziu. Ndonëse ai kërkon që skuadra të respektojë kampionatin, nuk di të thotë edhe sa mund të rezistojnë lojtarët në situatën e krijuar.

“Nuk është se bëhej fjalë për largim, apo se kërkoja ndonjë shkak për tu larguar. Kam qëndruar dhe po qëndroj me vullnet të plot. Jemi këtu, po sakrifikojmë, por nuk e di edhe sa do të mundemi. Mirë për pagesa apo për rroga, ushqime që nuk bëhet fjalë, por të paktën për detyrimet me të tjerët jashtë sportit, që janë pagesat e shtëpive apo udhëtimet.

Ishte një debat normal me një person që po mundohet me mish e me shpirt, edhe përtej mundësive të tij, që ne të vazhdojmë garën. Ende nuk ka nisur faza e katërt. I bie edhe dy muaj dhe realisht nuk e di”, pranoi ai për “SuperSport”.