Akumulacioni i Liqenit të Dibrës, i cili u ndërtua kah fundi i viteve të 60-ta, mbuloi tokat më pjellore të dibranëve, shkruan gazeta KOHA. Fusha e Udovës, e cila ishte hambari i Dibrës u përmbyt nga ujërat e liqenit artificial, i cili u ndërtua nga sistemi monist për t’u ndërtuar Hidrocentrali “Spile”. Por, nga fillimi deri sot, dibranët kurrë nuk ia panë hairin këtij kapaciteti energjetik.
Dibranët e dëmtuar morën pagesa minimale për tokën e humbur pjellore , edhe pse u soll vendim nga Qeveria e atëhershme, që rryma elektrike të jetë pa pagesë për funksionimin e Sistemit të vaditjes së Fushës së Dibrës, kjo kurrë nuk ndodhi, kurse ky hidrocentral nuk ka ndihmuar Dibrën në asnjë projekt, edhe pse ka qenë financues i madh i shumë klubeve dhe institucioneve të vendit.
Por, kohëve të fundit duket se është mbushur kupa e revoltës së dibranëve për atë çka bëhet në këtë hidrocentral me punësimet e shumta të personave, të cilët nuk janë nga Dibra. Sektori qytetar ashpër ka reaguar në drejtim të mënyrës së punësimeve në këtë hidrocentral, i cili për shkaqe të njohura – antidibrane, tani më është në Sistemin e hidrocentraleve të Drinit të Zi.
Dritan Lleshin i shoqatës “Një Dollar për Dibrën” ka thënë se këta punësime irritojnë me të drejtë dibranët. Tani kur Dibra ka shumë kuadro të rinj të papunë, në këtë hidrocentral nuk punësohet dibranë, por punësohen të tjera edhe atë nga komuna Mavrovë – Rostush, Qendër Zhupa, Struga dhe Ohri.
Kjo flet për politikat jokorrekte dhe tendencioze të ELEM-it. Në këtë hidrocentral, në të cilin për çdo ditë ka punësime të reja, me gishta mund të numërohen dibranët. Edhe kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik, Bashkim Mashkulli, vlerëson se punësimet në hidrocentral nuk janë korrekte.
Dibranët në këtë dukuri negative reagojnë dhe thonë se definitivisht duhet të ndërmerren masa për parandalimin e punësimit të të tjerëve, sepse Dibra ka kuadro të veta. Po ashtu, sipas tyre, prodhimi i energjisë elektrike në këtë central është fal humbjes së tokave të prindërve dhe gjyshërve të tyre dhe tani të tjerët marrin mjete materiale nga kjo pasuri e dibranëve.
Në një situatë kur migrimi i të rinjve dibranë ka përmasa tejet shqetësuese, me që migrojnë edhe shumë të rinj me diploma universitare, nuk duhet toleruar, thonë dibranët, dhe kërkojnë nga partitë politike shqiptare dhe institucionet lokale dhe qendrore, të reagojnë kundër ELEM. Në disa prononcime në media, përfaqësues të ELEM kanë thënë se punësohen kuadro profesionale, gjë që, sipas dibranëve, nuk mban.
Sipas përfaqësuesve të familjes Dede, të cilët kanë pasur shumë tokë pjellore në fushën e Udovës, Dibra është ushqyer nga kjo fushe, e cila sot është nën ujë. Fusha ka pasur shumë ujë dhe me ujitjen e saj prodhimtaria bujqësore ka qenë e lartë. Të njëjtën e pohojnë edhe anëtarë e familjes Duraku. Edhe ata kujtojnë vitet kurë pikërisht kjo fushë ka qenë hambari dibran, por jo vetëm i Dibrës.
Prodhimet e bujqve dibranë kanë gjetur plasman edhe në tregjet e qyteteve të tjera të vendit. Po ashtu dibranët janë shumë të revoltuar edhe në lidhje me punësimin e jo dibranëve në sportelin e EVN-së në Dibër,të cilët shpesh nuk respektojnë orarin e punës, thonë përfaqësuesit të shoqatave qytetare.
Ka pasur protesta dhe asgjë nuk ka ndryshuar, thotë Dritan Lleshi i Shoqatës “Një dollar për Dibrën”. Por, problemi me mospunësimin e dibranëve dhe punësimin e personave nga komunat të tjera të rajonit, është prezent edhe në shumë institucione të tjera në Dibër. Kjo situatë dënohet nga dibranët, të cilët kërkojnë tejkalimin e problemit nga institucionet dhe partitë shqiptare.
Vjollca SADIKU / Qyteti i Dibrës/