Raporti për demokracinë, Fredoom House: Shqipëria ka mbetur në vend numëro

449

Organizata për të drejtat e njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara, Fredoom House, vlerëson se Kosova ka shënuar përparim të lehtë, ndërsa Shqipëria nuk ka shënuar ndonjë ndryshim në shkallën e demokracisë që nga viti i kaluar.

Këto vlerësime janë pjesë e projektit “Vendet në tranzicion”, një studim i Freedom House mbi demokracinë në 29 vende ish komuniste nga Evropa qendrore deri në Azinë Qendrore.

Qëllimi i projektit është vëzhgimi vjetor i reformave demokratike, një projekt që ka filluar të publikohet që nga viti 1995 dhe me metodologjinë e njëjtë që nga viti 2003.

Në një vlerësim nga një deri në shtatë, ku nota një është shkalla më e lartë, ndërsa 7 është shkalla më e ultë e përparimit demokratik, Shqipëria ka notën 4.14, njësoj sikurse edhe vitin e kaluar. Kosova ka notën 4.96, ndryshe nga 5.07 që e kishte një vit më parë.

Nga vendet e rajonit vetëm Mali i Zi ka shënuar përparim dhe nga 3.96, sivjet ka 3.89 pikë. Bosnja e Hercegovina nga 4.50 në 4.54. Kroacia nga 3.68 në 3.71, Maqedonia nga 4.29 në 4.43, Serbia nga 3.75 në 3.82.

Vlerësimi i shkallës së demokracisë përfshinë disa kategori si: procesin zgjedhor, shoqërinë civile, mediet e pavarura, qeverisjen demokratike kombëtare, qeverisjen demokratike lokale, kuadrin juridik dhe pavarësinë e drejtësisë dhe shkallën e korrupsionit.

Studimi vë në pah se në vitin 2016, suksesi i populistëve në Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara tronditi botën, jo më pak vendet e Evropës postkomuniste dhe Euroazisë, që mbulohen nga projekti “Vendet në tranzicion”.

Referendumi i muajit prill të vitit 2016 në Holandë kundër Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të Ukrainës me Bashkimin Evropian, vota e Mbretërisë së Bashkuar për largim nga BE-ja, dhe zgjedhja e Donald Trump-it si president i Shteteve të Bashkuara, ngritën dyshime të reja rreth situatës së brishtë në periudhën e pas Luftës së Ftohtë.

Në raport thuhet se këto goditje të jashtme pasuan një periudhë të gjatë të ngecjes dhe rënies së qeverisjes demokratike në të 29 vendet e “Vendeve në tranzicion”. Në Evropën Qendrore e Lindore dhe në Ballkan, vitet e populizmit dhe korrupsionit kanë gërryer institucionet demokratike, dikur premtuese.

Në Euroazi, autoritarizmi personal ka rrëshqitur nga një trend – në një normë të ngulitur. Këtë vit, 18 nga 29 vende të studiuara, pësuan rënie në vlerësimin e përgjithshëm mbi demokracinë, rënia më e lartë e që nga viti 2008, kur kriza financiare globale pati nxitur paqëndrueshmëri dhe ngecje të reformave politike. Ka pasur më shumë rënie sesa përmirësime në çdo vit të studimit nga viti 2005, pas valës së parë të madhe të zgjerimit të BE-së në lindje. Për herë të parë në historinë e raportit, tani ka më shumë Regjime Autoritare të Konsoliduar sesa Demokraci të Konsoliduara.

Përkeqësimi i demokracisë dhe konsolidimi i autoritarizmit ishin tashmë në udhë përpara këtij viti. Por me përqendrimin e tashëm të Britanisë në tërheqjen e saj nga BE-ja, dhe pozicionet e pasigurta të qeverive në rajon ndaj administratës së Trump-it, shtyllat e rendit pas Luftës së Ftohtë në Evropë papritmas duken më pak të forta. Në fakt, qëndrimi i paqartë amerikan në lidhje me NATO-n ka rritur frikën e paqëndrueshmërisë apo edhe luftës.

Rrënjët e rilindjes së populizmit në Evropë

Batica e populizmit ka qenë në rritje në Evropën Qendrore që nga viti 2010, kur Viktor Orbán, (kryeministri hungarez) e ktheu partinë Fidesz përsëri në pushtet dhe pastaj prishi kontrollet dhe balancat e vendit, duke ndryshuar kushtetutën dhe kodin zgjedhor për të siguruar dominimin e partisë së tij dhe duke injoruar qortimet e BE-së. Kjo baticë mblodhi forcë gjatë gjashtë viteve të fundit derisa udhëheqësit në Ballkan forcuan pozicionet e tyre me sulme mbi shoqërinë civile dhe medien, duke gërryer institucionet e pavarura, madje edhe derisa po ecnin drejt integrimit në BE. Dhe batica përparoi në vitin 2015, me frikën mbi migrimin në Evropë dhe fitoren parlamentare të partisë “Ligj dhe Drejtësi” në Poloni, e cila menjëherë kërkoi të imitojnë shembullin e Orban në Hungari, duke paralizuar gjykatën kushtetuese dhe duke e kthyer transmetuesin publik në një zëdhënës të partisë.

Në dekadën e kaluar, lideri rus (Vladimir Putin) ka mbështetur populistët në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, si pjesë e një përpjekjeje të fshehtë për të destabilizuar rendin transatlantik. Rezultatet në 2016 ishin ndoshta përtej ëndrrave të tij më të papërmbajtshme. Edhe pse ekonomia e Rusisë vazhdon të ngecë në vend, Putin duket shumë afër qëllimit të tij për një ndarje të re të Evropës në sferat e ndikimit perëndimore dhe asaj ruse.

Me paqartësitë e Shteteve të Bashkuara rreth BE-së dhe NATO-s, vendet në rajon ka të ngjarë të nxitojnë për të shfrytëzuar mundësitë e reja, si mbrojtje kundër skenarëve më të këqij, dhe për të siguruar përfitimet ekzistuese para arritjes së një drejpershimi. Ankesat nacionaliste dhe revanshiste mund të bëhen edhe një herë monedha më e fuqishme për udhëheqësit dhe partitë e rrezikuara.

Kjo mund të rrisë rrezikun e luftës në Evropë dhe Euroazi, thuhet në raport u përmenden zhvillimet në Ukrainë, Armeni e Azerbajxhan si dhe tensionet në rritje në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe rritjen e mosmarrëveshjeve ndëretnike si pjesë e krizës politike në Maqedoni.

Bashkimi Evropian në sprovë

Pasiguria në lidhje me politikën e jashtme të SHBA-së do të thotë se BE-ja do të duhet të jetë më kategorike me shtetet e veta anëtare dhe ato kandidate për anëtarësim. Zgjerimi i BE-së drejt vendeve baltike, Evropën Qendrore dhe Lindore, dhe vendet në Ballkan, ka ndihmuar në përhapjen e demokracisë liberale në të gjithë kontinentin. Ky është ende mjeti më i mirë për përparimin e sundimit të ligjit dhe institucioneve të përgjegjshme në rajon.

Krahas telasheve tjera si vala e migrimeve, thuhet në raport kriza e llogaridhënies në BE, pamundësia për të marrë masa disiplinore kur udhëheqësit e shteteve anëtare dhe atyre që aspirojnë të jenë anëtare shkelin rregullat, është jo më pak kërcënuese për të ardhmen e demokracisë.

Nga Hungaria dhe Polonia deri te kandidati për anëtarësim, Serbia, ende nuk ka pasoja për politikanët dhe partitë që minojnë institucionet e pavarura të vendeve të tyre. Pa llogaridhënie, populistët do të vazhdojnë të prishin bashkimin nga brenda dhe të shtyjnë përpara tregimet nacionaliste që kërcënojnë paqen në Evropë. BE-ja duhet të reformohet në një mënyrë që e lejon atë të reagojë shpejt dhe në mënyrë efektive për sulmet ndaj demokracisë.

Raporti vë në pah se rezultati i Serbisë është tani më i keqi ndonjëherë që nga viti 2003, pavarësisht nga përparimi në negociatat për anëtarësim në BE.

Në Mal të Zi dhe Serbi, dy vende të Ballkanit, që janë më afër në procesin e anëtarësimit, zgjedhjet problematike në vitin 2016, shfaqën paqëndrueshmëri të brendshme, si dhe një kuptim të përciptë të demokracisë zgjedhore.

Dita e zgjedhjeve në Mal të Zi paraqiti një mbyllje mbarëkombëtare të aplikacioneve të mesazheve në telefonat celular dhe akuza nga autoritetet që nacionalistët serbë kishin komplotuar një grusht shteti. Që nga shkurti i vitit 2017, prokurorët po kërkonin arrestimin e dy udhëheqësve të opozitës për një komplot të dyshuar. Kryeministri prej disa kohësh i vendit, Milo Gjukanoviç, dha dorëheqje pas zgjedhjeve, por fjalët për kthimin e tij filluan menjëherë pasi ai u tërhoq. Një “dalje në pension” kaq jetëshkurtër e tij ngjason me dy largimet e mëhershme nga politika në vitin 2006 dhe 2010.

Serbia mbajti zgjedhjet e dyta të parakohshme që nga viti 2012, edhe pse kryeministri Aleksandar Vuçiç dhe partia e tij kontrollonte një shumicë absolute në parlament. Nacionalizmi dhe gjuha e urrejtjes gjithashtu u rritën shumë në vitin 2016, me politikanë dhe tabloide pro qeveritare që i quajtën kundërshtarët politik dhe aktivistët e shoqërisë civile si tradhtarë që u shërbejnë interesave të huaja.

Në Maqedoni, ish-kryeministri Nikola Gruevski la të nënkuptohet se udhëheqësi i opozitës, Zoran Zaev, duhet të vritet. Ndërkohë, frikësimi i grupeve joqeveritare arriti një shkallë të re me një nismë të quajtur “Stop Operacionit Soros”, themeluar nga redaktorët e agjencisë shtetërore të lajmeve dhe dy portaleve pro-qeveritare të lajmeve.

Shumë politikanë përdorën ndarjet etnike për të çuar përpara qëllimet e tyre politike. Udhëheqësi i Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, festoj themelimin e subjektit gjysmë autonom përkundër një vendimi nga Gjykata Kushtetuese e vendit.

Tensionet u rritën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë para zgjedhjeve të fundit presidenciale të vendit, thuhet mes tjerash në raportin e Freedom House.

Marrë nga Zëri i Amerikës