BSH: Në 2016-n emigrantët rritën me 3% prurjet valutore

346

Pas një rënieje të ndjeshme në periudhën 2008-2013, të ardhurat që emigrantët dërgojnë në shtëpitë e tyre kanë rifilluar ciklin rritës, ndonëse me ritme të ngadalta.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, prurjet nga remitancat në vitin 2016 ishin 615 milionë euro, me një rritje prej gati 3% me bazë vjetore. Ky është niveli më i lartë në katër vjet.

Pasi remitancat shënuan rënie të vazhdueshme pas kulmit të arritur në vitin 2007, rrjedhojë e tendencës ciklike dhe krizës globale, në 2015-n, ato nisën sërish rritjen. Kjo dukuri u shpjegua nga ekspertët me rigjallërimin e emigracionit. Në gjysmën e parë të 2015-s, remitancat u rritën me rreth 18%.

Por, gjysma e dytë shënoi sërish rënie, ku efektin kryesor e dha kriza në Greqi, teksa shteti helen rrezikoi deri daljen nga euro dhe mbylli bankat e ndaloi transfertat në korrik. Në tremujorin e tretë, paratë që emigrantët dërguan në shtëpitë e tyre ranë me 18%, tendencë që vijoi dhe në muajt e fundit, ndërsa për gjithë vitin, ato u rritën me 1%.

2016 ka vijuar me tendencën pozitive, teksa kriza në Greqi u zbeh dhe nga ana tjetër, vala e re e emigracionit, që kulmoi në 2015, rriti numrin e emigrantëve që jetojnë dhe punojnë jashtë. Gjatë vitit 2015, numri i azilkërkuesve arriti në një nivel rekord prej 67 mijë dhe në 2016-n, numri i tyre zbriti në rreth 29 mijë.

Pavarësisht kthimeve të larta, një pjesë e tyre kanë arritur të integrohen dhe të punojnë në vendet pritëse. Mbi 80% e atyre që kanë ikur janë nën 35 vjeç, duke e pasur më të lehtë të integrohen në tregun e punës.

Gjithsesi, rritja, pohojnë operatorët e tregut është shumë më e ulët në krahasim me periudhën para 2008-s, kur zgjerimi ishte dyshifror.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, 1.120.000 shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Tre janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e Bashkuar, 10 mijë.

Penalitetet

2016, shteti humbi 59 mln euro në gjyqe arbitrazhi
Sipas të dhënave të Avokaturës së Shtetit lidhur me aktivitetin vjetor të institucionit, gjatë vitit 2016, vlera e çështjeve të humbura të shtetit shqiptar në arbitrazhe të ndryshme jashtë vendit i kaloi 8 miliardë lekët (59 milionë euro). Kjo vlerë është e barabartë me 1.8% të të ardhurave buxhetore për atë vit. Por, nga ana tjetër, arka e shtetit vitin që shkoi akumuloi edhe më shumë se 30 milionë euro fatura ndaj vendimeve që kanë dhënë gjykatat vendase për shkarkimet e padrejta në administratë.