Nga ishin Kastriotët

1028

*Nga Agron TUFA

Si familje, Kastriotët, paraardhësit e Skënderbeut, shfaqen në burimet historike më vonë se shumë nga familjet bujare shqiptare të kohës së tij, të cilët përmenden si feudale të vegjël që- në vitet 70 të shek.XIII, ndonjëri ndoshta më herët. Sikurse u tha, gjatë Mesjetës, bujarët shqiptarë, në përgjithësi, kanë përdorur si mbiemër emrin e fshatit të tyre të hershëm. Madje, kjo praktikë ka vazhduar deri në ditët tona (Naim Frashëri, Faik Konica, Zef Jubani, Filip Shiroka, Ymer Prizreni, Isa Boletini dhe plot të tjerë). Këtë praktikë duhet ta kenë përdorur edhe Kastriotët. Në Shqipëri fshat me emrin Kastriot ka vetëm një.

Ai ndodhet në thellësinë e brendshme malore të Shqipërisë Lindore, 8 kilometra në veri të Peshkopisë, në Dibrën e Poshtme, brenda kufijve të mikrokrahinës apo bashkësisë krahinore të Qidhnës, një nga nëntë “malet” e trevës dibrane. Fshati Kastriot, deri në fillim të shekullit XX, kur atë e bëri të njohur, më 1903, një lexues nga Tirana i revistës së Faik Konicës “Albania” pastaj, një vit më vonë, konsulli dhe studimtari rus I. St. Jastrebov (1904), ka qenë i panjohur për të gjithë historianët që janë marrë me biografinë e Skënderbeut. Por edhe më vonë, asnjë historian nuk e lidhi emrin e këtij fshati me mbiemrin e Heroit. Atë nuk e morën në konsideratë as dy historianët shqiptarë, Athanas Gegaj dhe Fan Noli, në monografitë e tyre kushtuar Heroit, i pari më 1937, i dyti më 1947.

Gjenealogjia e Shtëpisë së Kastriotëve do të kishte mbetur me siguri e papërfillur, ashtu siç ka mbetur ajo e familjeve të tjera fisnike shqiptare të Mesjetës (me përjashtim të Muzakëve), po të mos kishte dalë nga gjiri i saj Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Por burimet bashkëkohore dokumentare për paraardhësit e Heroit, nuk shkojnë përtej atit të tij, Gjon Kastriotit.

Madje ato heshtin plotësisht, përsa i përket vendit nga ishin Kastriotët dhe, ca më tepër, nuk flasin as për vendin ku kaloi fëmijërinë Skënderbeu. Njoftimet që kemi për vendin nga ishin Kastriotët, i ndeshim në disa shkrime të mëvonshme, të cilat nuk pajtohen midis tyre. Si të tilla, ato kanë ngjallur dyshime. Mungesa e tyre ka dhënë rast që të shfaqen teza të ndryshme mbi truallin e origjinës së Kastriotëve dhe mbi vendin ku lindi Skënderbeu.

Nga historia botërore është shumë i njohur rasti i Homerit, për vendlindjen e të cilit haheshin shtatë qytete të Heladës antike. Kjo është e natyrshme, po të kemi parasysh krenarinë që ndjen një qytet ose një fshat kur e di se nga gjiri i tij ka dalë një personalitet i madh politik, ushtarak, kulturor, letrar ose artistik. Kështu ndodhi edhe me Skënderbeun. Pothuajse aq fshatra, në mos më tepër, kanë pretenduar në të kaluarën se kanë qenë vendlindja e Heroit Kombëtar të shqiptarëve.

Para mesit të shek.XIX, udhëtari erudit frëng, Ami Boue, shkruante se kishte dëgjuar se Skënderbeu kishte lindur në fshatin Kastër të Mirditës, në atë kohë krejt i rrënuar, gjysmë ore larg fshatit të sotëm Vig. Këtë legjendë e dëgjoi edhe albanologu austriak J.G Hahn gjatë udhëtimit që kreu më 1853 nga Vau i Dejës në Koman, por shton edhe legjendën tjetër që kishte dëgjuar ndërkohë, se Skënderbeu kishte lindur në Kastrat të Mbishkodrës. Kur Hahni ndodhej në Fierzë, qeveritari i vendit i tha albanologut austriak se, sipas dijenive të tij, Skënderbeu kishte lindur në fshatin Iballë të Pukës.

Përkundrazi, kur vajti në Mat, ai dëgjoi në Cukal të Klosit se Heroi kishte lindur në Stelush. Sipas një legjende tjetër, të cilën e shënon Marin Sirdani, gjurmuesi i legjendave të Skënderbeut, Kastriotët ishin nga fshati Shtjefën i Matit. Në letrën e përmendur shkruar nga Tirana, pa emër autori, botuar në revistën “Albania” (1903) thuhet, ndër të tjera, se Skënderbeu ka lindur në fshatin Sin (Sej) në Dibrën e Poshtme. Është po ai që përmend i pari fshatin Kastriot. Në lidhje me këtë, ai thotë se në Dibrën e Poshtme, në veri të Peshkopisë, midis fshatit Suhadoll dhe lumit Drin, është një katund që quhet Kastriot, ku është edhe “Fusha e Thatë”, me disa gërmadha shtëpish të vjetra dhe të mëdha, vend ku thuhet gjithashtu se mund të ketë lindur Skënderbeu.

Do ta mbyllim vargun e legjendave me tregimet që jep etnografi i njohur kosovar, Prof. Mark Krasniqi. Në punimin kushtuar gojëdhënave mbi gjenezën e Kastriotëve që kanë qarkulluar në disa fise shqiptare dhe malazeze, pasi përmend gojëdhënat që flasin për prejardhjen e tyre nga fshati Kastrat i Shkodrës, nga fshati Shtjefën i Matit, nga lagje të ndryshme të Krujës dhe nga fshati Guribardhë i Matit, ai ndalet te gojëdhëna mbi gjenezën dibrane. Ai thotë se, sipas një gojëdhëne, në Shtjefën të Matit ka pasur një lagje, banorët e së cilës e mbanin veten për Kastriotë, por këta, gjithnjë sipas gojëdhënës, kanë ardhur aty nga rrethi i Dibrës, sepse, shton M. Krasniqi: “sipas traditës popullore, Skënderbeu ka qenë prej katundit Kastriot, afër Dibrës”. Pastaj ai vazhdon: “familja e Gjinëve në Kastriotin e Dibrës, rrjedh nga Kastriotët. Si rrëfejnë pleqtë, Skënderbeu ka qenë prej katundit Kastriot të rrethit të Dibrës. Këtu kanë qenë varret e familjes së tij. Skënderbeu ka lindur dhe është rritur në Kastriot të Dibrës, atje ka qenë i ati i tij”.

Këto legjenda kanë vetëm vlerë letrare. Ato dëshmojnë respektin që kishin masat shqiptare për Skënderbeun. Përkundrazi, nga pikëpamja dokumentare, ato nuk kanë asnjë vlerë burimore, mbasi rrëzojnë njëra-tjetrën. Si rrjedhim, vendi i origjinës së Kastriotëve duhet të hetohet vetëm me rrugën e analizës kritike të dokumentacionit historik arkivor dhe letrar.

Në këtë çështje, ia vlen të diskutohet njoftimi që jep M. Barleti (1508-1510), i cili shkruan se “krerët e fisit të Kastriotëve kanë rrjedhur nga Emati (ex Aemathia), prej një dere fisnike”. Ndonjëri, si për shembull Fan Noli, për Aemathia ka nënkuptuar krahinën e Matit10. Marin Barleti ishte humanist. Si tërë humanistët, ai kishte prirjen e njohur klasiciste për ti përdorur toponimitë shqipe në emërtime latinishte (Guri bardhë në Petralba, Ujëbardhë në Albulena, etj.) ose për të ringjallur emërtimet gjeografike antike (Lissos për Lezhë, Ascrivium per Kotorr, Aoos për Vjosë etj.). Madje, ai ka përdorur emërtimet gjeografike antike e mesjetare në mënyrë të gërshetuar. Kështu, për shembull, Krujën ai e vendos herë në Arbëri (Albania), herë në Epir (Epirus). Po kështu vepron edhe me Maqedoninë, të cilën herë e identifikon me Shqipërinë, herë e veçon prej saj. Prirjen për ta identifikuar Shqipërinë me Maqedoninë, ose për ta përfshirë në të, e ndeshim në shek.XV edhe jashtë Shqipërisë.

Kjo prirje klasiciste vihet re te Marin Barleti edhe në lidhje me emërtimin Emat (Aemathia). Në disa raste, emërtimit Emat Barleti i jep kuptimin e Matit. Por në raste të tjera, ai kopjon shkrimtarët klasikë grekë dhe romakë (Strabonin, Plinin, Justinin, Klaudianin), të cilët quanin Ematia provincën e Maqedonisë së Dytë, që Roma krijoi në shek.I në trevën midis Durrësit dhe Ohrit, që më vonë u quajt provinca e Epirit të Ri, dhe në Mesjetë u përfshi në emërtimin Arbëri. Kështu, për shembull, kur Barleti thotë se “Kruja është qytet i Epirit i vendosur në fushat e Ematit” (Crojam Epiri urbam esse in campis Aemathia} dhe ca më tepër kur edhe Petrelën e përfshin në krahinën e Ematit (oppidium hoc in Aemathia est in sublimi montis cacumine), ai ka parasysh jo krahinën e sotme të Matit, por provincën romake të Ematit (Maqedonisë). Shkurt, kur Barleti thotë se Kastriotët janë nga Emati, nuk jemi të sigurtë nëse ka parasysh krahinën e sotme të Matit apo provincën e dikurshme të Maqedonisë ku bënte pjesë edhe treva dibrane.

Pra, me këto përcaktime të M. Barletit, origjina e mirëfilltë e Kastriotëve mbetet përsëri e palokalizuar. Një përpjekje për ta lokalizuar vendbanimin e tyre e ndërmorën dy shkencëtarët e njohur të medievistikës ballkanike, L. Thalloczy dhe K. Jireçek. Në një punim të përbashkët që ata botuan më 1899, pra para se të bëhej e ditur, më 1903 dhe 1904, ekzistenca e një fshati Kastriot, ata shkruanin se Kastriotët duhej të ishin nga një vend që quhej Kastri (me theksin në i), emër ky që rrjedh nga castrum latinisht ose kastrion greqisht dhe që do të thotë “kala”, banori i së cilës quhej kastriot. Por ata nuk e shpunë punën më tutje, ndonëse një pohim të tillë e kishte shpallur shkrimtari shqiptar Frang Bardhi që më 1636.

Problemi i origjinës krahinore të Kastriotëve u ndërlikua kur mbiemri i tyre (Kastriot) u lidh me një akt dokumentar të shek.XV, në të cilin disa pinjollë Kastriotas përdornin një mbiemër të dytë – mbiemrin Mazrek ose Mazarak. Burimin kryesor ky mbiemër i dytë e ka te shkrimtari i shek.XVI, Flav Komneni, i cili ka trajtuar gjenealogjinë e disa familjeve fisnike, midis të cilave edhe atë të Kastriotëve. Si shembull, ai sjell njëfarë Kostandin Kastrioti i mbiemëruar Mazareku (Constantinus Castriota cognomento Maserechius, Aemathia et Kastroria princeps). Ekzistojnë gjithashtu dy akte të lëshuara në Napoli, më 1467, që flasin për Constantinus Maserechius Castriota, Epiri et Albania Reguli dhe për kushëririn e tyre Georgius Masrechi Castriota Scanderbegh, Albania et Epiri Principis. Por që në shek.XIX disa historianë në zë (Ch. Hopf, J. G Hahn), e kanë cilësuar Flav Komnenin si një hartues gjenealogjish të falsifikuara. Si rrjedhim, i tillë duket se është edhe njoftimi i mbiemrit të dyfishtë Kastriot-Mazareku ose Kastriot-Mazaraku. 

Kjo duket në faktin se nuk ka asnjë dëshmi dokumentare që të flasë për Kastriotët si princa të Matit dhe Kosturit. Veç kësaj, aktet ku Kostandini apo ndonjë tjetër përmendet me dy mbiemra, mbiemra të cilët ata ia atribuojnë edhe Skënderbeut, janë të vonshme dhe për më tepër të dyshimta. Në fakt, as Gjon Kastrioti, as Skënderbeu, as biri ose nipi i tij, nuk e kanë përdorur ndonjëherë mbiemrin Mazrek apo Mazarak dhe askush nuk u është drejtuar atyre me këta dy mbiemra. Por edhe nëse aktet e Napolit janë autentike, nuk përjashtohet mundësia që mbiemrin e dyfishtë ta ketë përdorur ndonjë pinjoll Mazrekas, i cili ka dashur, siç e ndeshim edhe në raste të tjera, ti shtojë vetes nderin se ishte pjesëtar i familjes, tashmë të famshme, të Kastriotëve. Përfundimisht duhet thënë se asnjë familje nuk mund të ketë origjinë nga dy fshatra. Zakonisht mbiemrat e dyfishtë përdoren në ato raste kur njëri i takon trungut atësor, tjetri trungut amësor. Gjithsesi, kur bëhet fjalë për familjen e Skënderbeut, mbiemri Mazarak nuk duhet të merret në konsideratë.

Megjithatë, dy historianët shqiptarë të Skënderbeut, Ath. Gegaj dhe F. Noli, nuk e kanë lënë pa përfillur mbiemrin e dytë Mazrek ose Mazarak. Por problemi u ndërlikua për faktin se në trevën shqiptare mesjetare, toponimi Mazrek ose Mazarak ka qenë, siç është edhe sot, mjaft i përhapur. Fshatra ose gërmadha fshatrash me këtë emër ka gjithandej në Shqipëri: ka në Shkodër dhe në Kukës, në Dibër dhe në Opar, në Tiranë dhe në Gjirokastër, madje ai ndeshet dhe në diasporën arvanite të Greqisë dhe arbëreshe të Italisë. Si rrjedhim, të dy historianët e përmendur shqiptarë e kërkuan origjinën e Kastriotëve në dy vendbanime me emrin, njërin Kastri, tjetrin Mazarak.

Në variantin e parë të Historisë së Skënderbeut, botuar në Boston, më 1921, F. Noli, i cili në atë kohë nuk e dinte se në Dibrën e Poshtme ka një fshat që quhet Kastriot, e pranoi mendimin e Thalloczy-t dhe Jireçek-ut. Sipas tij, vendlindja e Kastriotëve me emrin Kastri duhet të ketë qenë një nga kastritë (kalatë) e malësive të Matit, por më tepër në krahinën e Mazarakut (në fakt: Mazrekut), midis Shkodrës dhe Drinit. Si banor i këtij vendbanimi me emrin e supozuar Kastri, doli mbiemri Kastri-ot, siç ndodh, shtonte ai, me banorët e mjaft vendbanimeve të Shqipërisë Jugperëndimore, si Kaninjot, Suliot, Delvinjot, Borshiot, Sheperiot, etj.

Natyrisht, ky shpjegim nuk ka bazë, të paktën për dy arsye: se në afërsi të Shkodrës nuk ka shenja se ka pasur një fshat me emrin Kastri dhe se në atë trevë nuk ndeshet gjëkundi fenomeni gjuhësor i emërtimit të banorëve me prapashtesën – ot, fenomen ky i përhapur kryesisht në Shqipërinë Jugperëndimore. Në veri të Shkodrës ka një vendbanim me emrin Kastrat, por banori i tij nuk quhet dhe nuk mund të quhet kastriot. Për më tepër, vendbanimi Kastrat ndodhet në rrethin e Malësisë së Madhe, kurse Mazreku në rrethin e Dukagjinit. Si rrjedhim, si njëri rreth, ashtu dhe tjetri është vështirë të konsiderohen si vendlindje e Kastriotëve, të cilët nuk kanë pasur asnjë lidhje me to.

Edhe Athanas Gegaj e pranoi pikëpamjen e dy medievistëve të përmendur, por u shkëput nga F. Noli, mbasi ai gjeti në Mirditë një lokalitet me emrin Kastri (midis Dibrit, Menellës, Kashnjetit dhe Vigut), nga i cili Kastriotët e morën, sipas tij, mbiemrin e tyre të parë. Ai shton pastaj se këtë pohim e mbështet në faktin se Kastriotët kishin të drejta zotërimi mbi krahinat e Mirditës. Por kjo tezë është e padokumentuar, si rrjedhim e dyshimtë, për të mos thënë e papranueshme, po të kemi parasysh se prapashtesa – ot për banorin nuk ndeshet as në Mirditë dhe se Mirdita ndodhej në zotërimin jo të Kastriotëve, por të Dukagjinëve, të paktën që në çerekun e tretë të shek.XIV. Përsa i përket mbiemrit të dytë, Ath. Gegaj e kërkoi atë te një Mazrek, që, sipas tij, ndodhej në krahinën e Hasit të Krumës. Por edhe kjo tezë është vështirë të pranohet, po të kemi parasysh se nga pikëpamja dokumentare nuk vërtetohet që Kastriotët të kishin të drejta zotërimi jo vetëm në Mirditë, por as në Hasin e Krumës.

Në disertacionin mbi Skënderbeun, që Fan Noli botoi më 1947, hoqi dorë nga pikëpamja e tij e vitit 1921 dhe doli me një tezë të re, e cila iu duk atij më e argumentuar. Tezën e re ai e mbështeti në dy burime kronikale, nga të cilat njërën – kronikën raguzane të P. Lukarit, botuar më 1605, e kishte lexuar edhe në punimin e parë (1921), por nuk e kishte përfillur sa duhet, kurse tjetrën – një kodeks boshnjak të shek.XVI, të botuar nga E. Fermenxhini më 1892, ai nuk e kishte njohur më 1921.

Lukari në “Kronikën” e vet shkruan se “Gjon Kastrioti ishte zot i Krujës” dhe se “familja e tij ka dalë nga Kastrati, fshat në juridiksionin e Hasit në Shqipëri, pak larg nga lumi Drin” (Giovanni Castriota signor di Crui, la qual famiglia usci da Castrati, villa nella guirisditione in Az in Albania, poco discoto dal fiume Drilon). Hasi është një krahinë në Shqipërinë Verilindore, me qendër Krumën, e cila disa kohë më parë është bërë rreth më vete. Fan Noli mendon se Lukari ka gabuar vetëm në një pikë, mbasi në vend që të thotë Kastriot ka shkruar Kastrat. 

Por Noli nuk ka të drejtë. Në Has nuk ka fshat me emrin Kastriot. Madje as ka shenja që të ketë pasur dikur ndonjë fshat me këtë emër. Vetëm në Krumë ka një lagje që mban emrin Kastrat. Veç kësaj, Lukari në njoftimin e tij ka disa pasaktësi, të cilat kanë rrjedhur ngaqë, si autor i vonë, ndoshta është mbështetur në burime tregimtare jo të sigurta. Para së gjithash, Gjon Kastrioti nuk ka qenë asnjëherë “zot i Krujës”. Po ashtu lagjja Kastrat e Krumës nuk ndodhet pranë lumit Drin.

Më tej, ne nuk jemi të sigurtë se Lukari e ka fjalën për Hasin e Krumës, mbasi në regjistrin e administratës turke të vitit 1572, kjo krahinë quhej Pashtrik dhe jo Has. Më në fund, sikurse u tha, banori i fshatit Kastrat nuk mund të quhet Kastriot. Në Pormën siç e thotë kronisti raguzan, njoftimi i tij u ngjet legjendave të përmendura që kanë qarkulluar në Shqipëri, pas vdekjes së Skënderbeut, rreth origjinës së Kastriotëve. Për të gjitha këto arsye, jemi të detyruar të mos e marrim në konsideratë si burim dokumentar tregimin e Lukarit.

Përshtypjen se kemi të bëjmë me një legjendë, na e përforcon shkrimtari dhe historiani shqiptar i shek.XVII, Frang Bardhi. Duke folur për origjinën e Kastriotëve, në veprën e tij kushtuar Skënderbeut, botuar në latinisht, më 1636, ai pohon se e njeh dhe e pranon tregimin e Lukarit mbi origjinën hasiane të Kastriotëve, mbasi, sipas tij, raguzanët e njihnin mirë jo vetëm Ballkanin, por edhe Mesdheun. Në përPorcim të tregimit të Lukarit, ai shton se në Kastrat të Hasit banonte një familje që e mbante veten si pasardhëse e Heroit, me pinjollë të dëgjuar, njëri nga të cilët, Mustafa Kastrati, ishte myslimanizuar, kurse tjetri, Gjon Kastrati, kishte mbetur i krishterë. Megjithatë, Frang Bardhi pohon se këtë njoftim nuk e kishte nga burime dokumentare, por e kishte dëgjuar nga etërit dhe gjyshërit. Vetë mbiemri Kastrat dhe jo Kastriot i tyre, tregon se jemi gjithnjë në truallin e legjendave familjare.

Në lidhje me origjinën e Kastriotëve, kodeksi boshnjak i botuar nga E. Fermenxhini, i cili mendohet se është më i hershëm se kronika raguzane e Lukarit, është tepër lakonik. Aty thuhet, se Kastriotët (në origjinal është shënuar në trajtën e sllavizuar: Castrioich – K.F.) ishin “nga fshati Kastriot që ndodhet në Provincën Az të Epirit (de Castrioti in provincia Az in Epiro). Sikurse shihet, këtu emri i fshatit është i saktë. Megjithatë, Noli, i cili ndërkohë e kishte lexuar Jastrebovin, nuk ishte i sigurtë nëse Kastriotët e kishin marrë mbiemrin nga emri i fshatit Kastriot që ndodhet në Dibër, apo fshati dibran e kishte marrë emrin nga familja e Kastriotëve.

Si pasojë e kësaj pasigurie, ai nuk e përfilli origjinën e Kastriotëve nga fshati dibran dhe anoi nga emri i krahinës Has të Krumës ose siç e quan ai, të Malësisë së Gjakovës. Por edhe kodeksi boshnjak, i cili mendohet të jetë hartuar rreth vitit 1571, pra më tepër se një shekull pas vdekjes së Skënderbeut, nuk është pa pasaktësira. Kjo duket, për shembull, kur thotë se Dukagjinët (emrin e të cilëve gjithashtu e sllavizon në: Dugaginovich) janë nga Zenta e Sipërme (Mali i Zi – K.F.) në Epir (de superiori Zenta in Epyro), kur dihet se zotërimet e tyre ndodheshin në trevën e Mirditës, Lezhës dhe Pukës.

Prof. Aleks Buda, pjesërisht u shkëput dhe pjesërisht u bashkua si me Gegajn, ashtu dhe me Nolin. Ai pranoi se prejardhjen e tyre Kastriotët e kishin nga Hasi i Kukësit, nga fshati Kastrat, i cili sot përbën një lagje të Krumës. Në të njëjtën kohë, ai mendoi se emri Kastriot i fshatit të kodeksit boshnjak, i botuar nga Fermenxhini, duhet të ketë qenë Kastrat (siç e thotë Lukari), por hartuesi i aktit e ka shkruar Kastriot nën ndikimin e analogjisë me emrin e familjes së Kastriotëve. Pastaj shton se emri i familjes, i cili vjen nga Kastrati, ka marrë Pormën Kastriot duhet kërkuar nën ndikimin bizantin që ka vepruar mbi emrat e shumë krerëve familjarë shqiptarë të Mesjetës. Me këtë pikëpamje u bashkuan edhe autorët e “Historisë së Shqipërisë”, botuar nga Universiteti i Tiranës më 1959 (vëll.I), midis tyre edhe autori i këtij punimi (Kristo Frashëri). Por tashmë këto argumente nuk janë bindëse.

Autori i këtij punimi u shkëput nga kjo pikëpamje që në vitin 1974 dhe parashtroi tezën se origjinën e Kastriotëve duhet ta kërkojmë në Dibrën e Poshtme, në bashkësinë krahinore të Qidhnës, në juridiksionin e së cilës ndodhet fshati Kastriot.

Diskutimi duhet të fillojë përsëri nga njoftimet që na japin kronika raguzane e Lukarit dhe kodeksi boshnjak i Fermenxhinit, ndonëse, duke qenë të vona, asnjëri prej tyre nuk ka vlerë dokumentare. Sikurse mund të vihet re, midis tyre ka vetëm një pikë takimi: emri As ose Az i krahinës, kurse dy elementët e tjerë ndryshojnë, sepse te njëri fshati quhet Kastrat, te tjetri Kastriot, po ashtu krahina As ose Az, te njëri thuhet se përfshihej në Arbëri (Albania), te tjetri në Epir (Epiro).

Në lidhje me pikën e takimit, historianët, që kanë shfrytëzuar deri sot këto dy burime, kanë menduar se kemi të bëjmë me Hasin e Krumës. Pavarësisht se elementët e tjerë nuk të çojnë te Hasi i Krumës, vetë emri As ose Az i krahinës që ndeshet në të dy kronikat, nuk mund të mos merret në konsideratë. Fakti është se të dy kronikat nuk na japin më tepër elementë gjeografikë për të identifikuar se ku ndodhej krahina me emrin Has, në juridiksionin e të cilit ndodhej, sipas kodeksit boshnjak, fshati Kastriot, pranë të cilit kalonte, sipas kronikës raguzane, lumi Drin. Ka shumë mundësi që dy kronikat e përmendura të kenë parasysh një krahinë tjetër, e cila të quhej Has, ndonëse, me sa dimë deri sot, në burime dokumentare të shek.XV, ky toponim nuk ndeshet as në Krumë dhe në asnjë cep tjetër të Shqipërisë.

Megjithatë, nuk është pa vlerë fakti që emrin Has e ndeshim në shek.XVII, në fshatin Tren, në Dibrën e Poshtme, në mikrokrahinën e Qidhnës, në krahun lindor të lumit Drin, në afërsi të të cilit (rreth 3 kilometra) ndodhet fshati Kastriot. Sipas kujtimeve të mbledhura mjaft kohë më parë nga pleq të moçëm, nga një njohës i mirë i trevës dibrane, Azis Ndreu, pjesa jugore e Fushës së Kastriotit deri në përroin e Gjelagjoshit, dikur thirrej Hasi i Thatë, kurse tani ajo quhet Fusha e Thatë, ashtu siç njoftohet edhe në revistën e përmendur “Albania” të Faik Konicës (1903).

Këtu jemi të detyruar të vëmë në dukje se origjina e Kastriotëve nga Hasi i Krumës krijon një vështirësi edhe në një drejtim tjetër, e cila lind nga pyetja: si ka mundur që një njeri nga Hasi i largët të bëhet zot feudal në një krahinë të huaj për të dhe, ca më tepër, si shpjegohet që dibranët e bashkësisë krahinore të Qidhnës (apo të “malit” të Qidhnës, siç e quajnë dibranët), të pranonin të kishin mbi krye një feudal nga një krahinë tjetër, e huaj për ta? Në shekujt mesjetarë, në Shqipëri, kjo mund të ndodhte vetëm në rast se treva dibrane, ose cilado krahinë tjetër malore (pse jo dhe fushore?), të ketë qenë e pushtuar nga një shtet i centralizuar, i cili të kishte aq pushtet të konsoliduar, sa t’i detyronte malësorët t’i nënshtroheshin çfarëdo feudali të emëruar nga lart.

Por historia qindravjeçare e Shqipërisë tregon se malësorët shqiptarë edhe kur kanë qenë të detyruar ta pranonin sundimtarin e huaj, e kanë pranuar me kusht që të qeveriseshin nga krerët e tyre vendës. Në rastin më të mirë, emërimi i një pinjolli kastriotas nga Hasi i Krumës në trevën dibrane, mund të ketë ndodhur gjatë sundimit të Stefan Dushanit. Por Stefan Dushani, përveçse nuk ka shenja të ketë ushtruar një pushtet absolut në viset e thella malore, nuk jetoi gjatë. Vdekja e tij duhet të ketë sjellë, si kudo, edhe në Dibër, dëbimin e funksionarëve të tij feudalë nga popullsia vendëse. Si rrjedhim, fakti që Kastriotët shfaqen në Dibër fill pas shembjes së Perandorisë Serbe të Stefan Dushanit, tregon se ata ishin krerë vendas të përfshirë, si kudo edhe këtu, nga procesi i feudalizimit të tyre.

Si përfundim, njoftimet që përmbajnë veprat e Lukarit, Bardhit dhe Fermenxhinit nuk janë të kohës së Skënderbeut, por të periudhave të mëvonshme, kur historia kthehet në legjendë, si të tilla nuk janë burime të sigurta.

Në historiografinë skënderbegiane është lakuar shpesh një akt i lëshuar në Vlorë, më 2 shtator 1368, nga sundimtari i Kaninës, Aleksandër Komnen Aseni, me të cilin ai dhe vartësit e tij betohen se do të jenë miq të Republikës së Raguzës. Midis vartësve të tij përmendet edhe njëfarë Kastriot, kështjellar i Kaninës (në aktin sllavisht: kefalija kaninski Kastriot). Ka historianë që mendojnë se këtu kemi të bëjmë me një stërgjysh të Skënderbeut, i cili ishte në shërbim të sundimtarit serb të Vlorës. Por ky pohim është pa themel. Në aktin e vitit 1368, Kastrioti, qefalia i Kaninës, është emër i përveçëm dhe jo mbiemër, ashtu siç përmenden edhe disa funksionarë të tjerë (vojvoda Prodan, kështjellari Branilo, portieri Rajce, mëkëmbësi Ujedja, gjyqtari Obrad), sepse po të ishte mbiemër do të kishte prapashtesën e detyrueshme sllave – if, siç figurojnë në këtë akt dy të tjerë (Zgur Dukajsereviç dhe Kostandin Surboviç). Si rrjedhim, Kastrioti i Kaninës nuk ka shenja të ketë lidhje me Kastriotët e Dibrës.

Për origjinën krahinore të Kastriotëve dhe për gjenealogjinë e tyre ka jo një, por një varg dokumentesh arkivore dhe dëshmish bashkëkohëtarësh, të cilat e mbështesin në mënyrë bindëse origjinën e Kastriotëve nga treva e Dibrës, madje nga bashkësia krahinore e Qidhnës dhe, më saktë, nga fshati Sinë i kësaj treve, bashkësi në të cilën ndodhet edhe fshati Kastriot, rreth 3 kilometra në krahun e djathtë të lumit Drin.

Njërin prej tyre na e jep fisniku shqiptar, Gjon Muzaka, bashkëkohëtar i Skënderbeut, madje me lidhje familjare me të (kushëri i parë i Donika Kastriotit), gjithashtu njohës i mirë i familjeve feudale shqiptare të shek.XV. Pas vdekjes së Skënderbeut, Gjon Muzaka u largua nga Shqipëria dhe në mërgim, në Napoli, diktoi, më 1510, kur ishte në moshë tepër të thyer, kujtimet e veta për tre djemtë e tij. Midis morisë së njoftimeve shumë interesante që jep për fisnikët shqiptarë, disa nga të cilët i njihte personalisht, ai përmend edhe një të dhënë me interes për gjyshin e Skënderbeut. Ai thotë, në “Memorandën” e tij se “gjyshi i Zotit Skënderbeg quhej Zoti Pal Kastrioti dhe ky nuk kishte (në zotërim – K.F.) më tepër se dy fshatra të quajtura Sinja dhe Gardhi i Poshtëm (Iavo del Signor Scanderbeg se chiamo Si­gner Paulo Castrioto, e non ebbe piu de due casali nominati Signa e Gardi-ipostesi). Nuk është e rastit që të dy fshatrat ndodhen në krahinën e Qidhnës, ballë për ballë me fshatin Kastriot, nga i cili i ndan Drini i Zi.

Sinja e Muzakës, e cila nga vendësit sot quhet Sinë, ndahet në dy pjesë: Sina e Epërme dhe Sina e Poshtme. E ndarë më dysh figuron e regjistruar si fshat në nahijen e Dibrës së Poshtme edhe në defterin turk të vitit 1467. Sina e Poshtme nuk është më larg se 6 km nga fshati Kastriot. Gardhi sot nuk ekziston si vendbanim, por si toponim i dyfishtë rreth 2 km në jug të Sinave: Gardhi i Epërm dhe Gardhi i Poshtëm.

Që në shek.XV këtu ekzistonte një vendbanim, e dëshmojnë gërmadhat dhe, ca më tepër, defteri turk i vitit 1467, ku po në atë nahije është shënuar si fshat vetëm Gardhi i Poshtëm, tekstualisht: Gardi Posti, pikërisht ashtu siç e shënon edhe Muzaka. Po të marrim parasysh se biri i tij, Gjon Kastrioti, në vitin 1405 (kur lindi Skënderbeu) ishte prind i tetë fëmijëve (fëmija e nëntë lindi më vonë), Pal Kastrioti duhet të ketë qenë zot i Sinës dhe i Gardhit të Poshtëm në çerekun e tretë të shek.XIV, pra në kohën e fuqizimit që patën krerët shqiptarë të feudalizuar pas vdekjes së Stefan Dushanit.

Tjetër njoftim me interes është ai i historianit italian, Raffael Volaterrano, gjithashtu bashkëkohëtar i Skënderbeut, i cili, edhe pse njihet prej kohësh në historiografi, nuk është shfrytëzuar nga ana e studimtarëve me kujdesin që meriton.

Humanisti italian ka botuar, më 1506, një biografi të shkurtër të Heroit tonë, të paktën nja dy vjet përpara se të botohej vepra e njohur e Marin Barletit. Pra, për nga përmbajtja e saj, biografia e tij është krejt e pavarur jo vetëm nga trajtimi i humanistit shkodran, por edhe nga kujtimet e Gjon Muzakës. Njoftimi i Volaterranos ka të bëjë me të jatin e Skënderbeut, të cilin nuk e quan Gjon Kastrioti, por Gjon Dibra ose Dibrani (Johannes Dibra sive Doberiensis). Pastaj ai shton se kishte në zotërimin e vet Trojën dhe disa vise të tjera brenda vendit (Trojam non nollaque alia loca interius obtinebaf). Këtu lind menjëherë pyetja: ç‘është kjo Trojë? Mbase këtu kemi të bëjmë ose me një apelativ historik atribuar Krujës, e cila rezistoi si dikur Troja homerike, ose me një lapsus calami, meqenëse shndërrimi nga Crojam në Trojam është lehtësisht i mundshëm, pavarësisht se Gjon Kastrioti, sikurse u tha, nuk e ka pasur asnjëherë në zotërim Krujën.

Gati njëqind vjet më vonë nga koha kur Pal Kastrioti ishtë zot feudal i dy fshatrave të Qidhnës dhe kur nipi i tij, Skënderbeu, ishte më tepër se 60 vjeç, kemi një dëshmi tjetër interesante, e cila këtë radhë na vjen nga fondi i dokumentacionit turko-osman. Është defteri i përmendur i regjistrimit të banorëve, të fshatrave dhe të timarëve që administrata perandorake osmane kreu në vitin 1467 në territoret e sanxhakut të Dibrës, i cili përfshinte, përveç të tjerave, rrethet e sotme të Dibrës e të Matit. Në këtë defter na dalin dy veta që mbajnë mbiemrin Kastrioti. Njëri, Dhimitër Kastrioti, është regjistruar si banor i thjeshtë, si fshatar raja në fshatin Sinë të Poshtme të Qidhnës. Tjetri, me emrin Mark Kastrioti, eshtë regjistruar si jamak (ndihmës i feudalit spahi), në fshatin Shtjaknëz të Matit. Në defter nuk thuhet as për njërin, as për tjetrin nëse ata kishin lidhje farefisnie me Skënderbeun. Por dihet se jamakët, si ndihmës të spahinjve, mund të ishin, por edhe mund të mos ishin, banorë të atij fshati ku shërbenin. Përkundrazi, Dhimitër Kastrioti, si fshatar i futur në zgjedhën e timarit, duhet të ishte medoemos banor i fshatit. Kështu në fshatin Sinë, tre ose katër breza pas Pal Kastriotit, na del një familje me të njëjtin mbiemër, siç ishte Dhimitër Kastrioti, kurse Marku është i pari dhe i fundit Kastriotas që përmendet në fushën e dokumentacionit historik në Mat.

Përveç defterit turk të vitit 1467, kemi në dorë edhe një regjistër tjetër të hollësishëm të popullsisë dhe të fshatrave të Dibrës, të hartuar nga qeveritarët osmanë 104 vjet më vonë, në vitin 1571, të pabotuar deri sot. Në këtë defter, jo në Sinë, por në fshatin fqinj, në Qidhnën e Epërme, janë regjistruar së bashku emrat e dy kryefamiljarëve homonimë, mbasi që të dy quhen Pal Kastri. Mendojmë se në të dy rastet, kemi të bëjmë me një shkurtim të mbiemrit Kastri(oti). Nuk është një supozim pa bazë, sepse 31 vjet më vonë, na shfaqet një tjetër pinjoll Kastriotas nga ky fshat. Këtë pinjoll e ndeshim në aktin e kuvendit ndërkrahinor shqiptar, që u mblodh më 1602, në fshatin Dukagjin të Matit, ku ai mori pjesë si përfaqësues i Dibrës, duke nënshkruar: Jozef Kastrioti nga Qidhna (Joseph Castriotida Cidna), krahas dy përfaqësuesve të tjerë dibranë.

Nga sa u tha, mund të nxirret konkluzioni se shfaqja e Kastriotëve në këtë trevë gjatë një harku kohor prej 250 vjetësh – që nga Pal Kastrioti, zot i fshatit Sinë në çerekun e tretë të shek.XIV, Gjon Kastrioti i gjysmës së parë të shek.XV, i cilësuar si Gjon Dibrani, Dhimitër Kastrioti, banor i fshatit Sinë më 1467, Pal Kastri(oti) banor më 1571 i Qidhnës së Epërme, fqinjë e Sinës, deri te Jozef Kastrioti nga Qidhna, i cili përmendet më 1602 – nuk mund të thuhet kurrsesi se është një rastësi. Nën dritën e këtyre të dhënave dokumentare bashkëkohore edhe njoftimet e kronikës raguzane të P. Lukarit, sidomos ato të kodeksit boshnjak të Fermenxhiut, na çojnë gjithashtu në trevën e Qidhnës.

Kjo vazhdimësi të dhënash, të cilat përfaqësojnë afërsisht 8 breza njerëzorë, tregojnë se Kastriotët kanë qenë të paktën qysh në shek.XIV banorë të Qidhnës, në përgjithësi, dhe të Sinës, në veçanti, derisa aty nga shek.XVII, gjurmët e tyre në këtë trevë humbasin përfundimisht.

Jo vetëm gjenealogjia, por edhe pronat feudale që ata zotëronin, e përforcojnë origjinën e tyre dibrane. Përveç pohimit të Gjon Muzakës rreth zotërimeve të Pal Kastriotit në Qidhnë (Sinjë dhe Gardhi i Poshtëm), kemi dy akte arkivore, të ashtuquajturat akte të Hilandarit, të cilat dëshmojnë se biri i tij, Gjon Kastrioti, kishte në pronësi të plotë feudale të paktën dy fshatra, Radostushën dhe Trebishtin, të cilat ndodhen gjithashtu në trevën dibrane. Ekziston pastaj një akt arkivor i vitit 1453, nga i cili kuptohet se Skënderbeu kishte të drejta zotërimi mbi vendin e quajtur Cassi (nuper quendam loca Cassi intercepisse). Këtu Cassi nuk duhet lexuar Gashi, siç bën A. Gegaj, sepse krahina e Gashit ndodhet në Malësinë e Gjakovës, pra shumë larg vendbanimit të Kastriotëve, por Hasi, sepse dihet që në tekstet latinishte “h-ja” e gjuhëve të tjera, herë bie (Has: As; Humoi: Umoi; Harzan, Arzen), herë velarizohet (Has: Cas; Humoi: Cumoi; Hamza: Camusa). Për më tepër, sikurse do të shihet më poshtë, kur Skënderbeu ndërmori epopenë legjendare, ai mbante titullin “Zot i Dibrës dhe i Matit” (Dominus Dibra et Mati). 

Nën dritën e këtyre të dhënave, origjina dibrane e Skënderbeut tani vërtetohet edhe nga vetë Barleti. Kështu, për shembull, jo rastësisht viset e Qidhnës ai i quan “Viset e Skënderbeut”. Po ashtu, tani marrin një kuptim të ri fjalët e humanistit shkodran kur thotë jo vetëm Skënderbeu, kur u kthye nga Nishi në Dibër, i njihte dibranët, por edhe dibranët e njihnin Skënderbeun, prandaj ai hyri në Dibër pa luftë, si në shtëpinë e tij. Pastaj, që të nesërmen në mëngjes, ai u nis i shoqëruar nga qindra dibranë për të marrë me dredhi Krujën.

Askush nga dibranët, vazhdon Barleti, nuk e kundërshtoi veprën e tij të guximshme, jo vetëm nga fama e tij e madhe, jo vetëm nga dashuria e tyre për liri, por “edhe nga malli që ushqenin për të prej një kohe kaq të gjatë”. Prandaj, shkruan ai më tej, dibranët “iu derdhën të gjithë rreth e përqark e kush e kush më parë, tërë shend e verë dhe, duke kërcyer nga gëzimi, me lot që u rridhnin në faqe nga gazi i madh, një palë i puthnin duart, një palë faqet e kokën, të tjerë këmbët e pastaj gjithë trupin duke e mbytur me përqafime të pambaruara”. Kuptohet se një dashuri dhe përkushtim kaq të thellë mund ta shfaqnin, më 1443, para se Skënderbeu të fillonte epopenë, vetëm bashkatdhetarët që ishin rritur me të.

/Agron TufaDibra në sytë e të huajve