Një 18 – vjetor i dhunshëm

447

*Nga Enkeleda Muka

Historia që do lexoni nuk është një trill nga rastet që dëgjojmë, por një ngjarje reale. Është historia që kur mikja ime ma tregoi, kam qarë bashkë me të. Këtë ngjarje ajo ma tregoi mua pasi donte që unë t’ju përcillja përmes këtij shkrimi dhimbjen e saj:

“Isha shumë e vogël, kur nisa të kuptoj se çfarë ishte dhuna. E mësova duke jetuar me të. Ishte bërë si e familjes … rrinte, debatonte, qeshte e luante me ne. Ishim miqësuar bashkë, e duroja çdo ditë kur sillej si tekanjoze me mua, kur më mërziste. Nuk kisha çfarë të bëja, vetëm e duroja. E njihnim aq mirë njëra – tjetrën sa gjithmonë më thoshte: – Hesht, mos fol! Rri e mos lëviz, dhe unë, si fëmijë i bindur e frikacak ashtu bëja. Mamaja ime dhunohej çdo ditë, shpesh, pa arsye.

Ndjeja neveri kur shikoja nënën time tek dhunohej; herë me lot në sy, herë të gjakosur, herë me gojën mbyllur e herë me duart në fyt. Më kërkonte ndihmë jo me fjalë, por me sy: – ‘të lutem, o bijë, ai po më vret’. Por unë kisha frikë. Po shkatërrohej. E nga kush ? Nga një dorë shkatërruese, një mendje e palogjikshme. Një ditë u gjenda krejt e vetme në shtëpi. Mora bllokun tim të shënimeve e nisa të shkruaj. Mendja fliste e dora bindej – shkruante. Mu kujtua dita më e tmerrshme e jetës sime kur ai ma shkatërronte atë, të shtrejntën time ‘nënën’.

Kisha 18 vjetorin dhe po bënim përgatitjet për një festë të vogël familjare. Të gjithë rreth meje buzëqeshnin… sa e lumtur isha. Babai doli, ngelëm unë nëna dhe dy vëllezërit e mi më të vegjël. Dalengadalë po afrohej mbrëmja, dera u perplas me forcë dhe ai u fut brënda me turfullimë. Kishte pirë aq shumë sa këmbët nuk i mbanin më. U afrova pranë tij duke i thënë:

– Edhe sonte?

 Ashtu i pafuqishëm më goditi. Ndjeva të më shembej bota para syve, jo jo nuk ishte dhimbje, por urrejtje! Nuk bëra asgjë thjesht i thashë:

– Ba, faleminderit!

Nuk ka gjë, më pëlqeu dhurata që më bëre sonte. Nëna u afrua të më përqafonte. Në ato çaste ai u afrua si përbindësh e goditi aq fort duke e përplasur në mur. Ajo u rrëzua. I’u luta të ndalonte, duke i thënë:  – Ba, ndalo se po e vret!!! U kthye me dorën gati për të më gjuajtur. Nuk e lejova, ndali dhe më tha: – Ju urrej! Nuk dua femra në shtëpinë time!

U afrova për të ndihmuar nënën, por ai e goditi përsëri si të ishtë një plehrë e jo nëna e fëmijëve të tij. Ajo dorë e mallkuar e godiste e më pas si të mos ksihte ndodhur asgjë i thoshte: ‘Më fal! Nuk isha unë, por pija’.

Ajo natë mbeti si kujtim i hidhur për mua, por përpiqem kaq shumë të mos e kujtoj. Nuk dua ta kujtoj atë 18 – vjetor, madje ajo ditë nuk duhej të kishte ekzistuar. Kam frikë, nëna më kërkon ndihmë, mua, fëmijës së saj. Më tregoni. Dua të flas, por kush me dëgjon? Vendi ku po jetoj më ngjall neveri. Shtëpia nuk quhet më “vatër” e ngrohtë, por makth. Por, nëna kërkon me sytë mbushur me lot ndihmën time.

Ajo që më lindi për të më mbrojtur gjithë jëtën, tashmë kërkon që unë ta ndihmoj. Ajo ndjen dhembje e kërkon ndihmë, kërkon të jetë e lirë, e qetë, pa duar që e dhunojnë, pa të nxira e të qara në trup. Gjithnjë figura e saj më duket një “model i përkryer” për një poster kundër dhunës ndaj gruas.

A mund të kishte model më real për të ilustruar dhunën ndaj një gruaje që është jo vetëm bashkëshorte, por edhe nënë? A e ndjen aq pendesën babai im kur sheh urrejtjen në sytë tanë, të fëmijëve të tij ? E si mund ta ndjejë veten kur të mos ketë fuqinë e “ burrit” që qëllon një grua? Dhe jo thjeshtë një grua, por nënën time, gjënë më të shtrejntë në botë!

Unë do të luftoj për të! Do ta bëj botën më të mirë! Dhe jo vetëm për nënën time, por për të gjitha që dhunohen. Kjo është dhimbja ime, por edhe aspirata ime”.