Antikanabisi/ Përgjegjësi do mbajnë kryeplaku, polici e kryebashkiaku

354

Për të parandaluar mbjelljen e kanabisit Policia e Shtetit ka kontrolluar deri më tani 40% të territorit.

Kontrollet janë bërë në sera, në tunele, por edhe në banesa të ndryshme.

Për të identifikuar çdo tokë, Policia e Shtetit do të ndjek një tjetër metodë.

Burime të Report TV nga Policia bëjnë me dije se ministri i ri Fatmir Xhafa ka dhënë urdhër që për çdo tokë të verifikohet pronari i saj, duke marrë parasysh edhe dokumentat në kadastër.

Më pas këtyre personave që janë pronar, do t’ju bëhet e ditur se do të mbajnë përgjegjësi nëse në tokat e tyre do të ketë kanabis dhe një gjë të tillë nuk e raportojnë në Polici.

Ndërkohë për tokat që janë pa pronarë do të mbajnë përgjegjësi kryepleqtë, kryetarët e bashkive, por edhe punonjësit e Policisë. Sipas një vendimi të qeverisë kryepleqtë janë të detyruar të raportojnë për drogën që mund të jetë mbjellë në zonën e tyre.

Ndërkohë sipas urdhrit të Xhafajt, punonjës policie do angazhohen për të vëzhguar tokat që janë pa pronar gjatë kësaj periudhe, por edhe gjatë muajve të verës. Këta punonjës do të mbajnë përgjegjësi nëse në zonën ku ata do të ngarkohen, do të ketë kanabis.

Por përgjegjësi për kanabisin do të mbajnë edhe strukturat vendore si Inspektorati i Mjedisit etj.

Kjo për faktin se punonjësit që kryejnë inspektime në terren dhe që paguhen nga buxheti i shtetit duhet të raportojnë në Polici nëse konstatojnë ose dyshojnë për drogë në zona të caktuara. Një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga Policia e Shtetit.

Deri më tani kanë qenë të pakta rastet kur Policia ka zbuluar farishte me kanabis.

Në Vlorë dhe në Kavajë janë zbuluar 3 raste.

Ka qënë Kryeministri Edi Rama, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, por dhe ministri i ri Fatmir Xhafa, të cilët kanë dhënë garanci se gjatë këtij viti do ti jepet fund historisë së kultivimit të kanabisit në Shqipëri.