Shqipëria ka pagën më të ulët në rajon dhe me taksat më të larta mbi rrogën

345

Të jesh punëtor në Shqipëri është e vështirë sepse jo vetëm që fiton shumë pak, por edhe taksohesh shumë. Përfundimi del nga Këshilli i Investimeve, një platformë e ngritur me ndihmën e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për të përmirësuar klimën e biznesit në vend.

Sipas KI, në Shqipëri paga mesatare bruto është 357 euro në muaj duke qenë më e ulëta në Ballkan. I vetmi vend në rajon ku paga mesatare është e krahasueshme rezulton Kosova me 360 euro në muaj, ndërsa në të gjitha vendet e tjera rrogat janë dukshëm më të larta.

Më konkretisht, në Bosnje paga mesatare është 425 euro, në Serbi një puntor merr 500 euro në muaj, ndërsa në Maqedoni dhe Mal të Zi paga mesatare mujore është respektivisht 530 euro dhe 739 euro, shkruan Syri.net.

Por edhe këto janë rrogat bruto, pa llogaritur taksat dhe sigurimet. Nëse llogarit dhe këto të fundit, rezulton se edhe pse fitojnë më pak nga të gjithë fqinjët e tyre, shqiptarët taksohen më shumë, çka bën që në xhepin e tyre të mbeten akoma më pak të ardhura.

Shifrat

Sipas të dhënave, për një pagë 357 euro një puntor në Shqipëri duhet të paguajë 21.9 për qind të rrogës në shtet, nga të cilat 16.7 për qind si kontribut për sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore, ndërsa 5.2 për qind si tatim mbi pagën. Kjo bën që paga mujore neto, që një punonjës çon në shtëpi të katandiset në vetëm 278 euro.

Përveç Serbisë e cila po kalon një krizë të thellë financiare, në të gjitha vendet e  tjera barra tatimore dhe kontributet janë më të ulëta.

Në Bosnje, një puntorë paguan 20.5 për qind taksa dhe kontribute mbi rrogën. Në Mal të Zi 19 për qind, ndërsa në Maqedoni vetëm 10 për qind.

Në të gjitha vendet fqinje të rajonit, punëtorët jo vetëm që fitojnë më shumë se sa shqiptarët, por paguajnë edhe më pak taksa dhe sigurime në shtet. Kjo bën që në xhepat e tyre të mbeten më shumë para, një fat që qytetarët shqiptarë nuk e kanë.  /SYRI.net/